U hap në Tiranë Panairi i Librit 2021 (17-21.11.) me pjesëmarrjen e vizitorëve, por megjithatë në kushte pandemie, pasi vizitorët nuk duhet të qëndrojnë gjatë brenda sallës së Pallatit të Kongreseve.
Me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese nga Shqipëria e bota shqiptare u hap në Tiranë të mërkurën Panairi i Librit 2021 në Pallatin e Kongreseve. Këtë vit panari i hap dyert për vizitorët pesë ditë, nga 17-21 nëntor, kjo festë e librit zhvillohet në kushte pandemie, me masa kundër përhapjes së virusit, si teste për punonjësit e shtëpive botuese, detyrimin e maskave apo mbylljen e panairit për një orë në drekë për ajrosje.
Menjëherë pas hapjes së panairit, një numër jo i vogël vizitorësh iu afrua tendave, me atë ecejakun karakteristik të panaireve, ngadalë e me shfletime të shpejta të shumë librave, ndoshta deri sa të gjendet libri i preferuar. Zvogëlimi i kapaciteteve të panairit me 25% më pak se para pandemisë e ka zvogëluar edhe numrin e vizitorëve. Panairi i këtij viti mund të quhet panairi i qetësisë dhe kujdesit. Megjithëse jo të gjithë e respektojnë distancën e përqafimet me miqtë i sheh kudo, ndjehet atmosfera e kujdesshme. E pyetur nga Deutsche Welle një vizitore tha, se “kam ardhur për vit në panair, po këtë vit nga pandemia më duket shumë më ndryshe.” Kurse një vizitor tjetër i mirëpret aktivitetet kulturore tani më shumë se më parë. “Kemi nevojë të dalim pak nga gjendja e pandemisë. Kudo dëgjon vetëm lajme pandemie, të paktën këto aktivitete na bëjnë të harrojmë disi lajmet e këqija.”
Kthim në normalitet
Botuesi i shtëpisë botuese, “Onufri”, Bujar Hudhri i tha Deutsche Welles se ai e sheh këtë panair si kthim në normalitet të jetës, botuesve e shkrimtarëve. “Fjala normale i shkon më shumë kësaj situate. Kemi kaluar kohë të vështira, si botuesit, si lexuesit, shkrimtarët, të gjithë. Këtu jemi për t’u takuar të gjithë, ky është gëzimi më i madh. Krijohet ajo atmosfera e munguar kaq kohë, një atmosferë që letërsia e krijon natyrshëm si kontakt mes lexuesit e shkrimtarit.”
Në panair, në të cilin nuk shiten vetëm libra, por zhvillohen edhe takime autoriale me lexuesit. Vizitorët duhet të hyjnë vetëm me maska dhe u rekomandohet të qëndrojnë shkurt brenda hapësirave të mbyllura. Vitin e kaluar panairi i librit u zhvillua online.
dw