Masterplani i gazit në Shqipëri pritet të jetë gati në muajt tetor-nëntor të vitit 2016, ndërsa puna për këtë masterplan do të nisë pas një muaji. Paralelisht, kompania SOCAR do të fillojë punën për studimin e fizibilitetit, një tjetër dokument i rëndësishëm që i shërben objektivit strategjik për gazifikimin e vendit.
Ministria e Energjisë dhe e Industrisë, në bashkëpunim me kompaninë shtetërore azere të naftës SOCAR, organizuan këtë të shtunë në Tiranë takimin e dytë të nivelit të lartë për studimin e fizibilitetit të masterplanit të gazit në Shqipëri.
Takimi u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm i MEI, Koli Bele, i cili e konsideroi shumë të rëndësishëm koordinimin mes të gjithë aktorëve për të patur një produkt sa më professional.
“Kemi ndërmarrë të gjithë hapat e duhura si qeveri, në mënyrë që vitet 2019-2020, kur parashikohet që gazi të kalojë në tubacionin e gazsjellësit TAP, edhe Shqipëria të jetë jo vetëm e lidhur, por të ketë mundësi, infrastrukturë të zhvilluar, plane konkrete për zhvillimin e tregut të gazit”, u shpreh Bele.
Në vijim të takimit të parë mbajtur në muajin shkurt, përfaqësuesit e ëBIF (ëestern Balkans Investment Frameëork) prezantuan një grafik të punës me të dhëna konkrete të fazave të hartimit të masterplanit. Sipas tyre, puna do të nisë në muajin maj 2015 dhe parashikohet që masterplani të jetë i gatshëm në tetor-nëntor 2016.
WBIF financon me 1.1 milionë euro hartimin e masterplanit të gazit (GMP) dhe të PIP (Project Identification Project (PIP), sipas aplikimit të MEI-t në shkurt 2014.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Shell, British Petroleum, WBIF, TAP AG dhe SOCAR. Kjo e fundit, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe Gazsjellësin TAP, si dhe aktorë të tjerë të interesuar nga Azerbajxhani, do të menaxhojë dhe financojë studimin e fizibilitetit të masterplanit të gazit. / Top Channel