Ministri Tahiri në Gjermani, takon homologun De Maiziere: Frenim fluksit të azilkërkuesve

tahiri gjermaniMinistri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri zhvilloi një takim në Berlin me homologun gjerman, Thomas De Maiziere. Dy ministrat diskutuan për fushat e bashkëpunimit dhe përpjekjen e përbashkët për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ministrat ranë dakord që Gjermania të asistojë me ekspertizë palën shqiptare në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe asistencë teknike për forcat speciale RENEA. Çështje e diskutimit ishte edhe fluksi i muajve të fundit i shqiptarëve që kërkojnë azil në Gjermani.

Ministri Tahiri shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për ndalimin e azilkërkuesve të paligjshëm, duke prezantuar masat që ka marrë policia shqiptare në pikat kufitare, apo në hetimin e grupeve që mashtrojnë shqiptarë duke u premtuar azil, si dhe kërkoi gjithashtu shkurtimin e procedurave të përpunimit të kërkesave nga pala gjermane. Pas takimit dy ministrat dhanë një deklaratë për mediat.

“Patëm një takim të frytshëm me kolegun për të shtuar bashkëpunimin lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit duke konsideruar eksperiencën e frytshme që kemi patur deri tani, por edhe bashkëpunimin në të ardhmen. Gjermania ka ndihmuar me ekspertizë policinë shqiptare për të forcuar kapacitetet dhe po kështu do të vazhdojmë, në mënyrë që të shtrojmë bazën për një bashkëpunim të sigurt lidhur me luftën kundër korrupsionit, veçanërisht kundër korrupsionit elitar, krimit të organizuar dhe gjithashtu Byronë Kombëtare të Hetimit, si një institucion që do të ketë ekspertizë edhe nga partnerët gjermanë”, ka thënë Tahiri.

Shqetësimi për azil-kërkuesit, ka vijuar ministri i Brendshëm, është një shqetësim që po adresohet edhe në Shqipëri. “E informova kolegun për masat që ka marrë Shqipëria dhe gjithashtu i bërë të qartë angazhimin e qeverisë shqiptare për të mos lejuar në asnjë mënyrë shtetas shqiptarë që në mënyrë të padrejtë vijnë e kërkojnë azil politik. E bëmë të qartë që nuk ka azil politik në Gjermani dhe në asnjë vend të BE-së, për arsye politike apo për arsye ekonomike dhe do të bëjmë gjithçka, për të ndaluar këtë fenomen që shqetëson si Shqipërinë dhe partnerët tanë”, ka nënvizuar Tahiri.

“Jam i kënaqur që takova mikun dhe kolegun tim, pas takimit që patëm në Tiranë para disa muajsh, për të vazhduar bashkëpunim tonë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po merremi bashkarisht me një çështje që na shqetëson, siç është azili. Janë shqiptarë nga Shqipëria apo nga shqiptarë që jetojnë në vende të tjera që vijnë në Gjermani për të kërkuar azil. Ky është një shqetësim i madh sepse mund të prodhojnë pasoja në raport me vendimin tuaj, që ju do donit t’i evitonit. Ndaj mesazhi im i qartë është se nuk ka asnjë shans për të fituar azil politik në Gjermani. Të gjithë shqiptarët që kanë ardhur, apo që do të vijnë do të rikthehen në vendin e tyre. Në Shqipëri ka një demokraci krenare dhe nuk ka arsye për përndjekje politike. Ne do të bëjmë shumë për ta zhdukur këtë shqetësim dhe do të kemi bashkëpunënim të madh jo vetëm duke u fokusuar te arsyet e gabuara të kërkesave për azil”, tha De Maizier nga ana e tij. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>