Nata e dytë e Fest 63, 15 artistë të tjerë ngjiten sot në skenë, të ftuarit specialë

63 festNata e parë e Fest 63 uli siparin mbrëmjen e djeshme për t’i hapur rrugë natës së dytë për të përçuar të tjera emocione e surpriza për publikun shqiptar.

15 artistë të tjerë, debutues besnikë të festivalit të Këngës e të rinj do të ngjiten në skenën elektrizuese të Fest 63 mbrëmjen e sotme duke ndjerë kështu magjinë e vërtetë të “rrënjëve”, motoja e së cilës është edhe Festivali i këtij viti.

Edhe gjatë kësaj nate, publiku do të shijojë krijimet e shumta muzikore, me tematika të ndryshme, por edhe performancat energjike duke ndezur kështu atmosferën jo vetëm në Pallatin e Kongreseve, por edhe të publikut që na ndjek përmes ekranit të RTSH.

Nata e dytë do sjellë në skenën e Fest 63 këngëtarin e mirënjohur Aleksandër Gjoka dhe balerinën Klaudia Pepa, si të ftuar special.

Sikurse edhe natën e parë, në këtë mbrëmje, emocionet e artistëve dhe surprizat e prapaskenës do të përcillen përmes moderatorëve Andri Xhahu dhe Alesia Brunazi.

 

15 artistët që do performojnë në natën e dytë të Fest 63:

  1.    Algert Sala
    2.    Devis Xherahu
    3.    Elvana Gjata
    4.    Endrik Beba
    5.    Epos
    6.    Frensi Revania
    7.    Gjergj Kaçinari
    8.    Gresa Gjocera
    9.    Klea Dina
    10.    Laorjan Ejlli & Adelina Correj
    11.    Mal
    12.    Rea Nuhu
    13.    Santino de Bartolo
    14.    Stine
    15.    Vesa Smolica

 

Nata e parë e FEST 63

Nata e parë shfaqi jo vetëm spektakël dhe magji skenike, por dëshmoi se Festivali ka qenë dhe mbetet zëri më autoritar i muzikës serioze dhe profesionale në hartën mbarë kombëtare shqiptare. Ishte një mbrëmje që pati gjithçka, muzikë, performancë, klas, ngjyra vokale, spektakël, surpriza deri dhe mesazhe të fuqishme sociale.

Në skenë u ngjitën jo vetëm artistë me përvojë në skenat muzikore, por edhe të rinj ambiciozë, të cilët kanë si qëllim jo vetëm të ndërtojnë një kaerrië të suksesshme në botën e muzikës, dhe skena e Fest 63 është vendi i duhur, por edhe të çojnë në skenat ndërkombëtare muzikën shqiptare.

Një performancë elektrizuese ka dhuruar edhe reperi Noizy në skenën e Fest 63. Këngëtari i njohur këndoi kolonën zanore të filmit “Troubleshooters”, ku interpreton edhe vetë ai, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut. Teksa u ngjit në skenë, Noizy e konsideroi privilegj këndimin në Festivalin e Këngës.

Emocion të jashtëzakonshëm ka përçuar në sallën e pallatit të Kongreseve këngëtari i famshëm francez, Slimane, me dy interpretimet e tij, ku njërin e pati duet me këngëtaren njëkohësisht edhe Drejtore Artistike Elhaida Dani. Slimane, në skenën e Fest 63, shënoi edhe një pikë kulminante të kësaj mbrëmje të parë të festës së Këngës.

Ai ngriti në këmbë të gjithë publikun me këngën e tij hit, “Mon Amour”, me të cilën përfaqësoi Francën në Eurovizon vitin e kaluar.

 

Juria

E veçantë në këtë mbrëmje ishte dhe prezantimi i jurisë së Festivalit, e cila përbëhej nga disa personalitete në fushën e muzikës, të letrave dhe të pedagogjisë.

Kryetare e jurisë është artistja e njohur, Zana Çela, ndërsa anëtarë që plotësojnë të gjithë trupën e jurisë janë : Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi, Ramona Tullumani.

Vota e jurisë do të përcaktojë 15 finalistët, të cilët do të performojnë në natën e 4-tërt finale të Fest 63, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut. Në këtë edicion do të ketë vetëm një këngë fituese, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion.

rtsh

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>