Ndihmës Sekretari Robinson në Tiranë: Mbështetje luftës ndaj korrupsionit e krimit të organizuar

RobinsonNdihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, rikonfirmoi gjatë vizitës së tij në Tiranë, angazhimin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri

 

Ai u takua sot me drejtuesin e Prokurorisë së posaçme kundër krimit të organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani si dhe me drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj. Sipas një njoftimi zyrtar të ambasadës amerikane, zoti Robinson, “shprehu mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e zbatimit të ligjit në luftën kundër korrupsionit dhe në rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve, transparencës dhe llogaridhënies”.

Ndihmës Sekretari Robinson pati po ashtu takime dhe me përfaqësuesë të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Akademisë së Sigurisë “për të theksuar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe nxitjes së besimit publik”.

Gjatë takimeve me ministrin shqiptar të Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe të Brendshëm Taulant Balla, zoti Robinson theksoi “rëndësinë e ruajtjes së ritmit për reformën në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Ai diskutoi gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm në reformën në drejtësi, përmirësimin e zbatimit të ligjit dhe dhënien fund mosndëshkimit në luftën kundër korrupsionit”.

Ambasada amerikane shpërndau sot pamjet e takimit të tij të mbrëmshëm me gjyqtarë, prokurorë, hetuesë shqiptarë dhe drejtuesë të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri duke i falënderuar për guximin dhe përkushtimin e tyre për zbatimin e ligjit, transparencën, si dhe dhënien fund pandëshkueshmërisë. Ai nënvizoi “rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë teksa ajo lufton krimin dhe korrupsionin”, vihet në dukje në njoftimin e ambasadës. “Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Dhe unë dua që të gjithë ju ta dini se unë dhe kolegët e mi në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur. Por si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Dhe unë do t’ju nxisja, e para, të dini se po sillni ndryshim dhe, e dyta, të mos dorëzoheni, të vazhdoni”, tha Ndihmës Sekretari Robinson në fjalën e mbajtur gjatë pritjes me drejtuesit e lartë të sistemit të Drejtësisë në Shqipëri.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>