Ka nisur këtë te premte ndërtimi i rrugëve ndihmëse dhe urave, nëpër të cilat do të kalojë tubacioni i gazsjellësit TransAdriatik, TAP. Ceremonia e nisjes së punimeve po mbahet në Potom të Çorovodës.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoni, e quajti këtë projekt një nga investimet më të mëdha të bëra në vendin tonë dhe një perspektivë të re për Shqipërinë. Duke folur për detajet e projektit, Rama tha se faza e parë e ndërtimit të tij do të shtrihet në pesë vite dhe ai do të përshkojë 211 km në vendin tonë.
“TAP nuk është një tub që sjell gaz, por e kthen Shqipërinë në një nyje të tregut energjitik rajonal dhe më gjerë”, theksoi Rama, duke shtuar se ky projekt do ta rrisë Produktin e Përgjithshëm Bruto të vendit tonë me 160 milionë euro.
Të pranishëm në ceremoni janë edhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe drejtues të lartë të kompanisë “Trans Adriatik Pipline”.
Projekti “TAP” është projektuar për të transportuar gaz nga rajoni i Kaspikut, përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, në Italinë e Jugut dhe deri në Evropën Perëndimore dhe pritet të përfundojë në vitin 2018. Ky projekt do t’i sjellë Shqipërisë përfitime të drejtpërdrejta në fushën e energjisë.
Detaje tenike të Gazsjellësit në Shqipëri
Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 210 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare. Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub (bcm). Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi. Në zonat malore, do të ndërtohen afërsisht 51 km rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 km ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen 42 ura dhe do të ndërtohen tre të reja. Këto punime planifikohen të nisin në vitin 2015. Puna për ndërtimin e çdo ‘segmenti’ zakonisht llogaritet të zgjasë nga tre në gjashtë muaj. Si edhe në pikat e tjera të gjurmës së TAP-it, tubacioni do të jetë i futur nëntokë.
Ndërtimi i gazsjellësit TAP dhe faciliteteve të lidhura me të do të kryhet në faza dhe do të ndikohet nga kushtet e motit, si dhe në disa raste edhe nga kufizime sezonale. Konkretisht ndërtimi intensiv përgjatë korridorit të së Drejtës së Kalimit (DeK), tipikisht do të segmentohet për t’u kryer në periudha 3 deri në 6-mujore. Megjithatë, aksesi i përgjithshëm në tokë do të nevojitet për një periudhë më të gjatë kohe, për të mundësuar aksesin e vazhdueshëm të DeK për qëllime transporti dhe aktivitete të tjera periferike ndërtimi. Në total, kjo periudhë mund të zgjasë nga 12-24 muaj, ku përfshihet edhe periudha e ndërtimit intensiv. TAP do të paguajë kompensim për të gjithë periudhën e punimeve (periudhën e shqetësimit të jetesës), që do të thotë për të gjithë kohën e shqetësimit ose për 24 muaj (cilado prej tyre të jetë periudha më e gjatë), ndërsa toka është në përdorim.
/Shekulli Online/