Fundi i muajit janar ka qenë tepër i suksesshëm për tenorin shqiptar Saimir Pirgu, fama e të cilit ka mbërritur deri në Australinë e largët.
Roli i pastorit në operan “King Roger” dhe interpretim i tij kanë tërhequr vëmendjen e specializuar muzikore australiane, që thuri lavde tenorit shqiptar. Menjëherë pas interpetimit Pirgu, ndan për Top Channel emocionet e skenës përmes një bisede telefonike.
“Është hera e parë që unë ndodhem këtu dhe sigurisht që jam tepër i emocionuar pasi kam debutuar. Shfaqja ka pasur goxha sukses dhe është pritur mirë si nga publiku, ashtu edhe nga teknikët, kështuqë shkalla e parë për të kapur audiencën australiane kaloi. Tani do të shohim në vijim nëse opera e Sydney-t do të presë produksione të reja”, thotë Pirgu.
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga ndarja e çmimeve Grammy, Pirgu thotë se trofeun e tij tashmë e ka marrë, ndërsa është i pari shqiptar që nominohet në një kompeticion të tille në kategorinë “Best Opera Recording”.
“Ishte një surprizë tepër e madhe për mua, sepse ne të botës operistike apo të muzikës klasike, mendojmë krejt ndryshe dhe nuk kemi kontakt me botën e pop-it. Fitoj apo nuk fitoj kjo ka pak rëndësi . Vetë fakti se duke mos ditur që produksioni ishte i nominuar, për mua është e arritur ajo që ne deshëm. Produksioni është pëlqyer si në Londër, ashtu edhe në një kontinent tjetër, nga një publik krejt i ri, siç është ai i Sydney-t, kështuqë produksioni i dha provat e veta, tregoi që ka sukses. Fitojmë apo jo çmimin Grammy, kjo i mbetet pak rastësisë, pak fatit, por edhe me kaq unë jam tepër i kenaqur”, rrëfen tenori.
Saimir Pirgu e bashkë me të edhe “Mbreti Roger” do të vijojnë të shijojnë suksesin australian deri në mesin e muajit shkurt në Operan e Sydney-t.
/ Top Channel