Nuland në Tiranë, rëndësi lufta ndaj ekstremizmit

Nuland trNdihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland theksoi sot në Tiranë nevojën e vazhdimit të luftës kundër ekstremizmit dhe realizimin e reformës në Drejtësi. Gjatë vizitës së saj disa orëshe, e cila u përmbyll në mbrëmje, zonja Nuland tha se në të gjitha takimet e saj në kryeqytetin shqiptar, mesazhi kishte qenë i njejtë “SHBA-të kanë investuar përgjatë 20 viteve në këtë marrëdhënie me Shqipërinë. Ju keni bërë përparim shumë ta madh në këto vite. Ne kemi qenë krenar që kemi qenë partnerë dhe aleatët  tuaj. Mbetet ende punë e konsiderueshme për t’u bërë në sfidat që lidhën me luftarët e huaj, ekstremizmin, ato për një Shqipëri të pastër e demokratike si dhe për aspiratën e anëtarësimit në BE”.

Përsa i përket cështjes së ekstremizmit, zyrtarja e lartë amerikane tha se “është nevoja që të luftohet kundër këtij fenomeni. Kjo është dicka që Shqipëria e ka bërë dhe është ngritur në nivel të tillë në Ballkan, si një vendi që po e udhëheq këtë luftë. Ju keni një traditë të pasur të bashkëpunimit etnik dhe ndërfetar. Kjo është dicka që ju mund ta merrni e t’ja jepni vendeve të rajonit”, tha ajo.

Zonja Nuland i mëshoi rëndësisë së reformës në Drejtësi. “Njerëzit në Shqipëri kanë pritur tejet gjatë që të ketë një gjyqësor të paanshëm, që të vihet në vend Drejtësia.E rëndësishme të kihet një sistem drejtësie më të mirë e të pastër, me gjyqtarët e prokurorë të paanshëm. Ajo që kam dëgjuar nga të gjitha palët ka qenë një angazhim i fortë dhe ne do ndjekim nga afër plotësimin e këtyre angazhimeve”, tha zonja Nuland, sipas së cilës është e rëndësishme që kjo cështje të trajtohet nga të gjithë së bashku.

I njejti angazhim sipas zyrtares amerikane nevojitet edhe për cështjen e dekriminalizimit. “Dëshirojmë të shikojmë që të gjithë drejtuesit politikë të punojnë ngushtë për një sistem kushtetues që të pengojë personat me të kaluar kriminale. Ajo që ne dëshirojmë, është që me ndryshimet e nevojshme kushtetues, të bëhet shumë shumë e vështirë, të ngrihet një zonë moskalimi për politikanët e papastër. Ne kemi dëgjuar përkushtim si nga qeveria e opozita, por tani duhet të punojnë që ta shndërrojnë në realitet”, u shpreh zonja Nulan, duke shtuar se “qytetarët duhet të kenë të drejtën që të votojnë njerëz që nuk kanë një të kaluar kriminale. I bëjmë thirrje popullit shqiptar të këmbëngulin që partitë t’u ofrojnë kandidatë të pastër. Por është e rëndësishme të kuptoni se është mirë që ju të jeni ata persona e të mos prisni nga jashtë”.

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, shpjegoi se në takimet e zhvilluara në Tiranë, ishte diskutuar dhe për një gamë të gjerë cështjesh të tjera, si ato që lidhen me Partneritetin Strategjik të firmosur mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, cështjet e sigurisë në kuadër dhe të Natos, cështjet e shtetit ligjor, për zgjedhjet e fundit vendore apo dhe cështje të zhvillimit ekonomik dhe energjisë.

Në kryeqytetin shqiptar zyrtarja e lartë amerikane bisedoi me autoritetet më të lartë shtetërore e politike, me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes, Ditmir Bushati dhe Mimi Kodheli, kreun e opozitës Lulzim Basha si dhe më përfaqësuesë të shoqërisë civile. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>