Kryeministri shqiptar Edi Rama zhvilloi të premten një vizitë në Landin e Bavarisë.Ishte hera e parë që një kryeministër shqiptar ftohet për një vizitë zyrtare në Mynih.
Kryeministri shqiptar Edi Rama zhvilloi të premten një vizitë në Landin e Bavarisë, ku ishte i ftuar nga kryeministri bavarez Horst Seehofer për një takim zyrtar. Gjatë këtij takimi, kreu i ekzekutivit nënvizoi së pari marrëdhëniet pozitive mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Kryeministri bavarez përmendi çështjen e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor dhe shprehu preokupimin e tij në lidhje me masat e njerëzve që vijnë edhe nga Shqipëria duke theksuar se njerëzit që vijnë nga Shqipëria nuk mund të kërkojnë azil politik, sepse shansi për t’i pranuar është thuajse zero.
Statusi i vendit të sigurtë të origjinës
Kryeministri Rama kërkoi sërish që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit të sigurtë të origjinës, pasi ky vend i plotëson të gjitha kriteret si i tillë. Rama theksoi se migracioni brenda kufijve të Europës është një fenomen që gjithmonë ka ndodhur në Evropë. Ai e krahasoi situatën me atë të vendeve evropiano-lindore si Bullgaria, pak kohë përpara se të antarësoheshin në Bashkimin Evropian, duke theksuar se edhe ky proces dëshmon sa pranë portave të BE-së ndodhet Shqipëria.
“Rreth nje milion njerëz morën arratinë nga Polonia, Çekia, apo Bullgaria përpara se këto vende të bëheshin pjesë e familjes evropiane. Vetëm 14 për qind e popullsisë donin të rrinin në vendin e tyre. Tani, pas antarësimit në BE të paktën 40 përqind e popullsisë duan të rrinë në venden e tyre.
Rama e njohu kryeministrin bavarez edhe me ecurinë e procesit të Berlinit, si dhe hapat e ndërmarra nga Shqipëria në përshpejtimin e procesit të integrimit europian.
Sistemi dual i arsimit – model i çmuar nga Gjermania
Kryeministri shqiptar theksoi sa i rëndësishëm është bashkëpunimi sidomos në fushën e arsimit profesional mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Bashkëpunimi në sektorin e arsmit profesional ka filluar tashmë të bartë frute qëkur Shqipqria implementoi edhe sistemin dual të edukimit, i cili është një model aq i suksesshëm nga Gjermania.
Nga ana e tij, kryeministri bavarez Horst Seehofer, në fund të takimit u shpreh se mbeti shumë i kënaqur dhe pozitiv nga ky takim:
“Shqipëria dhe Bavaria kanë marrëdhënie politike dhe ekonomike të shkëlqyeshme. Për këtë arsye unë i jam shumë mirënjohës kryeministrit, i cili na vizitoi sot, në mënyrë që ne t’i thellojmë marrëdhëniet që kemi. Ai më ka ftuar në Shqipëri dhe e ka paraqitur Shqipërinë kaq bukur sa që unë jam vërtet shumë kureshtar dhe do ta vizitoj këtë vend.“
Përsa i përket të ardhmes së përbashkët në Evropë, Seehofer u shpreh i bindur se afrimi është vetëm një element kohor dhe theksoi: “Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria në një kohë të parashikueshme të ketë një perspektivë drejt Europës dhe drejt BE-së.” (dw)