Të enjten ekskluzivisht Top Channel publikoi ndryshimet që kanë gati socialistët për ligjin e dekriminalizimit.
Shtohen disa nene ku ndalohet kandidimi për deputet apo u ndërpritet mandati, ish bashkëpunëtorëve ose të favorizuesve nga sigurimi shtetit.
Këto ndryshime nuk janë të vetmet që socialistët do të ndërmarrin për të pastruar majtas dhe djathtas politikën shqiptare nga bashkëpuntorët e ish sigurimit.
Nga grupi i punës në PS që po u jep dorën e fundit këtyre ndryshime, gazetari Muhamed Veliu mëson për Top Channel se po studiohet mundësia, të ndërhyhet me amendime edhe ligji për partitë politike.
Pikërisht në këtë ligj do të sanksionohet ndalimi për të drejtuar një parti politike nga persona të cilëve Autoriteti Dosjeve u vërteton se kanë qenë bashkëpunëtor të ish sigurimit.
Megjithëse kryetarët e partive në Shqipëri votohen nga gjiri partive politike kjo nuk shikohet si problem prej socialistëve.
Sipas tyre parashikohet të vendoset në ligjin për partitë politike një nen, ku parashikohet se nëse autoriteti dosjeve fakton se një kryetar i sotëm partie politike ka qenë bashkëpunëtor i ish sigurimit të shtetit, gjykata nuk e regjistron atë forcë politike.
Nëse këto ndryshime do të arrijnë të miratohen në kuvend dhe nëse vërtetohet se ish presidenti Ilir Meta ka pasur rol bashkëpunimi me ish sigurimin gjë të cilën ai mohon, atëherë gjykata do të vihet përpara faktit të kryer për të mos lejuat regjistrimin apo vijimin e aktivitetit nga Partia e Lirisë.
I vënë në dijeni të kësaj lëvizje të socialistëve për ta kapur shah mat ish presidentin, Ilir Meta u shfaq këtë të premte me një ton të ashpër dhe kërcënues ndaj Edi Ramës në lidhje më këto ndryshime ligjore.
Top Channel