KQZ-ja bëri të ditur se ka përfunduar numërimi i votave të partive në të gjithë Shqipërinë, ndonëse në faqen zyrtare janë pasqyruar vetëm 5213 nga 5225 QV.
Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votat në çdo qark të përkthyera në mandate, japin një tablo ku Partia Socialiste kryeson thellë me numër mandatesh.
Kështu socialistët kanë marrë tjetër mandat në Vlorë duke shkuar në 83 mandate, ku rezultatin më të mirë e kanë në Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan dhe Vlorë.
Koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike i kanë ikur dy mandate në pak minuta, ai i Vlorës dhe një në Tiranë që ia mori partia Mundësia e Agron Shehajt. PD ka zbritur në 50 mandate ndërsa Mundësia 2 mandate.
Sa i përket partive të tjera, PSD-ja e Tom Doshit është forcë e tretë politike në Kuvend me 3 mandate, koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” ka 1 mandat, ndërkohë Lëvizja Bashkë 1 mandat.
Partia Socialiste renditet e para me 777,502 vota ndërsa Partia Demokratike 504,688 vota, Nisma –SHB 56,315 vota, duke mos përfshirë këtu votat e Diasporës.