Kryeministri Rama e shpjegoi me detaje idenë e tij për mbështetjen që po merr çadra e protestës nga njerëz jashtë, që jo domosdoshmërisht i duan të mirën Shqipërisë. Rama tha në “Top Story” se partnerët e Shqipërisë do të dëshpëroheshin, nëse vendi do të shkonte në drejtimin e gabuar.
“Do të dëshpëroheshin nëse për arsye të politikës dhe për interesa pushteti, apo për instikte frike, në Shqipëri do të ndodhnin gjëra që i shkojnë kundër të gjithë këtij procesi, ku ne si Shqipëri kemi një mbështetje kaq të madhe nga partnerët tanë strategjikë. Dhe e fundit, kryetari i opozitës është në të drejtën e tij që të mos i dallojë kush janë miqtë më të mirë të Shqipërisë dhe kush janë ata që nuk janë miqtë më të mirë të Shqipërisë. Ashtu sikundër është në të drejtën e tij, që t’iu kërkojë ndihmë këtyre të dytëve. Në parim po flas. Një kryetar opozite mund të shkojë deri në pikën që të thotë ‘më ndihmoni mua të hedh në erë këtë pengesë që kam dhe unë jam në dispozicionin tuaj’. Këto gjëra kanë ndodhur”, tha Rama.
Rama tha se me Rusinë kemi marrëdhënie të ftohtë, por Rusia nuk është armik i Shqipërisë dhe nuk e shikojmë si armik.
“Prandaj flas për gjëra që lidhen me qarqe të caktuara, lidhen me interesa të caktuara. Potencialisht, çdo situatë e tillë është një oportunitet dhe historia ka treguar se, kur krijohen oportunitete të tilla, gjenden edhe oportunistët që janë gati, jo flamurin, jo dinjitetin e atdheut, por gjithçka ta vënë në dispozicion të një qëllimi, që është një qëllim mizerabël”, tha Rama.
Pak minuta pas kësaj deklarate është pyetur edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, specifikisht për Rusinë apo qarqe ruse, nëse e kanë kontaktuar atë. Ai tregoi se ishte takuar me ambasadorin rus në Tiranë.
“Është një takim i kërkuar nga ambasadori rus për t’i shpjeguar situatën politike në vend. Ka qenë një takim publik, me fotografë dhe evidentim të gjithçkaje që është folur, e padyshim që është në kuadrin e një kontakti normal që Partia Demokratike ka me të gjithë përfaqësuesit e huaj në Shqipëri. Siç kam pasur një drekë me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së sot dhe që do të kem nesër dhe të enjten, që janë takime të rregullta. Por kontakte me qarqe politike për të diskutuar fatet e Shqipërisë, Partia Demokratike nuk ka dhe nuk ka për të pasur”, tha Basha.
/ Top Channel