Në Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi sot emrat e katër anëtarëve të rinj të kabinetit të tij. Në postin më të rëndësishëm, atë të Ministrit të Brendshëm, ai ka propozuar deputetin socialist Fatmir Xhafaj. Opozita nga ana e saj ka deklaruar se lëvizjet në qeveri nuk ndikojnë në qëndrimin e saj dhe kërkesën për largimin e vetë kryeministrit. Kreu demokrat Lulzim Basha, i shoqëruar nga drejtuesë të tjerë të opozitës, pati sot një drekë më ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian.
Emrat e rinj të kabinetit të tij, kryeministri Rama i njoftoi paradite në përfundim të mbledhjes së kryesisë së Partisë socialiste. Ministri i ardhshëm i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është një figurë e njohur socialiste, i cili ka qenë ministër edhe në qeveritë e mëparshme të së majtës. Që prej vitit 2013, ai ka drejtuar Komisionin parlamentar të Ligjeve, por angazhimi i tij kryesor ka qenë koordinimi dhe udhëheqja e të gjithë procesit të Reformës në Drejtësi.
Në kabinetin qeveritar zoti Rama ka përfshirë dhe dy gra. Ogerta Manastirliun, drejtoreshë aktuale e Qendrës universitare spitalore të Tiranës “Nënë Tereza” e cila do të pasojë Ilir Beqjan. Ndërsa deputetja socialiste Olta Xhaçka do të zëvendësojë zotin Blendi Klosi. Deputeti tjetër socialist, Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit parlamentar për Aktivitetet prodhuese, zëvendëson si ministër i Pushtetit Vendor, zotin Bledi Çuçi.
Kryeministri Edi Rama i shpjegoi dje lëvizjet e papritura në kabinetin e tij me nevojën për një angazhim më të madh në fushatën e ardhshme zgjedhore, duke hedhur poshtë zërat për ndikim të aleatit të tij kryesor Ilir Meta, apo se këto lëvizje ishin një formë konçensioni ndaj opozitës e cila prej më shumë se tre javësh po proteston përballë zyrës së tij, duke kërkuar një qeveri teknike.
Edhe sot sërish zoti Basha përsëriti se asgjë nuk e ndryshon: “Vendimin për të mos u larguar nga ky shesh, derisa të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që do të thotë domosdoshmërisht, dhe pa asnjë kusht, largimin e Edi Ramës si kryeministër i qeverisë shqiptare”.
Më vonë zoti Basha dhe disa drejtuesë të opozitës, patën një drekë pune me disa nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit europian. “Ky ishte një takim, një drekë pune në kuadër e bëshkëbisedimit dhe bashlëpunimin e vazhdueshëm dhe të frytshëm të opozitës me aelatët dhe partnerët tanë europian. Diskutuam zhvillimet politike dhe rrugadaljent nga kriza ku e ka futur vendin, pamundësia për zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri e bërë njësh me krimin dhe drogën”, u shpreh zoti Basha në përfundim të takimit. (voa)