Rama-opozitës: Votoni të hënën reformën në drejtësi; reagon Berisha

Parlamenti shqiptarKryeministri Edi Rama i ka bërë ftesë opozitës që të hënën të votojë reformën në drejtësi. “Po patët mundësi ditën e hënë hajdeni votoni reformën në drejtësi, të paktën në këtë pikë të mos u dali boja. Sepse është e rëndësishme më shumë për ecurinë e përbashkët të vendit tonë dhe integrimit tonë në BE”, tha Rama.

Ai i quan të zakonshme takimet e ambasadorëve të BE dhe SHBA me grupët parlamentare, duke e quajtur reformën në drejtësi një projekt të përbashkët.

“Reforma në drejtësi është një projekt i përbashkët, tërësisht i përbashkët. Në këtë pikë, thjesht për informacion, Shqipëria nuk bën përjashtim, nga asnjë prej vendeve që i janë bashkuar familjes evropiane. Përsa i përket reformimit të sistemit të drejtësisë, në vendet që i janë bashkuar familjes evropiane projekti ka qënë thellësisht i përbashkët. Ardhja e ambasadorëve nuk e di nëse ka ndodhur në vendet e tjera, po nëse ndodh në këtë vend, ndodh vetëm për takimin me grupin tuaj. Se nëse ndodh me ne dhe LSI janë të mirëseardhur, sepse koalicioni ynë PS-LSI janë shprehur shumë qartë, dhe kanë qënë të gatshëm ta votojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese dje. Ju nuk keni qënë të gatshëm”, tha Rama.

Përfaqësuesit e BE dhe SHBA tha Rama do i bien unazë parlamentit duke u takuar me gjithë grupet parlamentare, për t’u takuar me PD-në që nuk është e gatshme të votojë reformën.

“Se kur do jeni ju të gatshëm kjo është një çështje që nuk dua ta diskutoj tani. Përfaqësuesit e SHBA dhe BE do t’i bien unazë Parlamentit, grup më grup, që të takohen me ju, se jeni ju që nuk jeni të gatshëm të votoni. Ju shikoni një ëndërr me shqiptarë që marrin armët që tu mbrojë juve nga reforma në drejtësi. Po historia e ka zakon, përsëritet dy herë një herë si tragjedi e një herë si komedi. Nëse një herë i shkaktuar tragjedi duke i armatosur këtë herë bëni vetëm një gjë, tregoni se sa qesharak jeni, me në krye rapsodin tuaj që u përgatit të njëjtën këngë që vini e këndoni këtu. Më vjen keq kur kjo ndodh dhe me brezin më të ri që për fat të keq, duket i ri vetëm në pamje. Në fjalë jeni të gjithë njësoj, robotë rapsodikë të një partie që ka ikur për atje ku nuk thuhet”, tha Rama.

Kryeministri tha se Basha është duke përdorur sërish programin e qeverisë së mëparshme Berisha.

Braçe-Berisha përplasen sërish në sallë

Pas përfundimit të dënimeve respektive, i pari për fjalorin e përdorur në sallë dhe i dyti për deklaratën e armatosjes, Erjon Braçe dhe Sali Berisha u përplasën edhe këtë të enjte në sallën e seancave plenare.

Kjo ka bërë që të ndërpritet për pak minuta seanca, ndërsa me rinisjen e saj, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka kërkoi mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për të marrë masa ndaj Erjon Braçes, pasi sipas tij, deputeti socialist është përsëritës në shkeljen e rregullores.

Vetë Braçe ka dhënë përmes rrjeteve sociale versionin e tij.

“As që kam fyer kënd. Isha në derën e fundit, në dalje të sallës dhe i thashë Sali Berishës: Sali përse i çon fjalë atij biznesmenit që akuzon këtu që të mos bëjë padi ndaj teje?! Natyrisht, ky burrë je ti!”, shkruan Braçe.

Braçe thotë se e gjithë kjo ka ndodhur pas fyerjeve, sharjeve dhe shpifjeve banale, sipas tij, të një krimineli si Sali Berisha ndaj kujtdo në sallë apo jashtë saj!

Berisha-Ramës: Ti nuk di ç’është zhvillimi, di vetëm shkaravinat

Ish-kryeministri Berisha i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Rama në Parlament, duke mos i kursyer dozat e ironisë sa i takon zhvillimit të vendit, të pretenduar nga të dyja palët.

“Rama flet vetëm për shkaravinat e tij e asgjë tjetër. Shkaravina që s’ua hedh kush sytë. Ti fole për zhvillim, por t’i nuk di se ç’është zhvillimi, zhvillimi i qëndrueshëm apo zhvillimi tërësor e ku bazohet ai”, ka thënë Berisha.

Duke hedhur poshtë akuzat e pasardhësit, Berisha ka theksuar se, pas vitit 2005 Shqipëria kaloi në vend me rroga mesatare të larta dhe Banka Botërore hoqi kredinë e butë.

“Miqtë tanë amerikanë planifikuan 100 milionë dollarë investime. Ne bëmë gjithçka që t’i fitonim këto fonde, por nuk i fituam sepse kaluam në kategorinë e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe ligji amerikan nuk e lejonte”, tha Berisha.

Më tej ish-kryeministri është fokusuar edhe tek debati mbi rrugët, duke e vënë theksin tek ato që bëri ai kur ishte në pushtet dhe ato që sipas tij nuk po bën qeveria Rama.

“Në 3 vjet nuk u tregon shqiptarëve se ke ndërtuar një rrugë të vetme, por u tregon se po ndërton 900 m rrugë me 9.9 milionë dollarë. Ti po vjedh minimumi 7 milionë dollarë. Ti po ndërton 930 m rrugë në Lin me 9.9 milionë dollarë, në një kohë kur çmimi i tunelit në Krrabë është gjithësej 10 milionë dollarë”, ka thënë Berisha.

“Ndërkohë, në 8 vite, nga Konispoli, Kakavija, Qafë Bota deri në Han të Hotit, Morinë, Qafë Morinë të Kukësit e Tropojës janë ndërtuar në çdo fshat e qytet 11 mijë e 300 km rrugë të asfaltuara. Janë ndërtuar vetëm tunele 16 km”, ka thënë Berisha.

Ekonomia, replika mes Ahmetajt dhe Tabakut

Gjendja ekonomike e vendit ka qënë objekt debati mes deputetes së PD-së, Jorida Tabaku dhe ministrit te Financave, Arben Ahmetaj.

“Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit në vlerat minimale duke u përpjekur të ngjallë ekonominë, ndërkohë që ekonomia nuk konsumon, nuk prodhon. Ata që sot mburren me paketën fiskale duhet ta kuptojnë që janë pasojat e asaj që paralajmëruam në 2013. Ne nuk besojmë se shqiptarët janë as dembelë e as qorra.  Krim i madh i instaluar brenda katër mureve të këtij Parlamenti dhe asnjë prej nesh nuk po merr guximin ta votojë. Problemi më i madh është që përveç të gjithave, kjo qeveri është duke vrarë dhe kurajo, guximin dhe shpresën, sepse vetëm kështu besojnë se mund të nënshtrojnë shqiptarët”, tha Tabaku.

Në përgjigje të saj, ministri i Financave Ahmetaj tha se rënia e varfërisë është me 2%. Ka shkuar në 45% nga 47% që ka qënë në 2012, që për ministrin ka qënë viti i rekordit të varfërisë. Ai ka kritikuar sërish programin e PD-së, duke u fokusuar tek elementet social të tij.

“Thatë do ktheni taksën e sheshtë, do e ktheni 9 %. Nuk do pushoj kurrë pa e thënë se taksa e sheshtë ju grabit sërish 100 mln dollarë nga xhepat tuaja qytetarë. Thanë do ribëjnë reformën e pensioneve. Të gjitha atyre, gati 80 mijë veta që përfitojnë pension social, këta ua grabisin paratë mbrapsht po të vijnë në pushtet. Dhe përtej kësaj, e di çfarë i bëjnë borxhit, e çojnë për një ditë 80 % të PBB. Ky korridori këtu (korridori në mes të sallës së Kuvendit) është rrugë psikologjike, e po deshët dhe botësh. Një botë që do të qeverisë në zi, dhe një botë që ka bërë reforma që sot fatmirësisht janë duke dhënë frutet e tyre”, tha Ahmetaj.

Znj. Tabaku ka replikuar duke thënë se shifrat e raportuara janë nga INSTAT, dhe jo nga opozita.

Blushi: Mbledhja e grupeve nga ambasadorët, turp për Parlamentin

Deputeti Ben Blushi, duke folur në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, e ka cilësuar si të turpshëm për klasën politike shqiptare mbledhjen e grupeve parlamentare nga ambasadorët për realizimin e reformës në drejtësi.

Ambasadorët e SHBA dhe BE kanë vendosur të mbledhin grupet tona parlamentare, pra po mbledhin një seancë jashtë Kuvendit. Në këtë mënyrë Shqipëria po bëhet qesharake dhe ky Parlament ka humbur sovranitetin”, ka thënë Blushi.

Sipas tij, angazhimi i ndërkombëtarëve në këtë proces është pozitiv, por e gjitha kjo do të ketë një çmim. “Çmimi është tallja me ne, përçmimi i këtij Parlamenti, kësaj klase politike dhe në fund shfarrosja si specie e kësaj klase politike. Jemi shumë afër shfarrosjes, proces që shqiptarët për 25 vjet nuk e bënë dot me votë dhe Shqipëria ndoshta do të jetë më mirë kur ne të ikim”, ka thënë Blushi.

Ai është shprehur se miratimi i reformës me ndikimin e ndërkombëtarëve mund t’u japë shpresë shqiptarëve, por ka edhe një anë tjetër të medaljes.

“Mund t’u japë shpresë njerëzve se me mbështetjen e ndërkombëtarëve pronat e tyre nuk do të vidhen, deti nuk do të falet, stadiumi me majucë nuk do të ndërtohet më. Por kjo situatë tregon troç se ne nuk duam të bëjmë drejtësi, por po detyrohemi të bëjmë reformën në drejtësi”, ka thënë Blushi.

Nëse drejtësinë e marrin nën kontroll ndërkombëtarët, ka vijuar serish ai, atëherë ndoshta ky Parlament nuk do të jetë më sadist. “Sot 3 grupet tona parlamentare duhet të skuqen dhe unë nuk do të doja të isha pjesë e asnjë prej tyre. Koha e sadistëve dhe esadistëve ka përfunduar”, ka shtuar Blushi.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>