Komisioni Europian paraqiti sot para Parlamentit Europian Raportin vjetor për Shqipërinë, mbi përparimin e saj në procesin e anëtarësimit në Bashkimit Europian. Ajo është pjesë e vlerësimeve për vendet kandidate dhe e paketës së zgjerimit të BE-së, ku janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha para eurodeputetëve se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kushtet për hapjen e negociatave.
“Shtyrja e hapjes së negociatave me këto dy vende ka krijuar një ndikim negativ. Duhet zgjidhur problemi dypalësh mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo është shumë e rëndësishme për besueshmërinë e Bashkimit Europian. Është e rëndësishme që ta kuptojnë edhe anëtarët e Bashkimit Europian, se ata i kanë përmbushur kushtet, në mënyrë që të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me këto dy vende.” – tha zoti Varhelyi.
Në raportin që ka siguruar “Zëri i Amerikës” vlerësohet se Shqipëria duhet të punojë ende në reformën në administratën publike, reformën e sistemit të drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Në të theksohet se gjatë periudhës së raportimit, nuk është bërë përparim sa i takon lirisë së shprehjes.
“Në aspektin politik, – thuhet në raport – zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit u mbajtën pas marrëveshjes shumëpartiake të 5 qershorit 2020, dhe sipas OSBE ato ishin përgjithësisht të mirorganizuara. Në legjislaturën e re shumica dhe opozita duhet të përmirësojnë dialogun politik dhe të punojnë së bashku për agjendën e reformës për hapjen e negociatave me BE-në” – theksohet në raport. Në të kërkohet që decentralizimi i kompetencave të pushtetit vendor, fuqizimi i bashkive dhe autonomia fiskale e tyre duhet të ecë paralel me reformën territoriale për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve. “Përparim i kufizuar u bë për të krijuar një klimë të nevojshme për shoqërinë civile, po ashtu edhe në rritjen e kapaciteve të administratës publike për reformat” – thuhet në dokument.
Sipas raportit, sistemi i drejtësisë është deri diku i përgatitur. “Shqipëria ka vazhduar të zbatojë reformën tërësore në drejtësi, që ka çuar në përparim të mirë. Një moment i rëndësishëm ishte emërimi në fund të vitit 2020 i 3 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese” – theksohet në raport.
Në të veçohet se Gjykata Kushtetuese po punon me 7 anëtarë dhe duhet bërë plotësisht funksionale, ndërsa Gjykata e Lartë po punon me 9 anëtarë, dhe duhet plotësuar.
“Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, duke shqyrtuar 437 raste prej tyre. 62 për qind e rasteve rezultuan me shkarkime ose me dorëheqje” – thuhet në raport.
Strukturat e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve u plotësuan me hetues dhe pritet që kjo të përmbyllet para fundit të vitit, vëren raporti.
“Shqipëria ka tashmë një nivel përgatitje dhe ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë këtu edhe gjyqtarët e prokurorët e larguar nga procesi i vettingut. Por numri i çështjeve për korrupsion që të përfshijnë zyrtarë të lartë ende mbetet i kufizuar, ndërsa vazhdon kultura e mosndëshkimit në nivelet e larta të shtetit” – theksohet në raport.
Sipas tij, SPAK dhe Gjykata për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të ngrejnë më lart aftësitë e tyre hetimore në ndjekjen e korrupsionit, ‘i cili mbetet një shqetësim serioz, sepse mbizotëron në shumë fusha të jetës publike e private”.
Në luftën ndaj krimit të organizuar vlerësohet se janë bërë përgatitje në fushën e ligjeve dhe bashkëpunimit me Europol sa i takon pastrimit të parave, organizatave kriminale dhe trafikimit të drogave.
“Shqipëria vazhdon të shtojë luftën kundër drogës, ndërsa policia ka regjistruar mbi 2 mijë çështje të prodhimit, kultivimit dhe trafikimit të drogave tek prokurorët gjatë vitit të kaluar” – thuhet në raport.
Mbi 233 operacione policore u zhvilluan kundër narkotikëve, gjysma e të cilëve në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, si dhe 143 operacione policore kundër trafikimit ilegal, po ashtu një pjesë së bashku me partnerë ndërkombëtarë, veçon raporti.
“Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka lejuar të monitorohet nga një vend tjetër, dhe këtë e bën Italia qysh nga viti 2013, dhe prodhimi i drogave po pakësohet nga viti në vit. Po ashtu po pakësohen edhe trafikimi i drogave të tjera si kokaina dhe heroina” – thekson raporti.
Në fushën e të drejtave themelore Shqipëria ka bërë përpjekje për të mbrojtur dhe arsimuar pakicat kombëtare.
Ndërsa në fushën e lirisë së shprehjes Shqiëria nuk janë bërë përparime gjatë periudhës së raportit.
“Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar. Tensionet midis aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë krizës COVID-19 si dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare. Sulmet e raportuara kundër gazetarëve nuk kanë rezultuar në asnjë dënim përfundimtar” – thuhet në raport.
Në të theksohet se vetë-rregullimi në mediat online duhet të sigurohet, ndërsa hapat për ta bërë plotësisht funksional autoritetin rregullator audio-vizual duhet të ndërmerren në një mënyrë që siguron pavarësinë dhe legjitimitetin e tij.
“Pas opinionit të pafavorshëm të Komisionit të Venecias dhe kritikave të gjera mbi projekt -ndryshimet në ligjin për mediat që synojnë rregullimin e mediave në internet dhe disa aspekte të shpifjes, përfaqësuesit e shumicës qeverisëse u angazhuan publikisht për të siguruar që çdo legjislacion i ri për mediat të jetë në përputhje me Rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe dorëzuar në konsultim me organizatat e medias. Qeveria e rishqyrtoi çështjen dhe Kuvendi nuk iu kthye çështjes. Parlamenti dhe qeveria që dolën nga zgjedhjet e 25 prillit duhet të respektojnë angazhimin për të siguruar që çdo ndryshim i mundshëm në ligjin për mediat të jetë në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe të paraqitet në konsultimet e duhura” – thekson raporti.
Barazia gjinore në Shqipëri vazhdon të ketë boshllëqe dhe një strategji e re në nivel kombëtar dhe vendor pritet të sjellë përmirësime. Indeksi i barazisë gjinore në Shqipëri është ende më poshtë se ai i BE-së.
“Dhuna në familje vazhdon të sjellë vrasje të grave, ndërsa një pjesë tjetër ka nevojë për streha, fondet për të cilat u rritën. Të drejtat e fëmijëve janë të mbrojtura mirë me ligje, ndërsa institucionet po fuqizohen për t’i zbatuar ato. Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve ka trajtuar gjatë vitit të kaluar mbi 2 mijë raste dhune ndaj fëmijëve. Në Shqipëri, 60 për qind e abuzimeve seksuale janë kryer kundër fëmijëve” – thuhet në raport.
Një mori vështirësish hasin edhe personat me aftësi ndryshe, të drejtat e të cilëve nuk përmbushen. Po ashtu vazhdon diskriminimi i personave LGBTIQ mbetet mbizotërues në Shqipëri, thuhet në raport, si në shoqëri ashtu edhe në institucionet e shëndetit, arsimit, drejtësisë, drejtësisë dhe punësimit.
Në shkurt Shqipëria miratoi një ligj të ri për azilin dhe migrimet për të trajtuar flukeset migratore, që u rritën 13 për qind në krahasim me 2019.
“Numri i qytetarëve shqiptarë që kërkuan azil në vendet anëtare të BE-së ra në 66 për qind në 2020 krahasuar me 2019, sipas Eurostatit. Nga 20 mijë e 415 aplikime ato u ulën në 6 mijë e 935 vetë” – thotë raporti.
Sa i takon kriterit ekonomik Shqipëria ka bërë progres në zhvillimin dhe funksionimin e ekonomisë së tregut.
Vendi u godit nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe Pandemia Covid, Prodhimi i Përgjithshëm Bruto pritet të jetë më i ulët nga sa parashikohej.
Shqipëria ka bërë përparim edhe sa i takon konkurrencës rajonale dhe presioneve të tregut. Infrastruktura e transportit dhe energjisë u përmirësua, së bashku me komunikimet digjitale, por ende mbeten boshllëqe të mëdha sa i takon shkollimit, që ekzistonin edhe para mbylljes nga Pandemia, por tani u rënduan nga kufizimet e pandemisë.
Sipas raportit, në prokurimet publike Shqipëria ka bërë një përparim të mirë me miratimin e një ligji të ri. Shqipëria ka një përgatitje të mirë sa i takon tregut të brendshëm, me lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, politikat e konkurrencës.
Raporti vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim edhe sa i takon konkurrueshmërisë, me Agenda Blertë, që lidhet me mjedisin, energjinë dhe ndryshimet klimatike.
Bujqësia ka ndryshuar në Shqipëria sa u takon burimeve, sigurisë ushqimore, politiat veterinare dhe fitosanitare, por regjistri i fermave duhet të ndërtohet për të rritur nivelin e punës.
Shqipëria ka arritur një nivel të mirë përgatitor në marrëdhëniet e jashtme, mbrojtja dhe siguria e jashtme, duke miratuar marrëveshjen e Europës Qendrore për tregti të lirë,
Shqipëria është vend kandidat i Bashkimit Europian që nga viti 2014. Në 2018 Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave pa kushte me Shqipërinë. Në Mars 2020 Këshilli Europian miratoi vendimin për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.
Në maj 2021 Komisioni Europian informoi Këshillin se të gjitha kushtet ishin përmbushur për të mbajtur konferencën e parë ndër-qeveritare. Marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë vlerësohen si shumë të mira sa u takon shkëmbimeve ekonomike dhe adpotimit të ligjeve dhe standarteve europiane si dhe përparimit të reformave shqiptare në disa fusha themelore.
Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimime të gjitha agjencitë e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme të BE-së.
voa