Shtypi gjerman trajton Konferencën e Ballkanit në Vjenë dhe analizon, se problemi i refugjatëve nga vendet e Ballkanit do të jetë një pikërëndesë e saj. Gazetat gjermane shkruajnë edhe për situatën në Shqipëri.
Gazeta ‘Handelsblatt’ (24.08) në prag të Konferencës së Ballkanit boton një intervistë me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuqiç. Ky i fundit në intervsitë thekson, se është për një zgjidhje europiane të çështjes së refugjatëve. “Ne të gjithë në Europë duhet të bashkëpunojmë ngushtë. Jo vetëm vendet që ndodhen në itinerarin e tranzitit të migrantëve në Ballkan kanë një interes thelbësor për një zgjidhje të tillë. Trajtimi i këtyre njerëzve të dëshpëruar, që janë larguar në rrethana tragjike nga vendi i tyre si Siria, është një çështje që preokupon mbarë Europën”. I pyetur se çfarë pret nga Konferenca e Ballkanit Perëndimor në Vjenë, Vuqiç nënvizon: “Për të qenë i sinqertë, qëllimi kryesor i të gjithë pjesëmarrësve është stabiliteti politik dhe ekonomik i Ballkanit. Ndaj si Serbia edhe vendet e tjera të rajonit kanë nevojë për mbështetje. Ne duam të kthehemi në shtegun e rritjes ekonomike. Kjo është e rëndësishme për ne – dhe jo ndonjë lojë nacionaliste, siç preferojnë të luajnë disa.” Vuqiç në këtë kontekst vlerëson mbështetjen e Gjermanisë: “Nga asnjë vend tjetër i BE-së nuk vijnë kaq shumë ministra në Beograd sa nga Gjermania. Për mbështetjen e madhe, veçnërisht nga kancelarja federale, ne jemi mirënjohës.”
“Çështje e përbashkët: arratia do të jetë tema e madhe e Konferencës së Ballkanit në Vjenë”, këtë titull mban artikulli (25.08) i ‘Süddeutsche Zeitung': “Në fakt në Konferencën e Ballkanit që nis të enjten në Vjenë në radhë të parë duhet të bëhet fjalë për një Plan Marshall për rajonin. 30 kryetarët e shteteve dhe ministrat vijnë në konferencën pasuese të një nisme të filluar më 2014 në Berlin e natyrisht disa prej diplomatëve do të celebrojnë nënshkrimin e disa marrëveshjeve të përgatitura mirë si Marrëveshja për Kufirin mes Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës apo Marrëveshja për Kulturën mes Austrisë dhe Kosovës. Por këto janë çështje anësore, edhe pse shumë politikanëve të Ballkanit u vjen thellësisht keq, që në Vjenë sërish nuk do të bëhen përpjekje për zgjidhje të qendrueshme dhe afatgjata për shumë probleme të rajonit. Faktikisht mbi të gjitha do të jetë në fokus tema e refugjatëve. …Asnjë vend Europian nuk mund të gjejë i vetëm një zgjidhje, argumentohet në Vjenë, ndaj në një shkresë drejtuar së fundi së ngarkuarës së BE-së për Politikën e Jashtme Federica Mogherini këkrohet një qasje komplekse dhe e koordinuar ndaj kësaj çështjeje”.
Ndërsa ‘Franfurter Allgemeine Zeitung’ (23.08) nën titullin “Një vend pa të ardhme” – Shqipëria është një vend i bukur, nuk ka luftë dhe as uri. Përse duan të gjithë të largohen? boton një reportazh nga Shqipëria. Gazetarja, e cila ka udhëtuar në disa vende në Shqipëri dhe ka folur me njerëzit, ndaj pyetjes, se përse njerëzit duan të largohen nga vendi ka marrë vazhdimisht përgjgijen se problemi është “future” (e ardhmja). “Një aventurë? Një lojë fati? Të gjitha këto duken si pa qeder, e unë mendoj sërish Danielin (i riu shqiptar që emigroi në Gjermani e u kthye vullnetarisht në atdhe i intervistuar nga autorja – shën. i përkth.) , i cili riskoi për të ardhmen. Aventura ishte për të dëshira për një jetë më të mirë. Me largimin nga vendi ai nuk synonte ndonjë pagë fikse apo ndonjë punë, sepse të dyja këto ai i kishte edhe në Shqipëri. Ai thjeshtë kërkonte më shumë për jetën e tij. E të dëshiruarit më shumë, është kaq e vetëkuptueshme, ne gjermanët, ne në BE jemi ambjentuar me këtë. Por ku mijëra nga jashtë fillojnë të këkrojnë të njëjtën gjë, ne gjermanëve, ne europianëve, kjo na duket e çuditshme. Edhe mua. Vetëm për këtë arsye unë ndodhem në këtë vend. Vetëm për këtë arsye unë isha edhe në Shkozë në lagjen e romëve në periferi të Tiranës. Unë këkrova horrorin, një shkak të arsyeshëm për largimin, dhe gjeta diçka tjetër: mendjemadhësinë tonë gjermano-europiane.”, shkruan autorja e ‘Frankfurter Allgemine Zeitung’.
‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’ në numrin e së hënës (24.08) zbulon edhe faqen tjetër të Shqipërisë “Vendi, në të cilin lulëzon kërpi” mban titullin artikulli mbi kriminalitetin e organizuar në Shqipëri. Politika nuk bën asgjë, madje është edhe vet e implikuar në të. Policët, të cilët vihen në gjurmët e një bande droge, rrezikojnë jetën, shkruhet në artikull. “Kriminalsociologia amerikane Janna Arsovska në një studim të sapo publikuar (“Decoding Albanian Organized Crime”, University of California Press, 2015) lidhjet e krimit të organizuar me partitë politike i nxjerr qysh në fillimin e viteve nëntëdhjetë. Dhunë dhe korrupsion, privatizime me mashtrime, mitmarrje dhe të tjera krime e kanë shoqëruar tranzicionin nga një regjim totalitar në demokraci. Kulmi i bashkëpunimit mes politikës dhe krimit u arrit në vitin 1997, kur fondet manipualtive të investimit të toleruara nga politika u kthyen në lojëra piramidale me premtim interesash nga dhjetë deri në 25%. …Ashtu si dikur ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë demokratike Sali Berisha, edhe kryeministri aktual e kryetar i Partisë Socialiste Edi Rama, premton se do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Deri tani asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjehërë nuk kanë qenë kaq të ngushta lidhjet mes qeverisë dhe krimit si tani, pretendon kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha. Jo më pak se 19 deputetë të koalicionit të majtë, sipas tij, vijnë nga radhët e botës së krimit ose kanë lidhje me të. …Në qershor u publikua në Tiranë një raport i ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë i autorizuar nga qeveria, për të pasur një dokument pune për refuromën në drejtësi. Raporti përshkruan, se si kriminelët ia dalin të lirohen përmes ryshfetit. Nis qysh tek nëpunësit e policisë, të cilët për një shumë relativisht të vogël i zhdukin dekumentat e provës. Prokurorët janë të gatshëm që për 1000 deri në 2000 Euro të heqin dorë prej akuzës. Për të vënë në lëvizje një gjyqtar që të japë një gjykim të favorshëm, nevojiten 60 000 deri në 80 000 Euro. Në proceset civile, thuhet në raport, gjyqtarët madje pranojnë edhe para nga të dyja palët. Nga ana e tyre gjyqtarët paguajnë rreth 100 000 deri në 300 000 Euro për ngjitjen në hierarki, si p.sh. për t’u emëruar në gjykatat e rrethit apo në këshillin e lartë të gjyqtarëve.”, shkruan ndër të tjera ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’.
(vfb) FAZ, SZ, Handelsblatt