Në Shqipëri zhvillohej fushata elektorale, një shqiptar vinte në Shqipëri për të tërhequr një nga dekoratat më të larta, siç është “Urdhri i Skënderbeut”.
Në Shqipëri zhvillohej fushata elektorale, një shqiptar vinte në Shqipëri për të tërhequr një nga dekoratat më të larta, siç është “Urdhri i Skënderbeut”.
Nuk bëhet fjalë për një person të zakonshëm, bëhet fjalë për ish-trajnerin e Kombëtares, Gianni De Biasi, i cili këtë të hënë ishte në Top Story.
Sokol Balla: Kam dashur gjithmonë që t’ua marr intervistën si trajner, tashmë po ua marr si ish-trajner. Megjithatë, besoj që të gjithë shqiptarët Gianni De Biasin do të respektojnë dhe nderojnë për një periudhë shumë të gjatë. Mister, shumë vetë mendonin se do të ishit trajner i Kombëtares përgjithmonë, por mesa duket çdo fillim e ka edhe një fund, apo jo?
Gianni De Biasi, ish-trajner i Kombëtares: Ka ardhur një moment ku unë besoja se kisha dhënë gjithçka dhe nuk kisha më se çfarë t’u jepja lojtarëve. Çdo gjë e ka një fillim, por ky ishte momenti.
Sokol Balla: Cili është bilanci juaj si trajner në sasi dhe cilësi sa i përket futbollit tonë kombëtar?
Gianni De Biasi: Besoj që në këto 52 ndeshje që kam bërë, besoj që ishte një bilanc shumë i mirë. U nisëm nga një situatë e vështirë, edhe sa i përket skuadrës. Kishim shumë pak lojtarë dhe shumë pak lojtarë me përvojë. Na u desh që të bënim një hap dhe të provonim kualifikimin për në Botërorin e Brazilit. Problemi më i madh ishte që të krijonim grupin dhe më pas rezultatet.
Sokol Balla: Çfarë kujtoni nga kontakti i parë për të marrë drejtimin e Kombëtares?
Gianni De Biasi: Kontakti i parë ishte informativ për të mësuar se cili ishte realiteti shqiptarë, nga këndvështrimi sesi jetohej dhe shikohej futbolli, cili ishte zhvillimi i futbollit, sepse flasim për mentalitete të ndryshme nga pikëpamja e punës. Ishte dëshira për të mos hyrë direkt, por me një gradualitet.
Sokol Balla: Kjo ndoshta ishte edhe arsyeja se përse turneu i parë, ai i kualifikueseve për në Brazil 2014 kaloi dhe shumë pa u vënë re. Pati rezultate të mira, por mbajtët një profil të ulët edhe për vetë skuadrën.
Gianni De Biasi: Kemi bërë një pjesë të parë të kualifikimit shumë të bukur. Kemi kaluar një në vend të dytë në grup. Bëmë një fitore shumë të bukur në Norvegji, një ndeshje të bukur këtu me Slloveninë. Më pas erdhën tre humbjet e menjëhershme dhe në barazimin me Norvegjinë këtu ëndrra jonë u zvenit. Megjithatë, nuk ishin kushtet për të shkuar aq larg.
Sokol Balla: Dhe më pas erdhën kualifikueset për në Francë 2016. Çfarë vendosët të ndryshonit? Çfarë shkonte gabim në skuadrën Kombëtare, apo këtu trokitët nëpër dyert e talenteve shqiptare nëpër Europë?
Gianni De Biasi: Ishte një rritje graduale e grupit. U përmirësua cilësia e lojtarëve dhe skuadrës dhe sipas meje edhe fakti që gjetëm dhe miksuan përvojën me lojtarët e rinj, por edhe për të gjetur talente nëpër kampionate të ndryshme nëpër Europë. Kjo ishte pjesa thelbësore dhe nisja shumë e bukur, më 7 shtator me fitoren në Portugali. Ishte një fitore që do të mbetet gjatë në kujtesë, fitore me skuadrën që më pas u shpall kampione Europe. Që pas fitores tonë, Portugalia nuk u mund më deri në fitoren e kupës. Më pas filluam të mendonim se mund të shkonim në finalet e Europianit.
Sokol Balla: Në Europian deri në sekondat e fundit ishte dilema do të kualifikohej apo jo, pas fitores me Rumaninë diskutohej do të kualifikohej Shqipëria apo Portugalia dhe më pas Portugalia përfundoi kampione e Europës.
Gianni De Biasi: Fatkeqësisht për ne, ne kemi luajtur ndeshjet të parët dhe skuadrat që luanin pas nesh e dinin rezultatin që duhet të kërkonin për t’u kualifikuar. E kemi nisur shumë keq kundër Zvicrës. Ishim me 10 lojtarë, por kemi rrezikuar shumë për ta barazuar ndeshjen, kundër Francës deri në ekstrem të ndeshjes ishim 0-0. Kemi dalë me kokën lartë nga ky Europian.
Sokol Balla: Në librin tim “Loja që ndryshoi Shqipërinë” unë ju quaj një nga faktorët që sollën ndryshimin, por çfarë gjetët, çfarë zbuluat ju në futbollin dhe lojtarët shqiptarë që trajnerët para jush nuk e kishin zbuluar apo gjetur?
Gianni De Biasi: Unë besoj që ishte nevoja t’u përcillje lojtarëve një organizim ndryshe ku skuadra vendos dhe vlerëson karakteristikat direkte të lojtarëve. Ky nuk është sekret i madh, por nuk është e thjeshtë për t’ja transmetuar skuadrës dhe jo gjithmonë në aspektin teknik dhe taktik ekuilibri dhe kompaktësia mes lojtarëve.
Sokol Balla: Cila është risia që ju sollët, taktika, mentaliteti, hapja ndaj talenteve, apo të trija bashkë?
Gianni De Biasi: Kam ngulmuar për një përgatitje të madhe në aspektin taktik të ndeshjes, por edhe parapërgatitje. Puna me mentalitetin e skuadrës për të menduar se mund t’ja dalësh në këtë ndeshje.
Sokol Balla: Më kujtohet mesazhi juaj pas barazimit me Danimarkën në Elbasan, ku të gjithë u mërzitën përse barazuam. Më kujtohet mesazhi juaj: “Sokol, këtu askush nuk e kupton se një skuadër si Shqipëria, nuk ka rëndësi të fitojë, ka rëndësi të mos humbasë”.
Gianni De Biasi: Ajo ndeshje ishte thelbësore. Kaluam në avantazh, por ata kishin më shumë cilësi se ne dhe na barazuan. Gjithsesi i lamë pas në rezultat dhe ishte një rezultat shumë i rëndësishëm. E rëndësishme ishte që duhet të luftonim për rezultat dhe për të kërkuar kualifikimin.
Sokol Balla: Këtu, të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe unë, të gjithë jemi kryeministra më të mirë, presidentë më të mirë, trajnerë më të mirë. Nëse do më pyesnin mua për meritën e Gianni De Biasit, unë do të thoja që merita më e madhe është që e vuri Shqipërinë me këmbë në tokë.
Gianni De Biasi: E rëndësishme është që të dish gjithmonë që të ruash gjërat në normalitet tek skuadra. Kjo është një nga aftësitë e Mournihos, që merr të gjitha kritikat vetë dhe e lë skuadrën të qetë dhe të lirë nga kritikat. Ky ishte edhe debati që unë bëja. Trajneri duhet të dijë se çfarë i ngarkohet, duhet të mbajë presionin dhe problematikat dhe duhet t’u transmetojë lojtarëve cilësitë që kanë për të mundur këdo.
Sokol Balla: Një nga gjërat na ka bërë përshtypje, është fakti që gjatë fazës eliminatore, Kombëtarja pothuajse nuk po humbiste më dhe befas mbërrijnë dy humbje rresht, ajo me Serbinë dhe ajo me Portugalinë. Dramatike!
Gianni De Biasi: Ishte periudha më e vështirë për mua. Të kesh një kualifikim të pastër, pa humbje dhe të vish tek dy ndeshjet më të rëndësishme në fushën tende dhe të humbasësh, me Portugalinë në kohën shtesë dhe me Serbinë, që në vend që të mendonim të mos pësonim gol, menduam fitoren. Edhe unë e doja fitoren, por mes fitores dhe humbjes duhet të mendojmë se kë kundërshtar kemi përballë. Barazimi ishte shumë i rëndësishëm për ne. U hodhëm të gjithë në sulm dhe pësuam golin e parë, të gjithë në sulm dhe pësuam golin e dytë. Kështu shkuam në ndeshjen e fundit në Armeni, që nuk ishte aspak e lehtë.
Sokol Balla: Para se të shkojmë tek ndeshja me Armeninë, i rikthehemi ndeshjes me Serbinë në Beograd. Besoj se në atë ndeshje duhet të jeni ndeshur me realitetin e Ballkanit dhe skuadrës që drejtonit, apo jo?
Gianni De Biasi: Kur kemi mbërritur në aeroport ishte diçka e çmendur. Kemi mbërritur në një vend ku ishte një klimë dhe tension i çmendur. Ishte diçka e tepruar, por e kuptova një ditë më vonë se përse ishin marrë këto masa.
Sokol Balla: Cili ishte motivi sipas jush? Terror psikologjik ndaj skuadrës?
Gianni De Biasi: Ishte përpjekja e tyre për të mbajtur gjendjen nën kontroll sepse ishte frika për sulme nga grupe të ndryshme. Nga ajo pikë jemi mbrojtur shumë mirë. Ajo që ishte jashtë kontrollit, ishte ajo që ndodhi brenda fushës. Ishte diçka absurde. Kemi luajtur në një klimë tërësisht të vështirë. Ishe aty dhe e kupton shumë mirë se çfarë kemi kaluar. Edhe pas shumë vitesh do ta kujtojmë se çfarë kemi kaluar. UEFA nuk duhet të vendoste dy skuadrat në të njëjtin grup.
Sokol Balla: Si një ish-lojtar i njohur i Serisë A, që keni drejtuar klube në kushte të vështira, patët në ato orë të tmerrshme në Beograd një pendesë që ndoshta nuk do të donit të kishit qenë trajner i Shqipërisë në ato momente?
Gianni De Biasi: Absolutisht jo! Unë besoj që përshtatem shumë mirë sepse kam përjetuar situata të tilla në fushë në Itali, por atë natë e vetmja gjë që më bezdisi ishte që kisha frikën se mund të futeshin tifozët në fushë. Ishte diçka shumë e frikshme. Në çdo moment mund të pritej çdo gjë. Gjëja që më shqetësonte ishte se ishim të mbrojtur në çdo moment në mënyrë të ekzagjeruar nga policia, por që ndoshta e kuptova më vonë që ishte shumë e mirë.
Sokol Balla: Vazhdojmë me atë fitoren kundër Armenisë. E shkëlqyer, por deri diku edhe e papritur, e pabesueshme. Kujt ja kushtoni fitoren, vetes, ekipit, federatës? Ishte një rezultat i shumëpritur, por i papritur për ne.
Gianni De Biasi: Jam shumë bujar! Ua kushtoj të gjithëve atë sukses! Bijës time, bashkëshortes time, tifozëve dhe të gjithëve që më duan të mirën. Tifozëve që kanë vuajtur dhe kanë qenë në rrugëtimin e kualifikimit tonë. Ishte fitorja e gjithë Shqipërisë, e gjithë Shqipërisë, e gjithë shqiptarisë, në Kosovë, Maqedoni dhe më tej. Ishte një fitore e dyluftuar që jep shembull që nëse impenjohesh mund të arrihen objektiva të tilla.
Sokol Balla: Përse ishit kaq i sigurt që ne do të kualifikoheshim nga fillimi? Keni qenë optimist që nga fillimi.
Gianni De Biasi: Kujtoj shumë mirë datën. 29 shkurt 2012, ndeshja e parë miqësore në Gjeorgji. U kisha drejtuar lojtarëve një letër, ku u thashë që nëse kishin forcën për të besuar dhe për të më ndjekur natyrisht që do të ishin të parët që do të shkruanin faqet e historisë së futbollit shqiptar. Besoj që është shumë e rëndësishme të punosh me anën psikologjike të lojtarëve, sepse brenda vetes, nëse mendon që e ke të pamundur për t’ja arritur, atëherë nuk ja arrin. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme të punosh me pjesën psikologjike të lojtarëve.
Sokol Balla: Cili është pengu më i madh që keni nga Europiani i Francës?
Gianni De Biasi: Më vjen shumë keq që humba ndaj Zvicrës në ndeshjen debutuese. Ndeshje shumë e ndjerë nga ne. Një ndeshje shumë e veçantë, shumë e çuditshme. Ishin në fushë dy vëllezërit Xhaka dhe me shumë lojtarë të tjerë me origjinë shqiptare kundërshtarë. Megjithatë, me atë që u pa në fushë, fakti që kemi luajtur thuajse një orë me 10 lojtarë, si dhe rasti i Sadikut dhe i Gashit mund të kishim administruar më mirë lojën, sidomos rasti i Gashit, që ishte një rast i pabesueshëm. Ishte ajo pjesë që na ktheu në shtëpi. Por, skuadra filloi të ndjente dhe duhet të rrinte në atë turne. Ishte pjesa e parë shumë produktive e skuadrës tonë.
Sokol Balla: Ajo ka qenë ndeshja kur filloi edhe çarja e madhe me Taulant Xhakën?
Gianni De Biasi: Absolutisht jo! Unë them shpesh diçka, që unë nuk kam patur asnjëherë problem me asnjë lojtar. Problemi është që trajneri bën një detyrë të tillë, jo fort komode dhe kërkon të përcjellë dhe të mbajë në gjendje të mirë 23 lojtarë. 11 vetë luajnë, të tjerët duhet të ulen në pankinë. Nëse dikush mendon se e kam personale, atëherë ka probleme me veten e tij. Duhet një skuadër e bashkuar, duhet të jetë e tillë. Nëse dikush mendon se është më i mirë se të tjerët, këtë duhet ta tregojë në fushë. Unë edhe mund të gaboj tek zgjedhjet e mia, por zgjedhjet e mia duhet të respektohen dhe të pranohen. Natyrisht, edhe ata që hyjnë si zëvendësues janë të kënaqur dhe ai që del nuk është i kënaqur. Nuk mund të kemi dy sjellje, tjetër ku luajmë dhe tjetër kur nuk luajmë. Të gjithë janë lojtarë që duan të ndihmojnë skuadër.
Sokol Balla: Nga ajo ndeshje, në mos gaboj në dy ndeshjet e tjera Xhaka ka hyrë si zëvendësues, edhe me Francën edhe me Rumaninë dhe më pas minutat e tij me Kombëtaren ranë derisa erdhi ajo çarja e madhe. Duket se aty e pati origjinën ftohja e madhe me të. Ai është një lojtar shumë i mirë dhe kjo nuk mund të diskutohet, apo jo?
Gianni De Biasi: Lojtar i mirë! Si shumë lojtarë të tjerë që bëjnë pjesë në Kombëtaren tonë. Pas ndeshjes me Zvicrën ai luajti pak me Francën dhe nuk luajti kundër Rumanisë si titullar. Më pas, nuk luajti titullar me Maqedoninë, Lihtenshtejnin. Me këtë të fundit ishte zgjedhje teknike se pas tre ditësh kishim ndeshje me Spanjën dhe e lashë jashtë që të luante titullar me Spanjën. Në ndeshjen kundër Italisë, kundër Izraelit në Elbasan, kundër Italisë nuk mendova ta hidhja si titullar sepse kemi disa instrumente që quhen GPS dhe sa i përket çështjes fizike, kishte një kondicion fizik më inferior se të tjerët. Kjo ka qenë arsyeja.
Sokol Balla: Si e pritet deklarimin e tij publik për të refuzuar për të luajtur me Kombëtaren për sa kohë ju ishit trajner?
Gianni De Biasi: Mua nuk më intereson fare. Është problem për atë. Tani i ka shkuar mirë që unë u largova, sepse edhe në katër ndeshjet e mbetura ai nuk do të luante. Sipas meje, nëse ai nuk do t’u kërkonte falje të gjithë lojtarëve dhe të gjithë tifozëve, ai nuk do të kthehej. Ai është një lojtar si gjithë të tjerët. Shqipëria do të vazhdojë të luajë dhe të fitojë edhe për Xhakën. Futbolli ecën përpara. Futbolli mbahet mbi ekuilibrat e grupit dhe nuk besoj se ai për zgjedhjen që bëri ka lënë shije të mirë tek lojtarët e tjerë.
Sokol Balla: Mënyra sesi flisni tregon që keni qenë autoritar në dhomat e zhveshjes dhe dikush mund të pyesë a ka sakrifikuar ndonjëherë Gianni De Biasi cilësinë në emër të grupit, të kompaktitetit?
Gianni De Biasi: Unë e adhuroj cilësinë. Adhuroj lojtarë si Messi, Ronaldo, Modriç, por nuk i kemi sepse do t’i hidhja në fushë që të gjithë. Përpiqem t’u them lojtarëve që nuk i kanë cilësi të tilla dhe nëse nuk vrapojnë, të jenë pjesë e një grupi, loje të organizuar nuk mund të shkojnë në asnjë vend. Duhet të mendojmë dhe kërkojmë të jemi të orgnizuar në mënyrë që të bëjmë më të mirën e mundshme për skuadrën.
Sokol Balla: Flitet gjithmonë që trajnerët kanë një lojtar të tyre. Cili ka qenë lojtari i trajnerit Gianni De Biasi? Sa herë që pyesja gazetarët e mi, mua më thoshin Kukeli.
Gianni De Biasi: Është e vërtetë! Kukeli është një nga ata. Bulku ishte më përpara. Ishte një trajner në fushë kur ishte lojtarë. Ka edhe shumë të tjerë, Memushaj është një tjetër. Për mua është e rëndësishme që lojtarët të japin më të mirën për të ndihmuar shokët. Unë mendoj që na ka munguar diçka nga pjesa e personalitetit në fushë, ashtu siç ishte pjesa e Lorikut, karizmatik në fushë. Kemi humbur shumë me mungesën e tij nga kjo pikëpamje. Personalitetin nuk mund të blesh, një e ka një jo.
Sokol Balla: Keni qenë një gjahtar i vërtetë i talenteve shqiptare dhe keni bërë akrobaci nga më të mëdhatë për të tërhequr lojtarë që kishin origjinë shqiptare. Ka ndonjë lojtarë me origjinë shqiptare që ju ka mbetur peng që nuk arriti të vishte fanelën kuqezi, si Januzaj?
Gianni De Biasi: Ky rast ka qenë rasti më i bujshëm dhe i çuditshëm. Ka edhe një rast tjetër. Lojtari që ka luajtur tek Vilareali, Musacchio që tani kaloi tek Milani me origjinë arbëreshe. E kam kontaktuar për eliminatoret për Europian, më pas e rikontaktova para ndeshjes me Spanjën duke qenë se ka luajtur me Vilarealin, nëse do të luash kundër Spanjës dhe ai më tha që kam vendosur të luaj për Argjentinën. Ishte një zgjedhje e tij, zgjedhje e lirë. Unë provova, sepse do të ishte një lojtar shumë i rëndësishëm për Kombëtaren tonë. Nuk erdhi dhe në vazhdojmë përpara.
Sokol Balla: Fakti që Kosova ka përfaqësuesen e saj, u pa fillimisht si magnet që mund të tërhiqte lojtarë dhe ikën lojtarë cilësorë si Rashica dhe Berisha që veshën fanelën e Kosovës. Mendoni që ka kaluar ky “rrezik” për Kombëtaren kuqezi?
Gianni De Biasi: Unë mendoj që lojtarët që ishin në Europian nuk do të ndryshojnë me fanelë. Probleme do të ketë për të ardhmen për ata që duhet të zgjedhin, sepse më përpara ishte më thjeshtë duke qenë se Kosova nuk ishte anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s. Ishte më e thjeshtë edhe për ne për t’i marrë. Besoj se kemi mundësinë për të punuar në të njëjtën mënyrë sepse ka shumë futbollistë shqiptarë që janë duke u rritur. Sa u takon lojtarëve këtu brenda, duhet vazhduar të punohet me akademitë.
Sokol Balla: Ju e keni bërë më së miri rolin tuaj si përzgjedhës. Ju keni zgjedhur lojtarët më të mirë dhe lojtarët që u përshtaten më mirë skemave të futbollit shqiptar, që është modest. Por, sa mund të ecë ky futboll kombëtar nëse nuk bazohet tek kampionati vendas, që vazhdon të ketë kontribute modeste për Kombëtaren?
Gianni De Biasi: Që nga koha që kam ardhur në Shqipëri, pesë vite e gjysmë më parë, mund të them që kampionati shqiptar është rritur në nivelin e tij. Skënderbeu shkoi deri tek grupet e Europa League. Mendoj se Kombëtarja duhet të gjejë hapësirat e saj për kampionatin shqiptar, por edhe kampionati duhet të prodhojë diçka më shumë. Është një proces që kërkon kohën e vet. Unë besoj që nëse vazhdohet të punohet me seriozitet, mendoj se gjehet rruga drejt Kombëtares.
Sokol Balla: Ju përmendet Skënderbeun, por edhe ai sukses i Skënderbeut u njollos nga dënimi që iu dha, qoftë nga UEFA, ashtu edhe nga Komisioni i Disiplinës duke i hequr titullin kampion vitin që akuzohet se ka shitur ndeshjet. Sa i kërcënuar është futbolli nga bastet dhe a është kërcënim real për futbollin kombëtar shqiptar?
Gianni De Biasi: Unë mendoj që për sa kohë legalizohen bastet dhe bëhen pjesë sponsorizuese, unë mendoj që ka tendecë për një rrezikshmëri shumë të madhe me një diferencë të ngushtë mes të bërit gjërat mirë dhe jo shumë të qarta. Unë mendoj që Skënderbeu është një shoqëri shumë serioze që ka bërë një gjë shumë të mirë në futbollin shqiptar dhe që gjeti hapësira të konsiderueshme në futbollin ndërkombëtar, por që më pas u shpall me faj për situata aspak të pëlqyeshme dhe që hapin rrugë për hamendësime të ndryshme.
Sokol Balla: Keni patur presioni apo oferta për të marketuar lojtarë që nuk ja vlejnë?
Gianni De Biasi: Absolutisht jo! E kam thënë në më shumë se një intervistë. Kam patur hapësirë të lirë për të bërë punën time në gjithçka. Skuadra jonë nuk është deklaruar dhe nuk është përmendur asnjëherë në debate të tilla.
Sokol Balla: T’i rikthehemi situatës aktuale. Përse në këto kualifikuese për botërorin rus, skuadra jonë nuk shkëlqeu? Ishte sindroma e europianit, ishte njëfarë lodhje, ngopje? Çfarë ndodhi?
Gianni De Biasi: Unë besoj mbi të gjitha që europiani ishte maksimalja për ne. Në fund të europianit isha në një dilemë për të vazhduar apo për t’u kthyer në shtëpinë time. Por, mendova që kjo skuadër kishte akoma mundësi që të rritej dhe pavarësisht vështirësive. Është e vërtetë që në ndeshjen kundër Maqedonisë, nëse gjërat nuk do të shkonin ashtu siç shkuan, rrezikonim të humbisnim ose të dilte barazim, sepse shkuam në avantazh dhe nuk mbyllëm ndeshjen. Për fatin e mirë u pezullua ndeshja dhe e fituam ditën tjetër. Mund të fitonim më me lehtësi kundër Maqedonisë. Me Italinë dhe Spanjën, gabimet tona thelluan avantazhin e tyre. Problemi ishte humbja me Izraelin në shtëpi. Një humbje e çuditshme dhe me shumë episode. Jam shumë i kënaqur që fitova po 0-3 në Izrael sepse e kisha lakun në fyt dhe ua kisha thënë lojtarëve këtë. Shpresoja të fitonim 4-0. Por jam shumë i kënaqur që për momentin jemi në vendin e tretë pas Italisë dhe Spanjës. Më shumë kjo skuadër nuk mund të bënte. Është e vërtetë që në momente të veçanta nuk kemi qenë të vendosur si skuadër.
Sokol Balla: Çfarë kujtoni më shumë nga ndeshja në Palermo, humbjen apo sjelljen e tifozëve?
Gianni De Biasi: Humbja nuk më pëlqen asnjëherë! Kundër Italisë edhe mund të humbasësh, por ajo që më jep bezdi është goli i parë, ajo penallti e çuditshme dhe që nuk bëmë gol që në minutën e parë. Mund të kishim shfrytëzuar shumë më mirë atë mundësi. Jemi një skuadër që duhet të jetojmë me këto episode. Duhet të qëndrojmë 100 përqind, por kjo nuk është e thjeshtë. Ajo që më solli bezdi dhe u mërzita ishte momenti që prishi ekuilibrat, ishin tifozët. Festa që pashë në Xhenoa nuk ndodhi në Palermo. E di që tifozët shqiptarë, shumë janë tifozë me Italinë dhe shumë punojnë e jetojnë atje, ajo situatë nuk më pëlqeu aspak, së pari sepse luaja në shtëpinë time, por edhe sepse imazhi i ne shqiptarëve, them ne shqiptarëve sepse një pjesë e mirë e zemrës time mbetet këtu, do të jem gjithmonë mik i shqiptarëve dhe i çdokujt që më ndihmoi dhe jo. U jam mirënjohës të gjithëve.
Sokol Balla: Unë isha edhe në Beograd edhe në Palermo dhe në momentin e himnit shqiptar, në Palermo të gjithë tifozët italianë duartrokitën. Ishte një spektakël i kundërt me atë të Beogradit. Megjithatë, duket se ka një raport të vështirë me grupet e tifozerive të organizuara, përse Kombëtarja apo Federata ka këtë lloj raporti kur futbolli shqiptar vazhdon të jetë në ditët më të mirë?
Gianni De Biasi: Nuk e di! Nuk kam patur mundësi të futem në situata të tilla. Kam patur raporte të mira me tifozët. Ai aspekti i Italisë dhe dikush më shpjegoi se ishte formë proteste sepse në ndeshjen kundër Izraelit në Elbasan ishin trajtuar në mënyrë të çuditshme, megjithatë, në Itali duhet të ishim sjellë krejtësisht ndryshe. Këtu në Shqipëri kam gjetur njerëz që mund të dalin me kokën lartë, jam ndjerë shumë mirë. Vetëm për atë episod kam shije të hidhur, ndërsa për pjesën tjetër, tifozeria na ka dhënë gjithmonë një dorë shumë të mirë dhe ka qenë lojtari ynë i 12 në fushë.
Sokol Balla: Ju vendosët të largoheshit pas fitores me Izraelin dhe thatë që kjo skuadër kaq mund të japë, pra deri këtu mund të arrijë. A është pak egoiste kjo? Nuk duhet të qëndronit deri në fund dhe të na kishit garantuar vendin e tretë?
Gianni De Biasi: Unë e shoh në një tjetër kendvështrim. Mendoj se bëra një akt bujarie dhe përgjegjshmëria për Federatën dhe tifozët. Kisha mbërritur në një pikë pas humbjes me Luksemburgun dhe vendosa që duhej të ikja. Ishte një ndeshje që duhet ta fitonim të paktën 4-0 dhe jo ta humbisnim 2-1. Aty kam “masakruar” lojtarët dhe kanë kaluar një javë të tmerrshme dhe kjo u pa në fitoren me Izraelin. E kisha vendosur para ndeshjes me Izraelin dhe mendova që nëse vjen një trajner tjetër lojtarët do të kishin arsye të reja për t’u bashkuar më shumë. Megjithatë, është e njëjta dritare. Unë them të njëjtat gjëra, të punosh psikologjikish me lojtarët. Për këtë i dhashë mundësinë trajnerit të ri që me ndeshjet e mbetura në shtator dhe tetor, federatës që të sjellë një trajner të ri që të njohë lojtarët dhe të planifikojë eliminatoret e ardhshme, sepse unë mendoj që Shqipëria duhet të shkojë në finalet e europianit 2020 dhe nëse projekti nis që tani, mund të shkojë.
Sokol Balla: Megjithatë, ju thatë që do të rrinit deri në fund dhe befas të nesërmen vendosët për të ikur menjëherë. Çfarë ndodhi në ato 24 orë?
Gianni De Biasi: Nuk kisha folur ende me Presidentin e Federatës. Fola me të dhe vendosëm të bënim bashkarisht konferencën e shtypit dhe me një pyetje precize që m’u bë, unë thashë që në fund të këtyre eleminatoreve do të rinovosh, unë thashë jo. Dhe po atë ditë në ndeshjen me Izraelin unë thashë të njëjtën gjë, jo sepse nuk mund të thoja sepse më duhej të flisja fillimisht me Presidentin dhe Presidenti ishte në dijeni të këtij vendimi tim.
Sokol Balla: Ka shumë zëra dhe thashetheme për raportin tuaj me Presidentin Duka. Thuhet që keni patur përplasje të forta në momente të caktuara, është e vërtetë?
Gianni De Biasi: Me Presidentin?! Asnjëherë! Përkundrazi, ka disa gjëra të shkruara dhe ai më ka dhënë mbështetjen e tij dhe kënaqësinë për të vazhduar punën bashkë. Kemi patur marrëdhënie të shkëlqyera. Natyrisht, kur humbasim ndeshje ai nuk është i lumtur, por as unë. Gjëja që më ka pëlqyer gjithmonë është fakti që Presidenti Duka nuk më ka kërkuar kurrë asgjë, nuk më ka pyetur kurrë për asnjë lojtarë se kë marr, kë fus në fushë, kush do të grumbullohet. Ky ishte një aspekt që jam ndjerë shumë komod dhe shumë imun dhe për këtë e falenderoj Presidentin.
Sokol Balla: Megjithatë, ju thatë që Federata nuk pati vullnetin për të rinovuar kontratën. A pati diçka që ndikoi në vendimin tuaj?
Gianni De Biasi: Unë thashë vetëm këtë, që nëse Federata do të kërkonte rinovimin me mua, s’mund të priste katër ndeshjet e fundit. Megjithatë, ky është një diskutim që e bëra për të përgatitur terrenin e një dite më vonë që do të thoja gjëra që unë i dija. Thashë që nëse federata do të dëshironte të vazhdonte më mua, do të më kish thënë më parë ku dhashë edhe shembullin e Gjermanisë. Unë besoj që ka patur një keqkuptim për këtë, por nga pikëpamja e raporteve me Presidentin kanë qenë raporte shumë të mira dhe e ritheksoj këtë. Unë jam gjithmonë në krah të Presidentit Duka, me të cilin ndjej raporte të shkëlqyera dhe nëse ai ka nevojë për këshillë nga mua, unë jam i gatshëm t’ja jap dhe shpresoj që në nivelin e biznesit, ai duhet të më japë mua ndonjë këshillë.
Sokol Balla: Nëse do ju pyeste zoti Duka se cilin emër do të donit që t’ju pasonte, ka patur shumë emra që kanë qarkulluar, që nga Tramezzani, Roberto Carlos, Valter Zenga është vetëofruar….
Gianni De Biasi: Unë besoj që Presidenti Duka në gjithë këto vite ka gjetur mënyrën për të gjetur trajner. Së fundmi, gjeti njërin që bëri diçka. Unë mendoj që Presidenti i ka aftësitë për të njohur shumë mirë njerëzit. Më kujtohet takimi i parë në 2011 në Milano dhe më kujtohet mënyra sesi e shtruam bisedën me të. Presidenti Duka është një biznesmen i jashtëzakonshëm. Nuk e bën kurrë hapin e parë pa e hedhur ti. Unë mendoj që ai ka përvojën dhe personalitetin për të gjetur një trajner të mirë për Shqipërinë.
Sokol Balla: Vini nga një punë e lodhshme me Shqipërinë me një futboll modest që e çuat në majën e futbolit europian. Me siguri doni të pushoni, por fakt është që tashmë jeni çliruar nga kontrata me Federatën Shqiptare në kulm të merkatos së verës. Keni ndonjë tundim? Ndonjë ofertë? Do vazhdoni me ndonjë Kombëtare apo klub? Çfarë do të bëni tani?
Gianni De Biasi: Le të themi që nga momenti që jam dorëhequr, të gjithë situatat e merkatos kanë qenë të mbyllura për Italinë, Spanjën, Anglinë. Kam dhënë dorëheqjen në një moment kur nuk kishte shumë lëvizje. Megjithatë, nga shtatori dhe tetori nisin ndryshimet, ndonjë klub apo federatë.
Sokol Balla: Arabia është përmendur.
Gianni De Biasi: Po është e vërtetë më kanë bërë një ofertë dhe shumë e mirë në aspektin ekonomik. Do të doja të kisha një opsion tjetër për të qenë i sinqertë. Megjithatë, edhe nëse pushoj do të jem shumë i kënaqur sepse kam shumë nevojë.
Sokol Balla: Çfarë mbani mend nga këto gjashtë vite në Shqipëri? Diçka që ju ka befasuar.
Gianni De Biasi: Unë jam një elefant, kujtoj gjithçka! Kujtoj ditën e parë që kam ardhur këtu, shumë situata të bukura dhe të këqija, situata të vështira. Ajo që kujtoj është fakti që këto 5 vite ikën menjëherë. Unë kam ardhur këtu pesë vite e gjysmë më parë dhe vendosa unë që ta mbyll sepse mendova që u mbyll rrugëtimi dhe dua ta lë duke ruajtur një kujtim shumë të bukur. Shpresa ime mbetet që kjo është tokë e jashtëzakonshme dhe në një të nesërme mund të na kryqëzojë sërish rrugët.
Sokol Balla: Ju shpresoni në një rikthim?
Gianni De Biasi: Ta them tani…megjithatë kurrë mos thuaj kurrë në jetë. Nuk kam bërë në karrierën time gjëra të këtij niveli në jetë. Edhe pse tek Modena më thonë të gjithë kthehu, megjithatë kam kohë që kam ikur dhe nuk u ktheva kurrë. Mua më lidh shumë ky vend dhe e quaj vendin tonë.
Sokol Balla: Çfarë do t’u mungojë më pak nga Shqipëria përveç Dritan Shakohoxhës?
Gianni De Biasi: Mikpritja e njerëzve, gatishmëria për të më ndihmuar, klima “naive”, por shumë e bukur, do të më mungojë kuzhina shqiptare, do të më mungojë rinia këtu dhe gjithë kjo gjallëri, një realitet shumë i bukur nga i cili jam ndjerë shumë mirë.
Sokol Balla: Momenti që ne nuk do të harrojmë ishte ndeshja me Zvicrën me të cilën ju pamë të përqafoheshit me Tramezzanin dhe të këndonit himnin shqiptar. Ishte një gjë e mrekullueshme.
Gianni De Biasi: Ishte ndeshja e parë dhe ishim shumë të karikuar. Donim të merrnim rezultat edhe pse Zvicra ka një skuadër më të mirë. Edhe pse rezultati nuk erdhi, dëshira për ta mundur ishte.
Sokol Balla: Pasaportën shqiptare e keni me vete?
Gianni De Biasi: Gjithmonë!
Sokol Balla: Është pasaporta që morët pas kthimit nga europiani.
Gianni De Biasi: Është pasaporta diplomatike që falë Kryeministrit Rama na e dha mua dhe ekipit dhe ishte një akt shumë i mirë dhe të bën të ndjehesh një akt shumë i mirë. Edhe pse më përpara kisha pasaportën normale.
/ Top Channel