Sanksionet ruse ndaj mallrave ushqimore të katër vendeve të vogla evropiane janë përgjigjia ruse për mbështetjen nga këto vende të sansksioneve perëndimore kundër Rusisë.
Katër vende të tjera janë shtuar në listën e vendeve, prej të cilave Rusia do të ndërpresë importin e shumicës së mallrave ushqimore. Ato janë Shqipëria, Mali i Zi, Lihtenshtajni dhe Islanda. Kryeministri i Rusisë, Dmitri Medvedjev e shpalli sot këtë hap në kuadër të përgjigjes ruse ndaj sanksioneve ekonomike perëndimore kundër Rusisë, për shkak të krizës së Ukrainës. Vendet që pasuruan sot listën e ndalim-importit të Rusisë janë të katra vende shumë të vogla. Po sidomos Shqipëria dhe Mali i Zi janë dalluar për një mbështetje të zëshme të sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë. Shqipëria ka marrë në këtë kuadër disa herë vlerësime nga partnerët perëndimorë, për respektimin e vijës së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Qendrimi i qartë properëndimor i Malit të Zi në mbështetje të sanksioneve ndaj Rusisë erdhi i papritur për disa vëzhgues. Po analistët e shpjeguan atë jo vetëm me interesa të përgjithshme gjeostrategjike të ish-Republikës së vogël jugosllave. Një anëtarësim në NATO ishte shpërblimi konkret që dukej se shpresonte Podgorica nga Organizata e Atlantikut Verior, sidomos në samitin e kaluar të NATO-s. Shpresa për momentin ka mbetur e parealizuar, por Mali i Zi po paguan një çmim të ndieshëm për politikën e tij antiruse.
Në një kohë që dëmi në ekonominë e Shqipërisë nga ndalimi i eksportimit të mallrave në Rusi mendohet i vogël, në Mal të Zi është shënuar edhe një rënie e numrit të turistëve nga Rusia. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung njoftoi të hënën (10.08.) se kjo rënie e godet ekonominë e Malit e Zi, një e treta e turistëve të të cilit tradicionalisht janë nga Rusia. Çmimet e dhomave në hotele kanë rënë si pasojë e pakësimit të turistëve nga Rusia, zakonisht të gatshëm për të paguar çmimet më të larta ndër evropianët. Kremlini u ka bërë thirrje pushuesve rusë që t’i kalojnë më mirë në shtëpi pushimet.
Moska duket e vendosur për ta zbatuar me rreptësi embargon ruse ndaj mallrave ushqimore perëndimore. Presidenti Putin urdhëroi së fundi asgjësimin e mallrave ushqimore perëndimore, të futura kontrabandë në Rusi nga vende të treta, midis tyre nga Bjellorusia, dhe të konfiskuara në Rusi. Kryeministri rus Medvedjev informoi sot se vendi i tij do të ndalojë më 2016-ën gjithashtu importin e disa mallrave ushqimore nga Ukraina, nëse Marrëveshja Ekonomike midis Kievit dhe BE do të hyjë në fuqi. Në Rusi, qeveritarët rusë e shpjegojnë embargon ruse jo vetëm si shpagim ndaj sanksioneve perëndimore, por edhe si shans që ekonomia ruse të marrë impulse të brendshme zhvillimi. (dw)