Presidenti Obama tha sot në takimin e lartë kundër ekstremizmit të dhunshëm që po zhvillohet në Nju Jork se fitorja nga grupit ISIS nuk mund të jetë vetëm ushtarake.
Përpjekjet ushtarake duhet të shoqërohen me përparim ekonomik dhe politik, për të eliminuar radikalizimin dhe ekstremizmin. Kjo, theksoi presidenti Obama, nënkupton të fitohet ndaj ideologjisë së grupit Shtetit Islamik.
Në takimin e Nju Jorkut marrin pjesë përfaqësues të mbi 100 vendeve.
Grupi ISIS, tha presidenti po shfrytëzon kaosin dhe boshllëqet e krijuara në vende me qeveri të dështuara ose ato të përfshira në konflikte. Dy vendet që ISIS kontrollon territore janë Iraku dhe Siria. Hyrja e Turqisë në luftë, tha presidenti, e ka izoluar grupin ISIS duke mos lejuar ardhjen e luftëtarëve të huaj nga kufiri turk.
Në Siri, tha Presidenti fitorja ndaj grupit ISIS kërkon zëvendësimin e presidentit Bashar al-Sadat. Presidenti tha se ai ështi i gatshëm të punojë me Rusinë dhe Iranin për të gjetur një formulë zgjidhjeje për Sirinë. Të dyja këto vende janë aleate të presidentit Asad dhe nuk janë dakort që ai të largohet.
Lufta kundër grupit ISIS tha presidenti është një sfidë të madhe, pasi nuk është thjesht një fushatë ushtarake. Në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriuoire, tha ai, po ndodhin ndryshime radikale dhe probleme të grumbulluara prej dhjetra vitesh që po manifestojnë veten në formën e grupit ISIS.
Në takim e mori fjalën edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara në çdo betejë luftarake kundër ekstremizmit të dhunshëm. Por zoti Rama tha se kjo betejë kërkon më tepër se thjesht luftë me armë.
“Për të mundur ideologjinë, duhet të fitojmë betejën për mendjet dhe zemrat e brezit të ardhshëm, sepse vetëm fuqia e ëndrrave të tyre realizon ndryshimin e realitetit”.
“Ne në Shqipëri, do të prezantojmë në ditët e ardhshme reforma për të garantuar që çdo fëmijë edukohet me një qëndrim mendje-hapur ndaj besimeve, kulturave dhe të kaluarave të ndryshme”.
“Ne kemi nevojë për koalicionin e ushtrive, por kemi nevojë edhe për koalicionin e ndjenjave; ne kemi nevojë për komunitete që nuk ofendohen nga besimi i të tjerëve”.
Kryeministri Rama bëri thirrje për miratimin nga Kombet e Bashkuara të një karte mbi vlerat e përbashkëta, të shoqëruar me masat e nevojshme që dëshmon angazhimin më të sinqertë për ta bërë botën një vend ku respektohen bindjet e tjetrit, një botë më të barabartë dhe të qëndrueshme. (voa)