Në Shqipëri, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro preventive ndaj aksioneve në Bankën “Credins” të bashkëshortes së deputetit Alfred Peza. Vendimi vjen si pasojë e hetimeve që nisën ndaj deputetit socialist dhe bashkëshortes së tij Mirela Ndini, pas publikimit në media se në mars të vitit 2015 zonja Ndini kishte blerë 1 përqind të aksioneve të “Credins”, me një vlerë prej 113 milion lekë. Sipas prokurorisë, “në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, pavarësisht se aksionet në Bankë janë blerë nga shtetasja Mirela Ndini, vlera financiare është realizuar në bazë të kontributit financiar të të dy bashkëshortëve”.
Publikisht deputeti Peza ka sqaruar më herët se pasuria prej 113 milion lekësh me të cilat bleu aksionet në një bankë private, është vënë nga kursimet. Zoti Peza, u zgjodh deputet, si përfaqësues i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2013, pas një karriere të gjatë në median e shkruar dhe televizive, ku ka mbajtur për shumë vite, pozicione drejtuese, për të cilat siç ka deklaruar ai vetë, është shpërblyer me paga mujore shumë të larta, prej disa milionë lekësh.
Pos sipas prokurorisë, “nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është në vlerën e rreth 135 milionë lekëve të reja. Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura”, saktëson prokuroria.
Deputeti Peza dhe Ndini po hetohen në bazë të ligjit antimafia, për të paktën tre vepra penale, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrimi të produkteve të veprës penale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.
Deputeti Peza reagoi sot pasdite duke saktësuar se ai nuk po hetohet për periudhën si deputet, gjatë së cilës, pasuria e tij, siç theksoi, nuk është shtuar, por për aktivitetin e tij si gazetar, ndwrsa shtoi se “referuar akuzës, konfirmoj se Prokuroria deri tani nuk ka paraqitur asnjë provë për pretendimet e saj. Nuk ka treguar se çfarë vepre penale kam kryer dhe paratë e kujt vepre penale unë kam pastruar. Nuk ka treguar se për cilën pasuri unë nuk kam paguar taksat dhe më shumë akoma, nuk ka treguar veprimet sipas të cilave unë paskam refuzuar deklarimin e të ardhurave. Ju takon atyre të provojnë se për çfarë më akuzojnë”. Ai shtoi se në përllogaritjet e saj Prokuroria nuk ka përfshirë tetë vite punë, nw periudhën 1999-2006. Sipas tij, “konkluzionet e ekspertëve janë fryt i një punë tejet sipërfaqësore, të pambështetur në hulumtime profesionale të domosdoshme për akte të tilla, që kërkojnë qëmtimin e çdo të dhëne ndihmëse për zbardhjen e të vërtetës” duke shtuar se “me koshiencë, në përfundimet e Prokurorisë janë lënë jashtë fakte dhe prova të njohura”. (voa)