Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se Gjykata kishte pranuar kërkesën e saj për vënien nën sekuestro të një tjetër sipërfaqeje toke në bregdetin e Dhërmiut, mbi të cilën ish deputeti socialist Artan Gaçi, bashkëshort i ish ministres së Jashtme, Olta Xhaçka po ndërton një kompleks turistik.
Bëhet fjalë për 5080 metra katrorë, në pronësi të shtetit, të cilat, Prokuroria e Posaçme, zbuloi se ishin tjetërsuar me dokumenta të falsifikuara, përpara se të bliheshin nga shoqëria e zotit Gaçi, siç kishte ndodhur dhe me një tjetër sipërfaqe prej 5512 metrash katrorë, e vënë nën sekuestro në muajin tetor.
Të dy këto raste çuan dy javë më parë në arrestimin e kryebashkiakut në detyrë të Himarës Jorgo Goro, vënien në arrest shtëpie të dy zyrtarëve të Kadastrës së Vlorës, ndërkohë që mbetën pa u ekzekutuar dy urdhëra të tjerë arresti, për Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të tokës, në Bashkinë Himarë Jerasimo Bashi, dhe për Stavri Mëhillin, trashëgimtar i pretenduar i njërës nga sipërfaqet e cila dyshohet të jetë përfituar përmes falsifikimeve. Si Bashi ashtu dhe Mëhilli, nuk janë gjendur ende.
Kërkesa e Prokurorisë për sekuestron e dytë është paraqitur përpara arrestimit të zotit Goro, ndërsa vendimi i Gjykatës është marrë që në datë 28 mars. Njoftimi i sotëm, shpjegon se ish kryebashkiaku i Himarës, Goro, dhe personat e tjerë të përfshirë në hetim “kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme ata kanë vepruar në shkelje të ligjit “duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren. Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme. E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat”.
Hetimet për këtë rast, nisën pas një kallzimi të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i cili si pjesë të skemës së falsifikimit të dokumentave të pronësisë, kishte përfshirë dhe zotin Gaçi. Sipas kallzimit, e gjithë praktika ka patur si synim që bashkëshortit të ish ministres, t’i kalonte sipërfaqja e terrenit, duke e përfshirë atë si pjesë të zonës ku ai ka nisur të ndërtojë kompleksin turistik.
Investimi i zotit Gaçi, u bë për një kohë të gjatë, objekt polemikash, kur kompania e tij mori statusin e investitorit strategjik, duke u tërhequr disa muaj më vonë, pasi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me një kompani të paraqitur si amerikane dhe me përvojë, por që në të vërtetë, ishte themeluar nga e fejuara amerikane e vëllait të zonjës Xhaçka, dhe pa ndonjë eksperiencë në fushën e turizmit.
Ky rast, u bë shkak edhe për vënien në diskutim të mandatit si deputete të zonjës Xhaçka. Shumica socialiste hodhi poshtë kërkesën e opozitës për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas saj, ishin përpara një konflikti interesi. Më vonë, Gjykata Kushtetuese, e vënë në lëvizje po nga opozita, e konsideroi të gabuar vendimin, dhe i kërkoi parlamentit që t’ja përcjellë asaj rastin, si i vetmi autoritet që mund të vlerësojë pavlefshmërine ose jo të mandatit të një deputeti. Por ndonëse Gjykata është shprehur që në muajin Janar të vitit të kaluar, parlamenti nga ana e tij e ka zvarritur procedurën dhe çështja është ende pezull. Një mbledhje e Këshillit të Legjislacionit për këtë rast është njoftuar për javën e ardhshme.
voa