SHBA dhe BE rikonfirmojnë interesimin për Ballkanin Perëndimor

Ballkans Leaders MeetingZëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka premtuar ndihmë dhe mbështetje të fuqishme për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në rrugën e tyre drejt integrimeve euroatlantike.

Premtimet e tilla, Biden i ka dhënë gjatë samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili është mbajtur të mërkurën në kryeqytetin e Kroacisë, në Zagreb.

Biden ka theksuar interesin e ripërtërirë të Uashingtonit për këtë rajon të ndjeshëm.

Në samitin e të mërkurës janë përshëndetur hapat që kanë bërë Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të Brukselit, i cili pritet të vazhdojë edhe më tej.

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në sesionin plenar të samitit ka theksuar përkushtimin e vendit për procesin e dialogut dhe bashkëpunimin rajonal.

Gjithashtu, ajo ka theksuar se Kosova është faktor i rëndësishëm në sferën e sigurisë, e cila nuk ka mbetur imune ndaj kërcënimeve globale të grupit militant “Shteti Islamik”, por që Kosova ka mbetur e vendosur në trajtimin e kërcënimeve nga ana e atyre që kanë marrë pjesë në luftëra të huaja.

Por, si e shohin njohësit e zhvillimeve politike në rajon samitin e Zagrebit dhe efektet e mundshme të tij.

Analisti nga Prishtina, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se prezenca në samit e zëvendëspresidentit amerikan, Biden, është dëshmi jo vetëm e përkushtimit amerikan ndaj Ballkanit Perëndimor, por edhe tregues që raportet e keqësuara qoftë etnike qoftë ndërshtetërore, mund të menaxhohen vetëm pasi të sigurohet një prezencë e lartë amerikane ose evropiane.

Sipas tij, për Bashkimin Evropian, kufiri i parë është Ballkani Perëndimor.

Prandaj, siç thotë Korenica, ruajtja jo vetëm e stabilitetit, por edhe i kësaj zone si miqësore ndaj perëndimit dhe jomiqësore ndaj ndikimit rus dhe ndaj ndikimit të grupeve terroriste, është qëllimi i samitit të Zagrebit.

“Duhet ta kemi të qartë një fakt shumë të thjeshtë, se prezenca ruse ndaj politikës serbe, por eventualisht edhe ndaj vendeve tjera në Ballkanin perëndimor, do të ishte një kurdisje e një bombe shumë të madhe përballë interesit perëndimor, evropian dhe amerikan. E njëjta gjë mendoj se vlen edhe për sa i takon sulmeve, por edhe shtrirjes së grupeve terroriste në Ballkanin perëndimor”, tha Korenica.

Boshko Jakshiq, analist serb i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk janë janë larguar nga rajoni, por sipas tij, tashmë mund të thuhet se e kanë konfirmuar interesin e fuqishëm për Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, kjo koincidon edhe me interesimin gjithnjë e më të madh të Rusisë për këtë rajon.

“Kjo është pasojë nga koha e ngjarjeve kur ka nisur kriza në Ukrainë dhe edhe perëndimi, por edhe lindja, po e intensifikojnë praninë e tyre dhe po tregojnë se dëshirojnë që sa më shumë të ndikojnë në shtetet e këtij rajoni. Jo vetëm ndaj vendeve që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, por veçanërisht ndaj vendeve që nuk janë anëtare të këtyre organizatave”, theksoi Jakshiq.

Analisti Korenica vlerëson se ngjarjet e fundit në skenën ndërkombëtare, kanë kthyer një interesim të shtuar të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj rajonit.

“Ruajtja e një arkitekture të sigurisë, që menaxhohet dhe që i ndjek linjat e Bashkimit Evropian, të Evropës Perëndimore, mendoj që është një theks, të cilës SHBA dhe shtetet kryesore të BE-së, po i kthehen me shpejtësi, për ta vendosur si agjendë parësore” .

“Përndryshe, nëse një gjë e tillë nuk do të qëndrojë në agjendë parësore, natyrisht që konflikti, përkatësisht rreziqet, jo vetëm për stabilitetin e rajonit tonë, por për të gjithë Evropën, do të shtoheshin. Ato nuk do të mund të parandaloheshin nëse nuk menaxhohet parandalimi në mënyrë të suksesshme që tani”.

Në margjinat e samitit të Zagrebit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, si dhe për përparimin e arritur në rrugën e integrimeve evropiane.

Presidenca e Kosovës ka deklaruar se Biden e ka konfirmuar mbështetjen e pakushtëzuar amerikane për përparimin e Kosovës. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>