SHBA: Në lista, kandidatë me probleme

ambasada usaZgjedhjet vendore, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu “kemi identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale dhe jemi duke i diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit politikë”. SHBA-të japin mbi gjysëm milioni dollarë për OJF-të vendase që do të vëzhgojnë zgjedhjet

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se në listat e kandidatëve për kryetarë bashkie të paraqitur nga partitë shqiptare disa prej tyre dyshohen për një të kaluar kriminale. Duke folur në një aktivitet ku u njoftua një ndihmë prej 500 mijë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për procesin zgjedhor, ambasadori Lu, ndërsa nuk dha detaje të mëtejshme për kandidatët problematikë, u shpreh se për këto raste po diskutohet me udhëheqësit shqiptarë.

Ndërsa palët politike në Shqipëri po diskutojnë prej muajsh për të ashtuquajturin process të dekriminalizimit, dhe janë përfshirë ndërkohë në akuza të drejtpërdrejta për emra me të kaluar kriminale në listat e kandidatëve respektiv për zgjedhjet e 21 qershorit, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, heq cdo dyshim mbi këtë debat:  “Premtuam se do të shqyrtonim listat e kandidatëve për emra personash që kanë qenë të arrestuar apo të dënuar për krime të rënda qoftë në Shqipëri ose në vende të tjera. Në përgjithësi ndihemi mjaft mirë për listat, vecanërisht nga prania e një numri të madh kandidatesh gra të afta. Kemi identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale dhe jemi duke i diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit politikë.”

Ambasadori Lu, nuk dha detaje të tjera rreth kandidatëve mbi të cilët rëndojnë dyshime dhe nuk saktësoi se kujt krahu politik ata i përkasin. Të dy partitë kryesore, ajo socialiste e kryeministrit Edi Rama dhe partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha, të cilat drejtojnë dy koalicione të mëdha, kanë përcaktuar tanimë pjesën dërrmuese të kandidatëve. Afati i fundit për regjistrimin e tyre është data 2 maj.

Ambasadori amerikan nxiti shoqërinë civile dhe qytetarët që t’i kërkojnë llogari politikanëve: “Nxisim gazetarët, OJQ-të dhe qytetarët e zakonshëm të kërkojnë që politikanët e tyre të përmbushin standartet më të larta etike. Të huajt nuk do t’i bëjnë këto zgjedhje të mira, por janë gratë dhe burrat e guximshëm të shoqërisë tuaj civile që do të sigurojnë që demokracia shqiptare të jetë e mbrojtur”.

Pikërisht për të forcuar rolin e shoqërisë civile, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të japin gjysëm milioni dollarë në mbështetje të OJF-ve vendase për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe ndërveprimin me votuesit, ndërsa një pjesë e fondeve do të shkojë si mbështetje teknike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkaq ambasada në Tiranë por dhe selitë diplomatike amerikane në vendet fqinje me Shqipërinë në rajon, do të angazhohen direkt ditën e zgjedhjeve. “Personeli shqiptar dhe amerikan i ambasadës së Shteteve të Bashkuara si dhe kolegë nga ambasadat e SHBA-së të tri vendeve fqinje do të udhëtojnë në të gjithë vendin për të vëzhguar zgjedhjet. Por ne jemi vetëm një pjesë e vogël e një përpjekjeje shumë më të madhe ndërkombëtare. Përmes BE-së, ODIHR-it dhe asamblesë parlamentare të OSBE-së ne presim një përpjekje të fortë vëzhgimi, përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve”, u shpreh ambasadori amerikan

Lidhur me deklarimet e tij për kandidatët me problem, zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se shumica do të shohë me seriozitet cdo sinjal: “Ka një process nga ana jonë për të verifikuar pastërinë, apo historinë e cdo kandidati. Dhe ne jemi, madje e kemi treguar dhe në zgjedhjet e kaluara, që kemi një shqetësim të vecantë për të patur kandidatë me integritet të lartë”.

Ndërkaq, për të shmangur pjesmarrjen e kandidatëve me të kaluar kriminale opozita ka propozuar ndryshime urgjente në kodin zgjedhor. Kjo cështje ishte sot pjesë edhe e debateve në komisionin parlamentar për dekriminalizimin, ku përfaqësuesit e shumicës premtuan se do t’i shqyrtojnë me shpejtësi propozimet e opozitës. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>