Shenjtërohet Nënë Tereza

Gonxhw BojaxhiuNë Sheshin Shën Petrit dhjetra mijëra njerëz nga vende të ndryshme të botës. Të shumtë dhe shqiptarët të pranishëm në ceremoni. Masa të rrepta sigurie kudo përreth Vatikanit

Nga Vatikani, Romë

Dhjetra mijëra njerëz, besimtarë, ndjekës të Nënë Terezës apo dhe njerëz të thjeshtë janë mbledhur sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në ceremoninë gjatë së cilës u shenjtërua Nënë Tereza,një nga ngjarjet më të rëndësishme për Kishën katolike në këtë vit të Jubileut të Mëshirës.

Që prej orëve të para të mengjesit, ende pa gdhirë, të rinj e të moshuar, burra e gra, persona me aftësi të kufizuar, i janë drejtuar sheshit Shën Pjetri, për të qenë të pranishëm në këtë ngjare, duke sfiduar edhe temperaturat e larta dhe diellin e fortë. Sheshi ishte mbushur thuajse plot që rreth orës 8.30 me të ardhur jo vetëm nga Italia, por dhe nga shumë vende të tjera. Në fakt, Nënë Tereza, në ndryshim ndoshta nga shumë figura të tjera të shpallur gjithashtu shenjtorë, e kishte marrë këtë cilësim që kur ajo ishte gjallë, për shkak të angazhimit të fortë, jo vetëm në Indi, në mbështetje të njerëzve në nevojë, të varfërve dhe të sëmurëve. Ajo është një figurë e njohur në të gjithë botën. Eshtë pikërisht kjo arsyeja, që sot këtu në Vatikan nuk janë vetëm besimtarë katolikë, por njerëz që kanë parë te Nënë Tereza mëshirimin e dashurisë dhe të përkrahjes ndaj atyre që janë dhe më të pambrojtur. Janë me dhjetra e dhjetra personat me aftësi të kufizuara që kanë ardhur sot këtu në shesh. Për 1500 vetë, të varfër të cilët trajtohen në shtëpitë e misionareve të Nënë Terezës, e që sot kanë ardhur për të ndjekur ceremoninë e shenjtërimit të saj, Papa Françesku do të shtrojë një drekë me pica napolitane në një nga mjediset e Vatikanit. Një drekë e cila do të shërbehet nga mbi 200 misionare të Nënë Terezës

Të shumtë në numër dhe shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia por dhe shumë prej atyre që jetojnë në emigracion. Sot është shumë e lehtë të dëgjosh të flasin në gjuhën shqipe në sheshin Shën Pjetri, sikundër të dallosh shqiptarët nga flamujt me simbolet kombëtare që ata valëvisin apo mbajnë të hedhur krahëve.

Në ceremoninë e sotme janë të pranishëm të paktën 13 kryetarë shtetesh dhe qeverishë, ku gjithashtu të shumtë në numër janë edhe ata të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova. Nga Tirana përveç autoriteteve më të larta shtetërore ndodhen edhe drejtuesit e opozitës

Masat e sigurisë janë të larta. Ka një prani të shtuar dhe të dukshme të forcave të Policisë por dhe të Ushtrisë italiane. Përveç 2 mijë forcave të angazhuara normalisht për shkak të Jubileut, sot janë shtuar dhe së paku 1 mijë agjentë policie, pa folur më pas për forcat e zjarrfikëseve apo vullnetarë të mbrojtjes civile. Që prej dy ditësh janë angazhuar dhe specialistë të posaçëm për kontrolle antieksploziv në nënkalimet e nëndheshme apo dhe kanalizimet. Sot në të gjitha hyrjet dhe daljet nga sheshi Shën Pjetër ka kontrolle të rrepta të punonjësve të sigurisë, njësoj sikundër ndodh dhe nëpër aeroporte, aq sa nuk lejohet kalimi as me termuse të vegjël me lëngje të freskëta.

E gjithë zona këtu e Shën Pjetrit është ndarë në tre pjesë në formë rrathësh koncentrik, për të garantuar një mbulim sa më të mirë sheshit, i cili është zemra e aktivitetit. Po ashtu në kuadër të masave të sigurisë, që prej orës 8 të mëngjesit të sotëm është ndaluar çdo lloj fluturimi jo vetëm mbi Vatikan por dhe në një rreze më të gjerë mbi zonat përreth. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>