Shqipëri: Dita e parë e shkollës, emocione dhe probleme

shkollaNë Shqipëri nisën sot vitin e ri shkollor 480 mijë nxënës të shkollave 9-vjecare dhe të mesme.

Ministria e arsimit deklaroi se programet mësimore janë më të lehtësuara, larg metodave të vjetra.

Afro 32 mijë fëmijë shkojnë në shkollë për herë të parë, ndërsa 39 mijë maturantë në gjimnaze do të provojnë maturën e re, e cila, sipas ministrisë, është e lidhur me Universitetin dhe tregun e punës.

Këtë vit shkollor, deklaroi ministria, u ndanë libra falas nga klasa e parë në të katërtën për afro 190 mijë fëmijë, ndërsa nxënësit nga klasa e 5 në klasën e 12, do të vazhdojnë të paguajnë për tekstet shkollore.

Por Koalicioni për Arsimin deklaroi sot se Shqipëria mbetet ndër vendet e fundit në rajon dhe në Europë për financimin e arsimit. Qeveria, sipas tij, premton prej 6 vjetësh rritjen e buxhetit për arsimin deri në 5 përqind të GDP-së, por buxheti i shtetit për arsimin zë vetëm 3 përqind.

Kjo mungesë e investimeve për arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve, e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit në Europë për rezultatet dhe arritjet e nxënësve, krahasuar me vendet e OECD.

Mungesa e investimeve publike në arsim dhe shpenzimet e pakta të Qeverisë për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës vijojnë të lënë pa arsim një pjesë jo të vogël të fëmijëve dhe adoleshentëve, tha Koalicioni për Arsimin.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, afro gjysma e shkollave nuk kanë ujë të pijshëm dhe rreth 70 përqind e tyre nuk kanë kushte higjene të përshtatshme për arsimimin e fëmijëve, citoi Koalicioni.

Thuajse 64% e fëmijëve më aftësi të kufizuar mbeten ende jashtë sistemit arsimor parauniversitar dhe vetëm 35% e shkollave në Shqipëri janë të aksesueshme nga këta fëmijë, theksoi Koalicioni. Edhe pse ky vit shkollor e gjen arsimin publik parauniversitar me një numër të dyfishuar të mësuesve ndihmës, pjesa më e madhe e fëmijëve nuk do të përfitojnë nga kjo masë mbështetëse.

Koalicioni për Arsimin shtoi se arsimimi i fëmijëve romë dhe egjyptianë mbetet një problem, ndërkohë që 38.6 % e fëmijëve Rom dhe egjyptian nuk e ndjekin arsimin e detyrueshëm.

Një ndër problemet kryesore të arsimit mbetet dhuna dhe bulizmi në shkollë: afro 40% e nxënësve janë viktima të dhunës fizike dhe psikologjike, ndërsa 22 përqind e tyre ndjehen të kërcënuar nga mësuesit. Thuajse 20 përqind e nxënësve janë viktima të bulizmit ndërsa 50 përqind e nxënësve janë dëshmitarë të diskriminimit të nxënësve në shkollën e tyre, deklaroi Koalicioni për Arsimin. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>