Kufizimi i hapësirave për marrjen e informacionit vijon të mbetet sfida madhore për mediat në Shqipëri, thotë Jamie Wiseman, nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, IPI.
DW: Cilat ishin sulmet apo kërcënimet më të rënda që u regjistruan gjatë vitit 2022 në Shqipëri?
Jamie Wiseman: Në përgjithësi, ne konstatuam se dhuna fizike dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve përbëjnë kërcënimet më të rënda ndaj lirisë së shtypit në Shqipëri gjatë vitit të shkuar. Veçanërisht shqetësues ishte numri i rasteve të dhunës policore ndaj punonjësve të medias, të cilat përbëjnë 7 nga 17 rastet e regjistruara (41%), që u regjistruan në platformën tonë monitoruese. Në mënyrë tronditëse, mësuam se në 41.2% të rasteve të dokumentuara të dhunës autori ishte vetë policia shqiptare. Por vlen të theksojmë se ndërsa këto raste individuale janë serioze dhe duhen trajtuar, në përgjithësi niveli i dhunës dhe armiqësisë ndaj gazetarëve në Shqipëri, qoftë ajo nga shteti apo aktorë privatë, është relativisht më e ulët se në shumë vende të tjera të rajonit. Në të njëjtën kohë, rezulton se gjatë vitit të shkuar policia e ka përmirësuar reagimin e saj në hetimin e sulmeve ndaj gazetarëve dhe zbatimin e masave disiplinore në rastet ku përfshihen oficerë policorë, dhe ky përmirësim është shumë i mirëpritur.
DW: Në krahasim me vitet e shkuara situatën mediatike në Shqipëri do ta konsideronit të përmirësuar apo të përkeqësuar?
Jamie Wiseman: Raporti i monitorimit të MFRR është vetëm një pjesëz e panoramës së plotë për sa i përket vlerësimit të nivelit të përgjithshëm të lirisë së mediave në një vend, pasi merret vetëm me shkelje individuale dhe jo me çështje sistemike siç janë pronësia e mediave dhe pluralizmi i mediave.
Ne vlerësojmë se nuk është bërë përparim i rëndësishëm në gazetarinë shqiptare gjatë vitit të fundit, në lidhje me përmirësimin e mjedisit për gazetari të pavarur pluralizmit mediatik në Shqipëri. Pra, niveli i lirisë së medias në Shqipëri as nuk është u dobësua dhe as nuk u përmirësua në mënyrë domethënëse vitin që lamë pas. Nga njëra anë, e ashtuquajtura paketa anti-shpifje doli jashtë loje por nga ana tjetër mbeten shqetësime madhore sulmet që vijojnë ndaj gazetarëve, retorika diskretituese nga politikanët dhe kufizimi i hapësirës për marrjen e informacionit.
DW: Çfarë mund të konsiderohet si rrezik më i madh për gazetarët në Shqipëri? Dhuna policore apo retorika politike?
Jamie Wiseman: Veprimet arbitrare dhe të rënda të oficerëve të policisë paraqesin një kërcënim të madh për lirinë e shtypit. Raporti ynë dokumentoi raste të shumta shqetësuese në të cilat policia sulmoi fizikisht gazetarët që mbulonin protestat, madje një punonjës mediatik përfundoi në spital. edhe shtrimin në spital të një punëtori të mediave. Teksa këto raste të papranueshme janë më seriozet dhe kanë më shumë ndikim tek media, edhe përpjekjet e bëra nga figura të një profili të lartë politik, përfshirë kryeministrin shqiptar, për të diskretituar dhe denigruar gazetarët kritikë, janë gjithashtu çështje shumë serioze dhe të dyja duhet të marrin fund, sëbashku me dërgimin e gazetarëve në “riedukim” dhe ndalimin e tyre për të marrë pjesë në konferenca shtypi. Pasojat profesionale për gazetarët Klevin Muka dhe Ambrozia Meta, kanë qenë serioze.
DW: A keni gjurmuar sulme nga individë apo organizata kriminale kundrejt gazetarëve në Shqipëri?
Jamie Wiseman: Monitorimi i këtyre kërcënimeve është pjesë e monitorimit tonë, por për 2022-shin nuk u regjistruan raste të tilla. Sidoqoftë, kjo mund të ketë ndodhur edhe për faktin se sulmet nga organizatat kriminale bëhen në mënyrë anonime dhe është e vështirë që të kategorizohen e lidhen me kërcënimet ndaj medias.
DW: MFRR merret, përveç gjurmimit të rasteve, edhe me monitorimin dhe reagimin ndaj këtyre sulmeve. Çfarë keni bërë ju në këtë drejtim?
Jamie Wiseman: Pjesë e punës sonë është monitorimi dhe dokumentimi i të gjitha shkeljeve që lidhen me lirinë e shtypit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, duke bashkëpunuar me organizata të besuara vendase. Sidoqoftë, ky është vetëm hapi i parë, dhe shpesh ndiqet me advokim të drejtpërdrejtë në emër të gazetarëve të sulmuar, përfshirë shkresat drejtuar organeve gjyqësore ose politike për të nxitur një hetim të plotë dhe drejtësi që reagon shpejt. Konsorciumi ynë ofroi gjithashtu mbështetje ligjore për gazetarët në Shqipëri në vitin 2022, të cilët po përballen me padi për raportimin në funksion të interesit publik. Ne gjithashtu veprojmë si një urë lidhëse midis organizatave lokale dhe institucioneve europiane. Shumë prej organizatave tona morën pjesë në misionin për lirinë e medias në nëntor 2022 në Shqipëri, si pjesë e platformës së Këshillit të Europës për Sigurinë e Gazetarëve, dhe aty u takuam personalisht me shumë gazetarë dhe advokuam për lirinë e medias me zyrtarë të qeverisë dhe përfshimë në platformën MapMF shumë raste që dokumentuam.
DW: A keni marrë ankesa nga gazetarët shqiptarë dhe cilat janë problemet me të cilat ata ndeshen më shpesh?
Jamie Wiseman: Shumë nga shqetësimet e ngritura në platformën tonë janë regjistruar fillimisht nga vetë ankesat e gazetarëve. Çdo profesionist i medias i cili ndihet i sulmuar apo kërcënuar mund të dorëzojë ankesën në platformën tonë ReportIt link, dhe më pas organizatat eksperte verifikojnë informacionin dhe kontaktojnë gazetarët denoncues para se rasti i tyre të përfshihet në platformën MapMF. Ky mjet teknologjik ka qenë jetik për mbledhjen e të dhënave nga shumë shtete, përfshirë Shqipërinë, dhe ne inkurajojmë gazetarët dhe mediat e tyre për të përdorur këtë burim për raportimin e ankesave apo kërcënimeve që ata marrin për shkak të detyrës.
DW: Si mund ta përshkruani situatën e lirisë së media në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera kandidate apo anëtare në Bashkimin Europian?
Jamie Wiseman: Panorama për lirinë e shtypit dhe medias në Shqipëri mbetet sfiduese. Klima për një shtyp të lirë dhe të pavarur nuk shënoi përmirësime në vitin 2022. Po e ripërsëris: çështje serioze mbeten sulmet ndaj gazetarëve, retorika diskretituese e politikanëve, paditë shqetësuese dhe kufizimi i hapësirës për marrje informacioni. Një çështje që nuk është adresuar në këtë raport, por që çon në vetë-censurën e vazhdueshme brenda komunitetit gazetaresk dhe që kufizon cilësinë e raportimit investigativ, është kapja e hallkave të rëndësishme mediatike nga interesat e biznesit. Këta pronarë, shumë prej të cilëve zotërojnë biznese që kryqëzohen me industritë e rregulluara nga shteti dhe që përftojnë tendera publikë, e përdorin sistematikisht median e tyre për t’i shërbyer biznesit të tyre ose agjendave politike, dhe jo interesit publik. Kjo minon pluralizmin e mediave, dëmton integritetin e mediave dhe dëmton ekosistemin e përgjithshëm të mediave. Kjo është një çështje që ekziston në shumë vende kandidate, dhe në të vërtetë edhe në shtetet anëtare të BE -së, por ajo mbetet veçanërisht akute në Shqipëri. Nëse flasim për zhvillime pozitive, ka shumë media të pavarura dhe të jashtëzakonshme, që mbajnë gjallë interesin publik me anë të një gazetarie për qytetarët dhe demokracinë. Këto media kanë nevojë për sa më shumë mbështetje, në mënyrë që të jenë të lira nga ndikimi politik, ekonomik dhe presionet rregullatore.
Jamie Wiseman është Oficer Avdokues për Europën pranë Institutit Ndërkombëtar të Shtypit – IPI
Media Freedom Rapid Response (MFRR) gjurmon, monitoron dhe reagon ndaj sulmeve ndaj shtypit dhe lirisë së medias në vendet anëtare të BE-së dhe shteteve kandidate. Ajo është një aleancë e European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), European Federation of Journalists (EFJ), Free Press Unlimited (FPU), International Press Institute (IPI) dhe CCI/Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBC Transeuropa).
dw