Qeveria shqiptare do të pajtojë një tjetër kompani konsulence, këtë herë për të bërë krahasimin mes përfitimeve që merr shteti shqiptar nga marrëveshja e nënshkruar me konsorciumin TAP, me përfitimet që rrjedhin nga e njëjta marrëveshje për shtetin grek, në porporcion me investimin në secilin shtet.
Në marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2013, ekziston një klauzolë që i jep të drejtën shtetit shqiptar që e ka nënshkruar marrëveshjen meTAP para Greqisë, të kërkojë shtimin e përfitimeve që prekin komunitetin ku kalon gazsjellësi, në rast se konstaton se nga marrëveshja e nënshkruar më vonë, Greqia përfiton më shumë.
Këtu bëhet fjalë për punësim, infrastrukturë, ndërtimin e rrugëve dhe urave apo projekte të tjera për komunitetin. Por duket se në mungesë të kapaciteteve për të bërë vetë këtë vlerësim, qeveria ka nisur procedurat për të pajtuar një kompani që do ti ofrojë asaj asistencë financiare dhe juridike për të maksimizuar përfitimet e brendshme. Gazsjellësi TAP përshkon në Shqipëri një gjurmë prej rreth 211 km, duke nisur nga Bilishti, në zonën e Korcës, për të dalë më pas në det në Seman të Fierit.
Gërmimet e para nisën në muajin korrik të vitit të shkuar në Corovodë, me ndërtimin e rrugëve të aksesit dhe urave dhe pritet të përfundojnë në qershor. Vlera e përafërt e investimit në këtë fazë të parë do të jetë rreth 60 mln euro. Përgjatë të gjithë gjurmës së gazsjellësit është parashikuar ndërtimi i rreth 100 km rrugë, rehabilitimi i 42 urave ekzistuese dhe ndërtimi i 3 urave të reja.
/ Top Channel