Shqipëria nuk i ka ende kapacitetet për të marrë gaz nga tubacioni i TAP-it.
Nga tre shtetet ku kalon ky tubacion ne jemi të vetmit që ende nuk kemi arritur ta shfrytëzojmë.
Qeveria nënshkroi së fundmi një marrëveshje ku pika e furnizimit me gaz për Shqipërinë do të jetë nga Fieri. Profesori Lorenc Gordani shprehet se “AlbGaz” kompania shtetërore nuk përmbush kushtet për të marrë gaz nga TAP dhe se qeveria duhet të ndërhyjë për situatën:
“AlbGaz momentalisht është në fazë reformimi dhe ka ndryshuar shumë herë personelin dhe strukturën e saj. Mendimi im është që AlbGaz nuk i plotëson kushtet për të bërë një ofertë serioze tek TAP për furnizimin me gaz. Janë zhvillime që kërkojnë ngritje kapacitetesh në kohë të gjatë. Mua nuk më rezulton që kemi edhe ndonjë kompani tjetër private që i përmbush këto kapacitete. Shteti duhet t’i paraprijë situatës dhe të zgjidhë këtë ngërç”.
Pika e Fierit nëpërmjet një tubacioni tjetër do vërë fillimisht në punë TEC-in e Vlorës dhe më pas gazi do të jetë i disponueshëm për konsumatorët. Me përfundimin edhe të tubacionit Jonian, Shqipëria mund ta kthejë gazin në burim kryesor energjie.
“Nga këto projekte gazin do ta marrim më lirë dhe do të ketë më pak emetime karboni. Ndërtojmë një industri të qëndrueshme dhe i japim mundësi që gradualisht gazi të shkojë drejt konsumatorëve komercialë në fillim, tek bizneset e vogla dhe më pas në mënyrë të rrjetëzuar të shtrihet tek të gjitha familjet”.
Shqipëria nëpërmjet këtyre projekteve do të krijojë mundësitë që të bëhet edhe eksportuese e gazit natyror në vende të tjera, përveç se të mbushë kërkesat e tregut të brendshëm.
Top Channel