Parlamenti Europian ka nisur debatin në seancë plenare mbi rezolutën për Shqipërinë, bazuar në raportin e përpiluar nga eurodeputeti i majtë gjerman, Knut Fleckenstein, i cili mbrojti në Strasburg vlerësimet për punën e deritanishme të Tiranës në zbatimin e 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.
Përfaqësuesja e Presidencës letoneze dhe Komisioneri kroat Mimica përsëritën qëndrimet e shprehura në Komitetin e Jashtëm Europarlamentar, në mbështetje të gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit për dialogun politik, reformat ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal.
I djathti Eduard Kukan këmbënguli për rëndësinë e dialogut konstruktiv politik brenda vendit dhe në rajon, e përmbushjen e reformës së Drejtësisë dhe Administratës Publike. Ai tha se zgjedhjet lokale marrin rëndësi për partitë politike, që të dëshmojnë se zbatojnë parimet demokratike.
Drafti i miratuar me kompromis, paraprakisht muajin e kaluar, pritet të pësojë ndryshime gjatë votimit të së enjtes në seancë plenare, për shkak se PPE dhe grupi liberal vlerësojnë se nevojitet një gjuhë më e ashpër ndaj kryeministrit Rama, për intervistën mbi bashkimin me Kosovën.
Seanca e debatit vijon ende me diskutimet e eurodeputetëve të veçantë mbi “Shqipërinë e Madhe”, papunësinë, azilkërkuesit etj.
Përgatiti: Arta TOZAJ / Top Channel