Takimi për Reformën, Lu e Vlahutin nuk shkojnë

LuBisedimet mes tre udhëheqësve kryesorë Rama-Basha-Meta në orën 16.00. Ambasadorët refuzojnë pas deklaratës së kreut të opozitës. “Basha nuk foli për propozimin hibrid të ambasadores Nuland”

Në Shqipëri, takimi i drejtuesve më të lartë politik për Reformën në Drejtësi, i propozuar nga kryetari i Parlamentit Ilir Meta do të zhvillohet sot pasdite në orën 16.00, pasi të gjitha palët shprehën gatishmërinë e tyre. Por në bisedime, nuk do të jenë ambasadori amerikan Donald Lu dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin. Ata i thanë dje “PO” ftesës së zotit Meta, duke e kushtëzuar pjesmarrjen e tyre me diskutimet vetëm mbi “propozimin hibrid” të paraqitur më 10 korrik në Tiranë nga Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland.

Tërheqja e tyre ka të bëjë me qëndrimin e zotit Basha i cili në deklaratën e tij të sotme ku pranonte pjesmarrjen nuk hiqte dorë nga kundër-propozimi i opozitës, ndonëse linte hapësira për bisedime mbi rolin e ekspertëve ndërkombëtarë në procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “PD është e gatshme të marrë pjesë në këtë format takimi, të ekspozojë pa asnjë paragjykim apo prapamendim bazën ligjore të propozimeve të saj për vetingun, të negociojë zgjidhje që mundësojnë plotësisht rolin më aktiv të ndërkombëtareve në perputhje te plote me rekomandimet e Komisionit te Venecias”, u shpreh sot zoti Basha në deklaratën e cila niste me përkrahjen e idesë për një qeveri teknike.

“Ambasadorët Vlahutin dhe Lu informuan Kryetarin e parlamentit zotin Meta se pas deklaratës së zotit Basha, ambasadorët nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik. Zoti Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland më 10 korrik”, nënvizohet në deklaratën e përbashkët të ambasadorëve Lu e Vlahutin, të cilët shtojnë se “nëse zoti Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve”.

Mungesa e dy ambasadorëve vë në pikëpyetje serioze një rezultat pozitiv të takimit Rama-Basha-Meta, në një kohë kur kryeministri është shprehur i gatshëm të pranojë çdo propozim të mbëhstetur nga SHBA-të dhe BE-ja, dhe kur ambasadori Lu e ka cilësuar “të papranueshëm për Shtetet e Bashkuara variantin e ofruar nga PD-ja”. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>