Çdo ditë e më shumë dëgjojmë të rinjtë veçanërisht që kërkojnë të largohen nga vendi.
Një anketë e Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale doli me rezultatin se rreth 80% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi dhe gati 60% e maturantëve po planifikojnë të ikin nga Shqipëria. Nga ana tjetër rreth 95% e të rinjve të larguar për studime jashtë Shqipërisë, nuk dëshirojnë të kthehen më në vendin e tyre. Sipas Qendrës të rinjtë në vendin tonë prej vitesh kanë humbur shpresën te vendi i tyre dhe dëshirojnë të largohen për një punë më të paguar, për një ekonomi më të qëndrueshme, për arsim më cilësor, për ligje të zbatueshme, për shërbime pa korrupsion, për vlerësim bazuar në aftësitë.
Vetëm një vit më parë, OKB-ja bëri publike faktin se ndërmjet viteve 1990-2020, thuajse 1,2 milionë persona ishin larguar nga vendi, përqindja më e madhe të rinj e të reja.
“Ne kemi që në ‘90 që ikim rrugëve të Europës. Vajza ime mbaroi ekselente shkollën e lartë për Infermieri dhe është pa punë. Do të iki në Gjermani. Po mëson gjuhën dhe do të largohet, këtu nuk ka mundësi, duhet miqësi.
“Këtu nuk ka punë, nuk ka lekë. Fëmijët i kam të rritur dhe do të shkojmë familjarisht në Greqi, për më mirë”.
“Unë dua më të mirën për veten, kështu që pse të mos t’ia jap këtë mundësi vetes. Mbarova maturën dhe shkollën e lartë do ta bëj në Greqi”.
“Dua shumë më zemër të qëndroj në Shqipëri, por do iki për më të mirën për veten time”.
“Këtu është mbrapsht çdo gjë që nga klasa e parë. Kam 20 vjet që jetoj në Greqi dhe prej 3 vjetësh jetoj në Gjermani. Atje do ta ndërtojnë të ardhmen fëmijët e mi”.
“Në Gjermani ka mundësi punësimi, rroga më të larta, shkollimi, shëndetësi, pastërti, edukatë. 12-13 euro paguhesh për një orë punë në Gjermani, ndërsa këtu 10 mijë lekë është dita e punës. Këtu çmimet e ushqimeve vetëm rriten e rrogat në vendnumëro”.
Top Channel