Në Tiranë, komisioni parlamentar për integrimin europian miratoi sot një projekt – rezolutë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ndërsa në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian pati debate të ashpra mes opozitës dhe shumicës mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe të drejtat e njeriut.
Përfaqësues të opozitës theksuan se 15 rekomandimet e BE-së nuk janë plotësuar mjaftueshëm, ndërsa korrupsioni dhe krimi po pengojnë integrimin ee Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian debatoi sot mbi 15 rekomandimet e Bashkimit Europian të 25 marsit dhe sa janë përmbushur ato në kuadër të kriterit politik dhe kapitullit 23, që përfshin sistemin gjyqësor dhe të drejtat e njeriut.
BE-ja ka thënë se plotësimi i tyre është i rëndësishëm për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat mbi anëtarësimin e plotë.
Kryetarja e Këshillit të Integrimit, deputetja e opozitës Rudina Hajdari tha se të gjitha raportet e fundit ndërkombëtare konstatojnë një përkeqësim të korrupsionit në Shqipëri, edhe si perceptim publik me matje nga Transparency International edhe me studime të institucioneve të tjera.
“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve për vitin 2020 sërish e citon Shqipërinë si një nga vendet e vështira për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në sistemin gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurime publike, nivelin e ulët të zbatimit të kontratave, dhe korrupsionin e përhapur në nivelet e larta drejtuese të institucioneve shtetërore. Money Vali e ka futur sërish Shqipërinë në listën gri të vendeve që bëjnë pastrim parash. Shqipëria nuk ishte në këtë listë qysh prej vitit 2015” – tha zonja Hajdari.
Ajo tha se sa i përket reformës në drejtësi institucionet nuk do të zvarritin procedurat për sa i përket përzgjedhjes së gjyqtarëve të gjykatës së lartë, e cila do të plotësonte edhe vendet në Gjykatën Kushtetuese.
Shqipëria është i vetmi vend në rajon pa Gjykatë Kushtetuese dhe me një Gjykatë të Lartë, e cila pothuaj nuk ekziston, ku presin të gjykohen afro 35 mijë çështje gjyqësore.
Sipas një raporti të Këshillit të Lartë Gjyqësor, 75% e gjykatave kanë funksionuar me kapacitete të reduktura të gjyqtarëve dhe nga 408 gjyqtarë aktualisht e ushtrojnë funksionin 294 gjyqtarë, 114 vende vakante, të cilat duhen plotësuar sa më parë me studentët e shkollës s Magjistraturës, që presin emërimin, pasi po kalojnë procedurat e vetingut.
“Ministria e drejtësisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet e reja të pavarura të sistemit të drejtësisë me qëllim përparimin e agjendës europiane të Shqipërisë. Përmbushja e kritereve themelore politike është një detyrë kryesore në procesin e integrimit europian, ndaj Shqipëria është e vendosur të bëjë përpjekje shtesë në reformën e saj në drejtësi, në politikat anti-korrupsion, në luftën kundër krimit të organizuar dhe parandalimit të pastrimit të parave dhe të drejtave të njeriut” – tha ministrja e drejtësisë Etilda Gonaj.
Po sot komisioni parlamentar për integrimin europian miratoi sot një projekt – rezolutë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
U miratua po ashtu edhe plani i masave mbi përmbushjen e 15 rekomandimeve të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian më 25 mars.
Disa nga 15 pikat janë detyra të lëna nga BE-ja prej vitesh, si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dërgimi para drejtësisë i politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar, po ashtu vazhdimi i reformës në sistemin e drejtësisë, trajtimi i cështjes së azil-kërkuesve, ndërsa disa kërkesa të tjera janë më të reja në kohë, ndaj kërkohet përparim në të gjitha çështjet.
voa