Forca të shumta policore arrestuan sot drejtuesit e protestës pro mjedisit në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Veprimtarët e mjedisit po protestonin kundër ndërtimeve të bashkisë në parkun e Liqenit Artificial. Ata rrëzuan rrethimin e kantierit, ku po nis ndërtimi i bashkisë në mes të parkut.
Veprimtarët e mjedisit po përpiqen të pengojnë një ndërtim të bashkisë në park. Bashkia thotë se po ndërton një park lojërash për fëmijë, por veprimtarët dyshojnë se aty po ndërtohen lokale dhe restorante.
Midis protestuesve të arrestuar është edhe Eljan Tanini, themelues i organizatës “Mbill Pemën Tënde” dhe veprimtar i “Lëvizjes pro Parkut”.
Gjatë arrestimit të veprimtarëve shpërtheu edhe dhuna e policisë ndaj qytetarëve të pambrojtur.
Shumë të rinj u arrestuan ndërsa një polic u evidentua qartë nga gazetarët për dhunën ndaj një zonje protestuese, duke e goditur fort në fytyrë.
Avokati i Popullit, Igli Totozani, dënoi dhunën e ushtruar sot nga punonjësi i policisë ndaj një qytetareje gjatë protestave tek Parku i Liqenit Artificial. Ai deklaroi se dhuna ndaj qytetarëve është e patolerueshme në cdo rast dhe rrrethanë.
Avokati i Popullit kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të policit, sepse “njerëz me prirje të tilla dhune nuk janë të denjë për të mbajtur veshur uniformen e policise”. E drejta për të protestuar është e drejtë e njeriut që duhet respektuar maksimalisht nga çdokush, thotë ai.
Ministri i punëve të brendshme, Saimir Tahiri, deklaroi publikisht se dhuna fizike ndaj një gruaje prej policisë është e papranueshme dhe e patolerueshme. Ai kërkoi pezullimin e menjëhershëm të punonjesit e policise dhe lirimin e tij nga detyra. “Policia qe duam nuk mund te jete ajo që konfliktua sot me qytetaren” – tha zoti Tahiri.
Veprimtarët e kanë kthyer Parkun e Liqenit Artificial në një zonë të protestave të vazhdueshme për ta mbrojtur atë.
Prej disa muajsh ata po protestojnë kundër ndërtimit të disa pallateve shumëkatëshe nën digën e Liqenit Artificial, ja tani edhe mbi digë po protesotjnë kundër betonizimit të hapësirave mes parkut në emër të një këndi lojërash për fëmijët.
Janë po këta protestues, pjestarë të Lëvizjes “Mbill Pemën Tënde”, që kanë mbjellë prej afro dy vjetësh në mënyrë vullnetare disa mijëra rrënjë fidanë në parkun e liqenit artificial dhe në fushën e plehrave në Sharrë.
Ata po përpiqen të mbrojnë mjedisin dhe zonat e pakta që kanë mbetur pa u prekur nga ndërtimet shumëkatëshe të firmave ndërtimore, të cilët, pasi u grabitën fëmijëve të Tiranës oborret dhe këndet lojërave brenda lagjeve, tani po u ngrejnë fëmijëve kënd lojërash në mes të parkut të liqenit, i vetmi, që ka mbetur ende pa u prekur.
Bashkia e Tiranës i quajti në një deklaratë protestuesit e sotëm si “një grup i vogël vandalësh të zhurmshëm”, që po pengojnë punimet e saj për Parkun e Lodrave të Fëmijëve. “Një minorancë e zhurmshme po i kundërvihet aspiratave të shumicës së qytetarëve që e duan zhvillimin e qytetit” – thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës, e cila me këtë rast theksoi vendosmërinë “për t’i shërbyer çdo ditë qytetarëve dhe për të sjellë projekte që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës”. (voa)