Tiranë: Drejtori i Policisë Çako kthehet në detyrë

Haki CakoGjykata e Apelit në Tiranë vendosi të kthejë në detyrë drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, Haki Çako, pasi një gjykatë më e ulët e pezulloi atë nga posti për shkak të hetimit mbi përgjimet e dyshuara me një pajisje italiane.

Prokuroria kërkoi që drejtori i përgjithshëm të pezullohej, ndërsa dy drejtues të tjerë policie u vunë në arrest shtëpie për përgjime dhe pengim të hetimeve lidhur me përgjimet e dyshuara.

Hetuesit dyshojnë se zoti Çako nuk ka ndjekur procedurat ligjore dhe doganore për futjen në Shqipëri të një pajisje të policisë italiane IMSI Catcher.

Policia shqiptare dhe ajo italiane deklaruan se pajisja erdhi në Shqipëri vetëm për trajnime dhe nuk kishte programe përgjimi.

Pajisja ka qenë, sipas tyre, vazhdimisht në duar të trajnerëve italianë dhe në asnjë rast nuk u përdor për përgjime.

Opozita kërkoi të hetohen shkelja e procedurave doganore, të gjendet pajisja dhe të vërtetohetnëse ka kryer apo jo përgjime.

Partia Demokratike deklaroi se gjatë dy muajve pajisja u përdor nga zyrtarët për të përgjuar politikanë të opozitës dhe figura publike të medias dhe shoqërisë civile.

Ministri i punëve të brendshme, Saimir Tahiri, deklaroi pas heqjes së pezullimit nga detyra të drejtorit Çako se reformimi i sistemit të drejtësisë është në hapat e parë.

Ai hodhi poshtë deklaratat e PD-së mbi përgjimet, si shprehje e frikës që opozita ka nga reforma në drejtësi.

Komisioni parlamentar i sigurisë zhvilloi seanca dëgjimore me kryetarin e shërbimit sekret, me drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe me ministrin e brendshëm, duke mbledhur të dhëna mbi pajisjen italiane dhe dyshimet se ajo u përdor për përgjime.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, bëri disa deklarata mbi mundësinë e përgjimeve ndaj zyrtarëve dhe politikanëve, duke shprehur shqetësimin se ky veprim ka cënuar sigurinë kombëtare të vendit dhe kërkoi hetime nga drejtësia.

Dy drejtuesit e policisë po hetohen pas dyshimeve se ata fshehën pajisjen, duke e hequr nga mjediset ku ajo mbahej, para se aty të mbërrinin hetuesit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se kthimi i zotit Çako në detyrë, dhe kryebashkiakut të Kavajës Rroshi në shtëpi janë rezultat i presioneve dhe kërcënimev, që u bëri gjykatave kryeministri Edi Rama.

Zoti Basha tha se përgjimet e paligjshme dhe inkriminimi i pushtetit janë dy prej skandaleve më të mëdha të qeverisjes socialiste. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>