Sot u mbushën plot dy javë që mijëra studentë të universiteteve publike kanë lënë auditoret dhe janë hedhur në protesta me kërkesa ekonomike dhe akademike për drejtuesit e qeverisë dhe universiteteve.
Ata po protestojnë prej një jave para kryeministrisë dhe një javë më parë para ministrisë së arsimit me 8 kërkesa për të lehtësuar studimet e tyre universitare.
Grupe të tyre ndërprenë simbolikisht qarkullimin e automjeteve në disa kryqëzime të Tiranës, shumica e protestuesve u bashkuan si përditë në sheshet pranë fakulteteve të tyre dhe më pas marshuan për t’u mbledhur para kryeministrisë.
Gjatë gjithë kohës së protestës kryeministri Edi Rama qëndroi për më shumë se 3 orë në një mbledhje të thirrur nga rektori me pedagogë dhe studentë në Universitetin Bujqësor.
Ashtu si edhe mbrëmë në fakultetin gjeologji miniera, zoti Rama po përpiqet të ngrejë një dialog me pedagogë dhe studentë, por këta kanë theksuar se kërkesat janë të panegociueshme dhe se protesta e tyre nuk ka përfaqësi dhe se askush nuk mund të flasë në emër të protestës.
Kryeministri Rama ka shprehur herë pas here dyshimet se protesta e studentëve është shtyrë nga partitë e opozitës për përfitime politike, por protestuesit i kanë hedhur poshtë akuzat për implikime politike dhe thonë se ata protestojnë vetëm për interesat e tyre dhe familjeve, që i mbështesin.
Edhe sot ata thanë se protesta do të vazhdojë, ndonëse kryeministri po përpiqet të shpërndajë përgjegjësinë e gjendjes së rëndë në universitete përmes dialogjeve dhe mbledhjeve me rektorë, dekanë e studentë. (voa)