Fituesit e Festivalit të 63 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, vokalistët e grupit “Shkodra Elektronike” me këngën e tyre “Zjerm” kanë rrëfyer emocionet e eventit të madh muzikor.
Duke folur në emisionin “N’ Fest’ në RTSH1, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca janë shprehur se nuk e prisnin çmimin e madh që i dërgon ata të Eurovizion që do të mbahet në 13-17 maj 2025 në Bazel të Zvicrës.
Beatriçe Gjergji tha se nuk e kanë pritur gjithçka ndodhi në Festivalin e Këngës.
“Çfarë ka ndodhur mbrëmë në Festival ne nuk e kemi pritur. Reagimet që kemi pasur në javët që kanë kaluar, nuk i kam kuptuar tamam. E kam provuar me analizuar këtë gjë nuk e kam kuptuar tamam. Mendoj që ndoshta është melodia. Melodia u ka arritur njerëzve. Dhe gjëja e bukur është gjë nuk u ka arritur vetëm shqiptarëve, por edhe njerëzve jashtë vendit me komentet që kemi parë. Mendoj se melodia është universale dhe aty kemi pasur pak forcë”, u shpreh kënëgëtarja Gjergji.
Ndërkaq, këngëtari Kolë Laca tha se fitorja ndoshta qëndron te melodia dhe teksti që kanë pasur vlerën e tyre ndërsa theksoi se ata nuk e prisnin të merrnin as Çmimin e Kritikës që iu dha para se të rrëmbenin vendin e parë me 143 pikë, duke lënë pas Elvana Gjatën në vendin e dytë dhe Alis në vendin e tretë.
“Besoj se edhe teksti ka pasur vlerën. Melodia dhe teksti. Shqiptarët kanë kuptuar tekstin dhe fakti që ka qenë e publikuar më parë ka qenë pozitive për ne. Kanë pasur kohë njerëzit të kuptojnë tekstin dhe të hyjnë brenda këngës. Ne e kemi perceptuar që prej ditës që ka dalë kënga, që sa më tepër afrohej dita e festivalit, gjithmonë u rriteshin edhe numrat në YouTube. Nuk prisnim asnjë lloj çmimi. Ne erdhëm të merrnim pjesë”, tha Kolë Laca.
rtsh