Një kompani italiane ka fituar tenderin për të ndërtuar 105 kilometra tubacione në det të hapur, në ujërat e detit Adriatik mes Shqipërisë dhe Italisë.
Bëhet fjalë për gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), për të cilin, kompania italiane “Saipem”, do të punojë në një thellësi nënujore prej 820 metrash me anijen e specializuar “Castorone”, ndërsa diametri i tubit do të jetë 91.4 centimetra.
Me tenderin e fundit përmbyllet i gjithë cikli i kontratave për ndërtimin e gazsjellësit TAP nga Azerbajxhani deri ne Itali. Më herët u njoftuan edhe fituesit për ndërtimin tokësor të tij në Shqipëri e Greqi.
Sipas drejtorit menaxherial të TAP, Ian Bradshaë, ndërtimi në det të hapur ngre sfida të veçanta dhe “Saipem SpA” dha ofertën më të fuqishme teknike si dhe zotëron eksperiencën e duhur për standardet më të larta.
“Saipem” është një kompani gjigante italiane që operon në 60 shtete dhe ka rreth 43.000 të punësuar. Ajo ka një eksperiencë 60-vjeçare në fushën e kërkimit dhe shpimit të hidrokarbureve dhe ndërtimit të tubacioneve të naftës dhe gazit. (shekulli)