Vetëvarje për video në Tik Tok/ Prokuroria e regjistron çështjen si shkaktim vetëvrasjeje

lajmerim vdekjejeVetëvarjen e 13-vjeçarit në Golem të Lushnjes Prokuroria pranë Shkallës së Parë Lushnje e regjistroi si shkaktim vetëvrasjeje, ndërsa hetimet vijojnë për të gjetur shkaqet që e dërguan të miturin që të kryente aktin e rëndë.

Në lidhje me rastin po publike shumë pak detaje mbi motivet që e shtynë të miturin drejt aktit ekstrem, ndërsa në një pikë bien dakord të gjithë familjarë e shokë klase se diçka fshihet pas telefonit.

Top Channel mëson nga të afërm të viktimës se javët e fundit familjes i ka rënë në sy qëndrimi i tij pa pushim me telefon në dorë.

Natën e ngjarjes, prindërit të sapokthyer nga vjelja e ullinjve në pemishte e gjetën adoleshentin të pajetë me telefonin të vendosur në mënyrë të tillë që ishte i drejtuar nga ai.

Nuk dihet se çfarë është filmuar në aparatin celular të sekuestruar tashmë nga policia. Prej ditësh thonë burime familjare, e ëma ishte përpjekur t’ia shqiste telefonin nga dora, por pa dobi.

Rrjetet sociale dhe internetin i fajësoi edhe ministrja e arsimit Evis Kushi e cila tha se përgjegjësia është e të gjithëve.

Familja e adoleshentit do të ndihmohet nga shërbimi për mbrojtjen psikologjike të bashkisë Lushnje.

Por specialistja Valbona Myzeqari tha se rastet e kërcënimeve të të miturve në rrjetet sociale kanë qenë të shpeshta dhe familjarët shpesh refuzojnë ndihmën.

“Jo të gjithë prindërit e kanë kapacitetin për të kuptuar fëmijët e tyre dhe për të përballuar problemet që prek shoqëria sot.
Ka raste që nuk pranojnë shërbimin mbështetës psikologjik për shkak të mentalitetit, nuk duan të ekspozohen tek shërbimet sociale. Dhe kur ia ofrojnë shërbimin pranë banesës, e kanë problem që komuniteti rreth e përqark të shohë që po marrin këto lloj shërbimesh. Megjithatë janë të paktat rastet e refuzimeve.

E gjithë kjo histori na ka prekur të gjithëve, është një fenomen që po pëson rritje në shoqërinë tonë. Pandemia ka qenë një nga shkaqet kryesore të rritjes së këtyre fenomeneve sepse fëmijët kanë pasur akses ndaj telefonave celularë dhe internetit. Prindi është i pari që duhet të rrisë vigjilencën për fëmijët se sa orë shpenzojnë me internet dhe nëpër rrjete sociale. Ku e akseson fëmija internetin? Me kë qëndron kur nuk është me prindin? Pra duhet të rrisë vigjilencën dhe të bisedojë me fëmijën e vet. Mendoj se prindi ka rolin kryesor pasi duhet t’i mbushë kohën fëmijës me aktivitete kulturore dhe sportive. Kur kjo nuk është e mundur, është mirë që prindi të kalojë orë cilësore me fëmijën duke biseduar sepse është ai i pari që mund të identifikojë një problem tek fëmija e vet. Ai dallon qartë se fëmija po ndryshon sjellje.

Do vija theksin edhe tek mësuesi. Besoj se duhet të informohen se si të transmetojnë këtë mesazh tek fëmijët që përdorimi i telefonave, përfshirja në rrjete sociale mund të përbëjë rreziqe të vërteta. Mësuesi duhet të flasë për pasojat që sjell internet i pasigurt. Edhe psikologu ka rol të rëndësishëm.

Të krijojë një mjedis të sigurt si dhe nga ana psikologjike ku të ndihen të lirë që të kontaktojnë psikologun dhe të shprehin të gjitha problemet që kanë”, tha Myzeqari.

Deklaratat e shokëve kanë ngritur dyshimin se 13-vjeçari po përgatiste një video për Tik Tok me një sfidë të ngjashme me lojën famëkeqe të balenës blu.

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>