OSBE/ODIHR-i hapi zyrtarisht në Tiranë misionin ndërkombëtar të vëzhgimit. Kryeministri Rama bën thirrje për të votuar, ndërsa opozita i mbetet qëndrimit për të mos hyrë në zgjedhje!
18 qershori do të jetë data e zgjedhjeve parlamentare të radhës, në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë. Këtë qëndrim bëri të ditur, kryeministri Rama në Kongresin Elektoral të PS, të zhvilluar në mënyrë simbolike në Durrës, dje, (09.05 në Ditën e Europës. “Zgjedhjet e 18 qershorit janë historike pasi në këto zgjedhje shqiptarët nuk do të vendosin se kush do të qeverisë në 4 vitet e ardhshme por si do të jetë nesër Shqipëria e atyre që lindin sot. Thërrasim në kutinë e votimit çdo shqiptar dhe shqiptare që e do Shqipërinë më shumë se partinë” tha kryeministri Rama.
Schütz: Qytetarët të ushtrojnë të drejtën për të votuar
Ambasadorja gjermane në Tiranë Sussanne Schütz u bëri thirrje para disa ditësh qytetarëve të Shqipërisë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Partia Demokratike vazhdon protestën e saj tremujore dhe deri më tani vazhdon të deklarojë që nuk merr pjesë në zgjedhje. Vendimi i kryeministrit Rama për të mos shtyrë zgjedhjet e 18 qershorit edhe pa arritur kompromisin që do të fuste PD në zgjedhje, vjen pas refuzimit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes PD dhe qeverisë, të propozuar nga BE me negociatorët e tij nga Parlamenti Europian, David McAllister dhe Knut Fleckenstein si edhe atyre të ndërmjetësuara nga Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta dhe Presidenti i Republikës Bujar Nishani.
Negociatat rezultuan pa sukses pasi kërkesa e PD për dorëheqje të Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike që do të garantonte zgjedhje te lira dhe të ndershme, nuk ishte pjesë e formulës së BE për të zgjidhur krizën. Kërkesa e PD u konsiderua jo e nevojshme. Vetë kryemnistri Rama e sheh mospjesëmarrjen në zgjedhje të PD si shprehje të frikës nga vettingu dhe vetë zgjedhjet.
Burime zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pohuan sot për DW se për të marrë pjesë në këto zgjedhje janë regjistruar 46 subjekte politike, përfshirë edhe ato parti që kanë qenë në aleancë me PD në zgjedhjet e kaluara. Janë publikuar listat e zgjedhësve, sipas të cilave rezulton që e drejta për të votuar u takon 3. 451 896 shtetasve shqiptarë, nga të cilët 136.239 votojnë për herë të parë.
OSBE/ODIHR-i – vëzhgim objektiv dhe i paanshëm i procesit zgjedhor të 18 qershorit
Misioni i Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE/(ODIHR-it filloi zyrtarisht të martën (09.05) punën e tij. Kreu i tij ambasadori Peter Tejler bëri me dije se për të vëzhguar procesin zgjedhor do të ketë 26 vëzhgues ndërkombëtarë që do të vendosen më ekipe prej dy vetësh në të gjithë vendin dhe 300 vëzhgues afatshkurtër, për të monitoruar procedurat e zgjedhjeve në ditën e votimit, më 18 qershor. (dw)