Pjesë nga Memorandumi “Dëbimi i shqiptarëve” që iu paraqit qeverisë mbretërore të Stojadonoviç-it më 7 mars 1937, ka shërbyer dhe shërben edhe sot e kësaj dite si platforma kryesore për spastrimin etnik të shqiptarëve
… Mënyra e shpërnguljes
Sikundër e kemi theksuar tashmë, shpërngulja në masë e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre është i vetmi kurs për ne. Për të realizuar shpërnguljen e një popullsie të tërë kërkesa e parë është që të krijohet një mendësi e përshtatshme. Ajo mund të krijohet në mjaft mënyra.
Sikundër e dimë, masat myslimane përgjithësisht influencohen lehtë sidomos nga feja, paragjykimet dhe fanatizmi. Prandaj, gjëja e parë që duhet të bëjmë është që të bindim klerikët dhe njerëzit e tyre me influencë me anë të parave ose kërcënimeve që ata të përkrahin shpërnguljen e shqiptarëve. Duhet të gjenden sa më shpejtë që të jetë e mundur agjitatorë nga Turqia, në qoftë se ajo do të na i japë, për të përkrahur shpërnguljen. Ata duhet të flasin për bukuritë në tokat e reja në Turqi, për jetën e lehtë dhe të rehatshme që bëhet atje, për fanatizmin fetar dhe të ngjallin krenarinë për shtetin turk midis masave. Shtypi ynë mund të japë një ndihmë të jashtëzakonshme në përshkrimin e shpërnguljes së njerëzishme të turqve nga Dobruzha dhe se sa mirë janë vendosur ata në tokat e reja. Këto përshkrime do të krijojnë midis masave të shqiptarëve predispozicionin e domosdoshëm për t’u shpërngulur atje.
Një mjet tjetër do të jetë shtrëngimi i ushtruar nga aparati shtetëror. Ligji duhet zbatuar deri në një për ta bërë qëndrimin e shqiptarëve të padurueshëm: gjobat, burgosjet, zbatimi i egër i urdhëresave të policisë, si ndalimi i kontrabandës, prerja e pyjeve, dëmtimi i bujqësisë, lënia e qenve zgjidhur, puna angari dhe mjete të tjera që mund të përdorë një forcë policore me përvojë. Nga pikëpamja ekonomike: mospranimi për të njohur tapitë e vjetra të tokës, puna me regjistrimin e tokës që duhet të përfshijë menjëherë vjeljen e pamëshirshme të taksave dhe shlyerjen e të gjitha borxheve private dhe publike, rekuizimi i të gjitha kullotave shtetërore apo komunale, shfuqizimi i koncesioneve, heqja e lejeve për ushtrimin e profesionit, pushimi nga puna në zyrat shtetërore, private apo komunale etj, do të shpejtojnë procesin e shpërnguljes së tyre. Masat në fushën e shëndetësisë: zbatimi me dhunë i të gjitha dispozitave madje edhe brenda shtëpive, duke rrëzuar të gjitha muret dhe gardhiqet rrethuese, zbatimi me rreptësi i masave veterinare që do të rezultojnë në ndalimin e shitjes së bagëtive në treg gjithashtu do të aplikohen në një mënyrë efektive dhe praktike. Kur vjen puna tek feja, shqiptarët janë shumë të prekshëm, prandaj ata mund të ngacmohen në këtë drejtim gjithashtu. Kjo mund të arrihet me një keqtrajtim të klerikëve të tyre, shkatërrimin e varrezave, ndalimin e poligamisë, dhe sidomos zbatimin e rreptë të ligjit që detyron vajzat të ndjekin shkollën fillore kudo që janë.
Iniciativa private gjithashtu mund të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Ne mund t’u shpërndajmë armë Kolonistëve tanë sipas nevojës. Format e vjetra të veprimit çetnik do të organizohen dhe do të mbështeten në mënyrë të fshehtë. Në veçanti, do të organizohet një vërshim i malazezve nga kullotat malore për të krijuar një konflikt në shkallë të gjerë me shqiptarët në “Metohi”. Ky konflikt do të përgatitet me anën e njerëzve tanë të besuar. Ai do të inkurajohet dhe kjo mund të bëhet më lehtë në kohën që shqiptarët do të jenë revoltuar vërtetë, atëherë e gjithë grindja do të paraqitet si një konflikt midis klaneve dhe do të shpjegohet me arsye ekonomike po të jetë nevoja. Më në fund, mund të sugjerohen rebelime lokale. Ato do të shtypen me gjak me anë të klaneve dhe të çetnikëve më tepër se sa me anë të ushtrisë.
Mbetet akoma një mjet, të cilin Serbia e ka përdorur me një efekt të madh pas vitit 1878, dhe kjo është djegia fshehurazi e fshatrave dhe lagjeve shqiptare nëpër qytete.
Organizimi i shpërnguljes
Nga harta e bashkëngjitur del e qartë se cilat rajone duhet të pastrohen. Ato janë: Dibra e Epërme, Pollogu i Poshtëm, Pollogu i Epërm, Malet e Sharrit, Drenica, Peja, Istogu, Vuçiterni, Stavica, Llapi, Graçanica, Nerodimja, Dalovia, Podgori, Gora, Podrimja, Gjilani dhe Kaçaniku. Midis këtyre rajoneve, që përbëjnë të gjithë bashkë pykën shqiptare, më të rëndësishmit për ne tani janë: Peja, Gjakova, Podrimja, Gora, Podgori, Sharri, Istogu dhe Drenica në veri të Maleve të Sharrit, sikundër dhe Dibra e Epërme dhe dy Pollogët në jug dhe Malet e Sharrit. Këto janë zona kufitare që duhet të pastrohen nga shqiptarët me çdo çmim. Rajonet e brendshme si Kaçaniku, Gjilani, Nerodimja, Graçanica, Llapi, Vuçiterni etj, mundësisht duhet të dobësohen, sidomos rajonet e Kaçanikut dhe të Llapit, ndërsa të tjerët duhet të kolonizohen gradualisht dhe sistematikisht në një periudhë prej dhjetëra vjetësh.
Mjetet e përmendura më lart do të përdoren në radhë të parë në rajonet kufitare, në rast se ne duhet t’i pastrojmë ato nga shqiptarët.
Gjatë ripopullimit duhet të mbajmë mend këto që vijon:
Në radhë të parë, ripopullimi duhet të fillojë në fshatra dhe pastaj në qytete. Duke qenë më kompaktë, fshatrat janë edhe më të rrezikshëm. Pastaj gabimi i shpërnguljes së varfanjakëve vetëm do të shmanget: shtresat e mesme dhe të pasura përbëjnë shtyllën kurrizore të çdo kombi, prandaj ato duhen persekutuar dhe duhen pastruar. Duke mos pasur mbështetjen e bashkëpatriotëve që janë të pavarur ekonomikisht, varfanjakët nënshtrohen më lehtë. Kjo çështje ka një rëndësi të madhe dhe po e theksoj këtë për arsye se një nga shkaqet kryesore që kemi pak sukses në kolonizimin tonë të jugut është se të varrfërit u dëbuan, ndërsa të pasurit mbetën, kështu që ne nuk bëmë përpara, sepse fituam fare pak tokë për vendosjen e Kolonistëve tanë. Gjatë krijimit të mendësisë për shpërnguljen, duhet të bëhet çdo gjë e mundur për të shpërngulur fshatra të tërë ose të paktën familje të tëra. Një gjendje e tillë, në të cilën një pjesë e familjes largohet kurse pjesa tjetër mbetet duhet të mënjanohet me çdo kusht. Shteti ynë nuk ka ndërmend të shpenzojë miliona për ta bërë jetën më të lehtë për shqiptarët, por të heqë qafe sa të jetë e mundur më shumë prej tyre. Për këtë arsye blerja e tokave të shqiptarëve që shpërngulen nga ata që mbeten prapa duhet të ndalohet në mënyrë absolute. Largimi i individëve dhe i fshatrave të tërë mund të lidhet edhe me pyetjen nëse ata duan ta kenë më të lehtë procesin e shpërnguljes.
Me të dhënë pëlqimin për shpërngulje, atyre u duhet dhënë e gjithë ndihma e duhur. Procedura administrative do të thjeshtëzohet, prona e tyre do të paguhet në vend, dokumentet e udhëtimit do të lëshohen pa asnjë formalitet, dhe atyre do t’u jepet ndihmë për të shkuar në stacionin më të afërt të trenit. Trenat do të jenë gati për t’i dërguar deri në Selanik, nga ku ata do të hipin menjëherë në anije për në Azi. Ka shumë rëndësi që udhëtimi i tyre të jetë i lehtë, i rehatshëm dhe i lirë. Mundësisht udhëtimi me tren të jetë pa para dhe ata të ndihmohen me ushqime, sepse nga kjo do të varet shumë nëse do të shpërngulen masa të mëdha njerëzish apo jo. Frika e vështirësive të udhëtimit do të jetë pengesa kryesore në lëvizjen e tyre. Prandaj ajo mund të kapërcehet duke zgjidhur të gjitha problemet e lidhura me udhëtimin shpejt dhe energjikisht. Një kujdes i veçantë duhet të bëhet për të siguruar se ata do të kenë sa më pak vështirësi në udhëtim, sepse njerëzit e thjeshtë orientohen me vështirësi. Prandaj do të jetë e këshillueshme të studijohet sistemi i transportit nga agjenci të mëdha udhëtimi dhe të përdoret ky studim. Personi i shpërngulur duhet të kalojë nga dora në dorë pa e ndjerë barrën e kësaj çvendosjeje. Vetëm në këtë mënyrë është e mundur të krijohet ai vërshim shqiptarësh të shpërngulur që do të zbrazë jugun tonë prej tyre…
Memorandumin e plotë, mund ta lexoni në: