Mjekimi në bazë të specifikave gjenetike

Presidenti Barack Obama po kërkon që të investohen 215 millionë dollarë për një nismë të re të shëndetësisë, e cila do të ndihmonte në përshtatjen e trajtimit mjekësor të njerëzve me gjenet e tyre.Presidenti Obama propozoi sot që shumica e fondeve t’i jepet Institutit Kombëtar të Shëndetësisë dhe degës së tij, Institutit Kombëtar të Kancerit, për krijimin e “ilaçit të saktë”, një trajtim që do të zëvendësonte trajtimin me një mjekim që t’i përshtatet të gjithëve.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se “shumica e trajtimeve të deritanishme janë menduar për pacientin e zakonshëm dhe si rezultat, ato mund të jenë të sukeseshme tek disa pacientë, por jo për disa të tjerë”.

Fondet e kërkuara nga Presidenti do të përdoren për grumbullimin e gjeneve, të dhënave kimike dhe të stilit të jetesës nga një milionë vullnetarë, të cilët do të përfshihen në studim, për të përcaktuar se si variantet gjenetike ndikojnë tek shëndeti dhe sëmundjet e njerëzve. Por fillimisht, nisma, e cila është pjesë e buxhetit të Presidentit për vitin 2016, duhet të miratohet nga Kongresi i kontrolluar nga republikanët. (voa)

Hungaria – Ndërmjet Rusisë dhe BE

Marrëdhëniet mes Hungarisë e BE janë të ftohta. Për herë të parë të hënën Angela Merkel shkon në Budapest për t’u takuar me Viktor Orbán. Kjo nuk është një vizitë normale, sepse kreu i qeverisë tenton drejt Rusisë.Hungaria prej vitesh ka qenë një shqetësim politik për Bashkimin Evropian. Kryeministri Viktor Orban, që erdhi në pushtet në fillim të vitit 2010 me një shumicë prej dy të tretash, e ka ndryshuar vendin në kundërshtim me shumë vlera themelore të BE-së. Që atëherë marrëdhëniet mes Hungarisë dhe BE dhe shteteve të tij anëtare janë përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme. Edhe marrëdhëniet me Gjermaninë, partnerin më të rëndësishëm ekonomik dhe për kohë të gjatë dhe politik të Hungarisë, janë dëmtuar.
Pavarësisht nga këto kancelarja gjermane Angela Merkel shkoi të hënën për një vizitë të shkurtër në Budapest, për herë të parë që prej ardhjes në pushtet të Orbanit. Kjo është një vizitë befasuese, pasi Merkel një vit më parë hezitoi të shkojë në Hungari për të marrë pjesë në festimet e 25 vjetorit të rënies së Perdes së Hekurt. Edhe pse Budapesti insistonte për pjesëmarrjen e saj.
Merkel në një vizitë pesëorëshe
Gjatë qëndrimit të saj vetëm pesë orë ajo takon kryeministrin e Hungarisë në një darkë pune, si dhe presidentin János Áder, përfaqësues të komunitetit hebre si dhe studentë. Sipas njoftimit të shkurtër të zyrës federale të shtypit Merkel dhe Orban do të diskutojnë për “çështje dypalëshe dhe evropiane, për zhvillimet aktuale në Hungari dhe gjendjen në Ukrainë.”

Zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltán Kovács nuk është shumë më i qartë: “Gjermania është partneri më i rëndësishëm strategjik i Hungarisë”, tha Kovács. “Ndryshimi i tanishëm i situatës gjeopolitike, situatës në Ukrainë, por edhe politika energjetike dhe marrëdhëniet e ngushta ekonomike gjermano-hungareze janë faktorë, që flasin vetë për vizitën e kancelares gjermane në Budapest.”
RTL i duket qeverisë Orbán shumë kritik
Në një bisedë me Orban, Angela Merkel pritet që të mos e fshehë atë që mendon për zhvillimet e brendshme politike në Hungari. Në lidhje me këtë ajo është pozicionuar në mënyrë kritike edhe më parë. Në takim do të flitet për çështjen e lirisë së shtypit si dhe për “rastin RTL”. Vitin e kaluar qeveria futi një taksë mbi të ardhurat nga reklamat, që prekin kryesisht stacionin televiziv me kuotat më të larta të shikueshmërisë, RTL. Që atëherë ai kaloi befas nga një linjë apolitike në një linjë kritike ndaj qeverisë. Tani qeveria Orbán ka ndërmend të ulë taksat e reklamave për RTL. Momentalisht shefi i kancelarisë së Orban-it, János Lázár, po diskuton me kryesinë e RTL-it në Luksemburg rreth kësaj çështjeje.
Edhe shprehjet e fundit ksenofobe të Orban-it mund të jenë temë diskutimi. Kryeministri hungarez tha pas sulmeve të Parisit, se Evropa duhet të ndalojë emigracionin e njerëzve nga kultura të tjera. Vendi i tij gjithsesi duhet të mbetet i hungarezëve.
Temë e nxehtë sanksionet kundër Rusisë
Me të vërtetë vizita e Merkelit në Budapest duhet të ketë të bëjë në rradhë të parë me luftën në Ukrainë dhe me sanksionet kundër Rusisë, besojnë vëzhguesit. Si anëtar i BE, Hungaria i ka miratuar deri tani ato me zor, po jo pa theksuar se është kundër tyre. Ato dëmtojnë interesat ekonomike të Hungarisë, si dhe të Bashkimit Europian dhe s’arrijnë asgjë politikisht, është ankuar disa herë Orbán muajt e fundit. “Vizita e Merkelit në Budapest është për këtë arsye një lloj testimi”, tha ish -iplomati dhe eksperti i politikës së jashtme Attila Ara-Kovacs. “Kancelarja gjermane do të zbulojë se deri ku shkon Orbán dhe nëse mund ta mbajë atë nën kontroll.”

Këtu nuk është fjala vetëm për çështjen e sanksioneve, momentalisht shumë e diskutuar në BE, por në përgjithësi për “politikën e hapjes së Hungarisë në lindje”. Për të reduktuar varësinë ekonomike të Hungarisë nga BE, Orbán kërkon prej kohësh marrëdhënie më intensive me Rusinë, Kinën, sidhe Azerbajxhanin, Turkmenistanin dhe Kazakistanin.
Marrëveshja e Orbánit me Putinin
Rusia luan në këtë politikë rolin kyç. Me Putinin Orban gjatë vizitës së tij në Moskë para një viti ra dakord për një kredi prej dhjetë miliardë eurosh për zgjerimin e centralit bërthamor në Paks në jug të Budapestit. Në një fjalim verën e kaluar Orbán lavdëroi Rusinë si model suksesi dhe bëri në të njëjtën kohë të ditur, se në Hungari tani e tutje do të ndërtohet një “shtet joliberal, vlerat kryesore të të cilit janë kombi, komuniteti dhe puna. Kohët e fundit Orbán është shprehur se organizatat joqeveritare, që janë aktive në Hungari dhe marrin para nga jashtë, duhet të kenë një regjistrim të posaçëm, ngjashëm si në Rusi.
Duket si një lojë pokeri e politikës së jashtme, që vetëm dy javë pas kancelares gjermane, më 17 shkurt në Budapest vjen presidenti rus Vladimir Putin. Zëdhënësi i qeverisë, Zoltán Kovács, thotë se në rradhë të parë do të bëhet fjalë kryesisht për politikën energjetike hungareze. Akoma nuk janë sqaruar të gjitha detajet e marrëveshjes së fshehtë për zgjerimin e centalit bërthamor në Paks. Megjithatë, thotë Kovács, këtë vit përfundon kontrata për furnizimet e Hungarisë me gaz rus. Do të negociohen kontrata të reja dhe Rusia është partner kyç i Hungarisë për energjinë. Temat e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Rusi Hungaria nuk do t’i cekë, thotë Kovács, ato janë çështje të brendshme të Rusisë. Por vizita e Putinit në Budapest nuk do të thotë se Hungaria vë në ndonjë farë mënyre në diskutim detyrimet evropiane dhe euroatlantike të Hungarisë.
Por pikërisht këtë do të arrijë Putini, mendon sociologu hungarez Pál Tamás, prej kohësh një ndër njohësit më të mirë të marrëdhënieve hungarezo-ruse. “Sipas filozofisë shtetërore ruse Orbán është si Jonasi i Biblës, i cili u gëlltit nga peshku i madh, pra në këtë rast BE, dhe jep shenja prej stomakut të tij”, thotë Tamás. “Meqenëse në stomakun e balenës janë edhe të vegjël të tjerë, shenjat e Orbánit mund t’i inkurajojnë edhe ata. Kjo do t’i pëlqente Putinit.” (dw)

A mendojmë ne me drejtim nga e majta në të djathtë?

Zogjtë e pulës i lidhin sasitë e vogla me anën e majtë, ato të mëdha me anën e djathtë. Biopsikologu Onur Güntürkün mendon se pas kësaj fshihet një aftësi e lindur për drejtimin.Studiues të mbledhur në një grup pune përreth psikologes Rosa Rugani nga Universiteti i Padovas kanë zbuluar se zogjtë e pulës treditësh, numrat e mëdhenj i lidhin me drejtimin djathtas, ndërsa numrat e vegjël me drejtimin majtas. Në një eksperiment zogjtë kërkonin ushqimin në një dhomë komplet të bardhë. Ushqimi ishte fshehur pas një fasade të bardhë, shpjegon Rugani në revistën „Science“ të publikuar më 29 janar 2015. Në rast se zogjtë e pulës arrinin ta gjenin ushqimin 20 herë, mund të thuhet se ata ishin të trajnuar. Më pas ata u dërguan në një dhomë, ku duhej të zgjidhnin mes dy fasadeve. Nëse tek të dyja fasadat ishin vendosur dy pika, 70% e zogjve merrnin drejtimin e majtë. Nëse në fasada vendoseshin tetë pika, 70% e zogjve të pulës zgjidhnin fasadën e djathtë. Ushqimi pas fasadeve mbetej i pandryshuar.

Prej këtij eksperimenti studiuesit arritën në përfundimin e përshkrimit të numrave në tru, si një rradhë e pandërprerë numrash nga e majta në të djathtë. Mbi këto rezultate, Deutsche Welle ka biseduar me biopsikologun Prof. Onur Güntürkun nga Universiteti i Bochumit.
Profesor Güntürkün, ju vetë keni eksperimentuar me pëllumbat për shkencat e neurologjisë. Çfarë do të thotë ky eksperiment i koleges nga Padova për aftësinë tonë të të kuptuarit nga e majta në të djathtë?
Ka shumë të dhëna nga studimet për këtë ҫështje. Disa lidhen me njerëzit dhe janë të vështira për t’u interpretuar, sepse mund të kenë ndikimin e faktorëve kulturorë. Por ka edhe studime pas eksperimenteve me majmunë. Dhe ato po ashtu arrijnë në konkluzionin se ne numrat i perceptojmë si një vijë mentale. Ne, njerëzit dhe qenie të tjera duket se i perceptojmë numrat vërtet si një radhë pasuese gjithnjë në rritje. Kjo nuk do të thotë që rritja e numrave ndodh nga e majta në të djathtë, por duket se strukturimi i tyre ka një drejtim.
Studimet nga psikologja Rugani nga grupi eksperimentues i studiuesit të neurologjisë, Giorgio Vallortigara, tregojnë se zogjtë e pulës, të sapolindur duket se kanë një tendencë perceptimi nga e majta në të djathtë.
Pse a mund të numërojnë zogjtë e pulës?
Tek zogjtë e pulës, por edhe tek qeniet e tjera jo njerëzore nuk kemi të bëjmë me numërimin si të tillë, por me një lloj vlerësimi përafrues. Madje edhe vetë njerëzit kur nuk numërojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por shkarazi, mund të bëjnë një lloj vlerësimi se 1 është më i vogël se numri 2, që numri 3 është më shumë se 2.
Kështu edhe ne tek eksperimenti me zogjtë e pulës, duhet të zmadhojmë distancën –sepse nuk bëhet fjalë për numërimin si e kuptojmë ne njerëzit. Kjo lloj llogaritjeje me sasi, megjithatë mund të përshkruhet në formë numerike. Në kuptimin që shumë-do të thotë më shumë, më shumë –edhe më shumë e kështu me radhë.
Ne njerëzit nuk do ta fillonim një aks kohor nga e djathta e ta vazhdonim në të majtë, edhe në sistemin koordinativ boshtet numerike x dhe y fillojnë nga e majta drejt së djathtës. A mund të thuhet se kjo është e programuar?
Pikërisht këtë të sugjerojnë këto të dhëna. Po qe se numrat i perceptojmë si sasi, mund të ndodhë që sasia në rritje korrespondon me një strukturë në tru me një drejtim. Me gjysmën e majtë drejt diҫkaje, me drejtimin e djathtë në largim.
Duhet ta kuptojmë ne veten si një reflektim në pasqyrë: Gjysma e majtë e trurit është përgjegjëse për anën e djathtë, dhe anasjelltas?
Po është vërtet kështu: Tek zogjtë e pukës, syri i majtë sheh fasadën e majtë, dhe i djathti, fasadën djathtas. Syri i djathtë transmenton informacione në gjysmën e majtë të trurit, dhe i majti në gjysmën e djathtë të trurit. Edhe tek njeriu mekanizmat janë pak a shumë kështu, vetëm se tek ne në këtë proces transmentimi marrin pjesë të dy sytë.
Neurologu zviceran Peter Brugger nga klinika universitare e Zyrihut në një koment për këtë studim ka hedhur dyshimin se ana e djathtë asociohet „pozitivisht“ –më shumë ushqim, ose „më mirë“. A mund ta konfirmoni këtë?
Ne e dimë se gjysma e majtë e trurit nuk përpunon gjërat „pozitive“, por bëhet fjalë më shumë për një lloj sjelljeje afrimi. Po qe se unë jam tani tejet i zemëruar me ju, dhe dua t’ua fus me grusht, kjo sigurisht nuk është një ndjenjë pozitive. Megjithatë orientimi vazhdon të bëhet me anën e majtë.
Pra një numër i madh nuk do të thotë patjetër diҫka pozitive, megjithëse testi u bë me ushqim. Besoj më shumë se mund të ketë lidhje me drejtimin e lëvizjes, që në tru është i koduar në mënyrë asimetrike.
Që do të thotë: Dua të mbërrij tek diҫka, shpesh ndodh kjo, dua të marr diҫka të ngrohtë, të shijshme, të afrohem tek diҫka e mirë. Por unë tentoj afrimin edhe për të bërë diҫka jo të mirë, si në rastin e grushtit. Kjo do të thotë: Veprimi i afrimit perceptohet me gjysmën e majtë të trurit, dhe ai i largimit nga diҫka me gjysmën e djathtë. Por ka mundësi që ky reagimi afrim-largim të lidhet edhe me kodin e sasisë. Nga „pak“ në „shumë“. Kjo sidomos sepse në eksperimentin me zogjtë e pulës, sasia, si „pak“ ashtu edhe „shumë“ u lidh me të njëjtën sasi ushqimi. Por zogjtë pritën me sa duket më shumë ushqim, aty ku truri i tyre asocioi sasinë më të madhe.
Ka sisteme shkrimi që kanë drejtimin nga e majta në të djathtë, të tjera në drejtimin e kundërt. Çfarë ndodh në këtë rast në tru?
Asimetria lidhet me drejtimin e shkrimit latin, kirilik apo grek, por ndryshon puna me shkrimin arab apo hebraik. Nëse kjo do të thotë diҫka për këtë vetëm mund të spekulojmë. Po qe se drejtimi është i lindur, siҫ po mendojmë pas konkluzioneve në eksperimentin me zogjtë e pulës, atëherë kjo nuk do të thotë patjetër, që ne nuk mund të zhvillojmë një kulturë që preferon drejtimin e kundërt.
Për shembull në katolicizëm njohim kulturën e askezës në një radhë profesionesh, gjë që nuk është menduar në mënyrë biologjike dhe nuk përkrahet me evolucionin. Kjo kulturë pra është zhvilluar në drejtim të kundërt me mekanizmat biologjikë. Pra kultura mund të fshijë parapërfytyrimet biologjike. Pse shkrimi semitik mund të bjerë ndesh me një paracaktim të mundshëm biologjik nga e majta në të djathtë nuk mund ta them. Këtë mund ta thonë historianët. Shpesh zhvillime të kulturore lidhen ngushtë me një situatë, apo edhe një person që në një fazë kritike bën diҫka që në fund shtrihet tek të gjithë.
Intervistën e zhvilloi Fabian Schmidt.
Profesor Onur Güntürkün është biopsikolog në Fakultetin e Psikologjisë së Universitetit Ruhr në Bochum. Ai u nderua në vitin 2013 me ҫmimin e njohur „Gottfried-Wilhelm Leibnitz“, që vlerëson studiuesit për rezultate kërkimore të shpjeguara në mënyrë të kuptueshme për publikun. (dw)

Koment: etja për të dhëna e Facebook-ut

Facebook kërkon sa më shumë të dhëna. Përdoruesit ose do ta pranojnë këtë, ose do të largohen prej tij. Pakti faustian midis gjigantëve të internetit dhe përdoruesve bëhet gjithnjë e më i qartë, mendon Matthias von Hein.Ti nuk je klient i koncerneve të internetit, ti je produkti i tyre. Kështu është shprehur në mënyrë konçize pionieri i internetit Jaron Lanier. Këtë mesazh qendror e bën të ditur që në faqen e parë libri i tij “Kujt i përket e ardhmja?” Në këtë libër Lanier – që vitin e kaluar mori Çmimin e Paqes të Tregtisë Gjermane të Librit- analizon tendencat aktuale në ekonominë e rrjetit. Rezultati: tendenca ecën në drejtim të “Big Data”, në drejtim të përgjimit total dhe shfrytëzimit të mëtejshëm komercial. Facebooku e nxit këtë tendencë me rregullat e reja të biznesit.
Përsa i përket së ardhmes: janë tregjet financiare ato që bëjnë biznes me shpresat për të ardhmen. Dhe ato e vlerësojnë Facebook-un aktualisht me rreth 200 miliardë dollarë, 65% më tepër se një vit më parë. Bursistët duken shumë të bindur: Facebook-u do të ketë një pjesë të rëndësishme në të ardhmen. Dhe nuk mund t’i keqkuptosh për këtë që thonë: vitin e fundit, fitimi i pronarit të rrjetit më të madh social ishte rreth tre miliardë dollarë: me reklama. Me reklama të personalizuara. Të orientuara qartë te cilësitë vetjake të përdoruesve- ashtu si i llogarisin ato algoritmet e Facebook-ut. Ato janë sekrete. Po sa mund të mësosh për një njeri, vetëm nga klikimi që ai i bën butonit “Like”, këtë e publikuan në mes të janarit shkencëtarët e universiteteve Stanford dhe Cambridge.
Likes zbulojnë personalitetin
Ekipi amerikano-britanik ka zhvilluar një algoritëm, i cili pasi analizon 100 deri 150 “Likes” arrin në informacione më të sakta për karakterin e një njeriu se sa bashkëshorti apo bashkëshortja e atij personi. Dhe Facebook-u nuk njeh vetëm “Likes” tonat: ne postojmë lajme, fotografi, transmetojmë mesazhe, pasione, interesa. Gati 900 milionë përdorues kujdesen që me përdorimin e përditshëm profilet të jenë gjithmonë aktuale, rreth 1,4 miliardë janë një herë në muaj aktiv në Facebook. Lakminë për të dhëna të Facebook-ut nuk e kënaq dot as kjo rrjedhë e majme me informacione personale. Tani te Facebook-u po hyjnë në fuqi rregulla të reja të biznesit. E reja kryesore: në të ardhmen Facebook-u kërkon të dijë se ç’bëjnë përdoruesit e tij edhe jashtë Facebook-ut. Dhe Facebook-u kërkon të dijë edhe se ku ndodhemi ne në një moment në jetën reale. Në fund të fundit, një e katërta e përdoruesve i përdor me smartfon shërbimet e Facebook-ut. Dhe çfarë tjetër mund të sillte më shumë sukses për Facebook-un se sa vërshimi i reklamave nga firmat përreth vendit ku ndodhemi?
“Ha ose vdis”
Madje edhe Bundestagu u mor me rregullat e reja. Në Komisionin Juridik deputetë dhe specialistë të të dhënave e kritikuan Facebook-un për mënyrën si i përdor të dhënat e përdoruesve. Por në të kaluarën Facebook-u e ka bërë veshin shurdh ndaj kritikave të tilla – njësoj si edhe Google dhe kompani. Gjigantët e internetit janë mësuar që t’i përcaktojnë vetë rregullat për botën digjitale.
E vetmja alternativë që i mbetet përdoruesit: largimi nga Facebook-u. Po këtë do ta bëjnë shumë pak. Sa më gjatë që ka qenë dikush në këtë rrjet, sa më shumë fotografi që ka postuar atje, aq më pak do të ketë dëshirë të largohet prej atje. (dw)

Tentativё pёr puҫ apo luftё brutale pёr pushtet nё Maqedoni?

Nё Maqedoni hkallёzohet kriza nё politikёn e brendshme mes qeverisё dhe opozitёs. Qeveria akuzon opozitёn pёr plane pёr njё grusht shteti. Ndёrsa opozita akuzon qeverinё pёr kriminalitet dhe afera korruptive.Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë pas realizimit të aksionit policor të koduar “Puçi” ka ngritur kallëzime penale kundër katër personave në mesin e të cilëve është edhe lidei i opozitës maqedonase Zoran Zaev, për veprat penale spiunazh, dhunim të funksionarëve shtetërorë dhe tentim për marrjen e pushtetit të zgjedhur në mënyrë demokratike. “Në takimet me kryeministrin Gruevski, lideri i opozitës Zaev ka lëshuar kërcënime serioze duke thënë se posedon prova me karakter komprometues për funksionarë shtetërorë. Kërcënimet i ka konkretizuar duke kërkuar nga VMRO-DPMNE që të pranojë formimin e qeverisë teknike dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Si këmbim, Zaev ka premtuar se nuk do të publikojë provat që posedon”,shprehet zëdhënësi i Ministrisё sё Punëve të Brendshme Ivo Kotevski..
Kryeministri i gatshëm të dëshmojё në gjyq
Nëse nuk pranojmë formimin e qeverisë teknike, u kërcënuam se do të bëhen publike informacionet, të cilat lideri i opozitës i ka mbledhur nga përgjimet përmes ndihmës së shërbimeve të huaja të intelegjencës në mënyrë kundërligjore ka thënë kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski në paraqitjen e drejtëperdrejt para opinionit vendas. Ai ka shtuar se Zaevi e ka njoftuar se në bashkëpunim me disa shërbime sekrete të huaja, ka siguruar inҫizime telefonike të krerëve të shtetit duke filluar nga parlamenti, presidenca,kryeministria, përfaqësues të 35ve dhe intelektualëve që kanë ndikim në opinion. “E shihja dhe e dëgjoja shefin e opozitës se si qëndron ulur përballë meje dhe flet me krenari se si ka bashkëpunuar me shërbimet e huaja, nga të cilat është furnizuar me materiale që janë siguruar në mënyrë ilegale dhe që një pjesë është montuar. Nuk mund të besoja se njeriu, i cili pretendon të drejtojë shtetin, bashkëpunon me shërbimet e huaja. Për të gjitha këto ekzistojnë prova “të forta”, është shprehur kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, duke u zotuar se të gjitha këto dëshmi do t’i prezantojё në sencën gjyqësore, e cila siç ka theksuar do të jetë e hapur për opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar.
Zaev : Maqedonia do ta mësojë të vërtetën
Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, është shprehur se aksioni policor dhe akuza ndaj tij paraqesin tentim të pushtetit për të penguar zbardhjen e kriminalitetit nga ana e qeverisë aktuale me në krye kryeministrin Gruevski.”Edhe nëse Zaevin dhe gjysmën e Maqedonisë e arrestojnë dhe e akuzojnë, të vërtetën do ta mësojnë të gjithë dhe askush nuk mund ta ndalojё këtë proces”, ka deklaruar lideri i opozitës maqedonase, duke i bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të kyçet në këtë proces, ngase siç ka theksuar ai, organet policore dhe i tërë sistemi gjyqësor në Maqedoni janë nën direktivën e politikës.
SHBA dhe BE kërkojnë transparencё të procesit
Ndërkombëtarët kërkojnë nga institucionet shtetërore që të jenë të kujdesshme në rrjedhën e mëtejme të procesit ndaj liderit të opozitës Zoran Zaev. Ambasada amerikane në Shkup kërkon proces transparent dhe të pavarur gjyqësor. „Po ndjekim me shqetësim rastin penal kundër kreut të opozitës Zoran Zaev dhe arrestimin e tre personave të tjerë nën akuzën se kanë bërë përpjekje të kërcënojnë rendin kushtetues. Ftojmë autoritetet që në rrjedhën e mëtejme të rastit të përmbushin standardet më të larta të sundimit të ligjit, transparencës, drejtësisë, të mbrojtjes së fjalës së lirë, si dhe të pavarësisë së gjyqësorit me qëllim sigurimin e integritetit të proceseve demokratike në Maqedoni’, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-sё në Shkup.
Edhe nga Bashkimi Europian kërkojnë nga institucionet vendase të jenë të kujdesshme dhe të dëshmojnë profesionalizëm dhe transparencë, për shkak të ndjeshmërisë së këtij rasti. “Akuzat kanë të bëjnë me gjoja spiunim dhe kërcënime të dhunshme të drejtuara ndaj përfaqësuesve të qeverisë me qëllim cёnimin e rendit kushtetues. Këto janë akuza shumë serioze dhe ne rikujtojmë në të drejtën e patjetërsueshme për hetime të pavarura dhe transparente në rast të çfarëdo lloj veprimtarie të gabuar, respektim të plotë të të drejtave të të akuzuarve në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe parimin e prezumimit të pafajësisë”, thuhet në reagimin me shkrim të shërbimit diplomatik të BE-së
Analistët: Maqedonia po hyn në destabilizim
Padinë penale ndaj Zoran Zaevit dhe shfaqjen kërcënuese të kryeministrit Gruevski, analistët politik e cilësojnë si një përpjekje të pushtetit për të zbutur ndikimin në publik të ‚bombës‘ së opozitës. Analisti Eroll Rizaov,thotë se Gruevski demonstroi shenja frike dhe shqetësimi për përmbajtjen e materialeve, për një pjesë të të cilave pranoi se janë të vërteta.
“Shihet se pushteti ka punuar dhe ka përgatitur një skenar se si të frikësojë jo vetëm opinionin, por edhe vetë aktorët e skenës politike. Sipas gjuhës së trupit, sipas mënyrës në të cilën e tha Gruevski, u pa shqetësimi i tij i thellë, u pa edhe frika. Unë tashmë thash se ky është sindrom i luanit të lënduar dhe në një situatë të tillë bëhet i rrezikshëm. Maqedonia bëhet shtet ku presioni është i madh dhe po hyjmë në një kohë të rrezikshme të jetesës”, vlerёson analisti Eroll Rizaov.
Fjalimi i kryeministrit Gruevski ishte shumë interesant, sepse nga njëra anë ishte moment stresi, ndërsa nga ana tjetër është tentativë për të treguar stabilitet dhe trimëri. Është e qartë se dalja e tillë e kryeministrit vetë në foltore, pranimi se disa prej materialeve janë të vërteta, thjesht tregon se Prokuroria do të ketë shumë punë, thotë analisti Suad Misini. “Kërcënime të tilla vështirë mund t’ia kishte lejuar vetes edhe komunisti më i madh dhe më ortodoks; të dilte publikisht në televizion dhe të akuzonte kundërshtarin politik se është spiun dhe bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja sekrete dhe se punon kundër interesave të shtetit. Diçka të tillë unë nuk e kam parë dhe nuk e kam dëgjuar kurrë”, shprehet Misini.
Maqedonia ndodhet para një krize të thellë politike e madje edhe destabilizuese për sigurinë e vendit, thotë analisti politik Petar Arsovski. “Zhvillimet e fundit në mënyrë plotësuese do ta komplikojnë gjendjen edhe ashtu të brishtë politike, por ndoshta edhe do të radikalizojnë tërë situatën në Maqedoni. Mendoj se kryeministri Gruevski me paraqitjen e tij e ka vënë në një situatë më të keqe liderin e opozitës, pasi në vend të tij, tani lojën do ta luajë lideri i VMRO-DPMNE-së“, vёren Arsovski.
“Por, nga ana tjetër edhe materialet që do të publikohen, e për të cilat edhe vetë Gruevski tha se një pjesë e tyre janë të vërteta, do ta venë qeverinë në një situatë aspak të mirë. Na pret një periudhë aspak e mirë për të ardhmen e vendit. Por, duhet të presim të publikohen dëshmitë, për të cilat tani disa muaj flet lideri i opozitës”, thotë analisti politik, Petar Arsovski.
Profesor Tanja Karakamisheva vlerëson se lideri i LSDM-së Zoran Zaev duhet dënuar për tradhti. “Në nenin 305 të Kodit Penal në Repiblikёs sё Maqedonisё në mënyrë të qartë thuhet se ai i cili me përdorim të forcës ose kërcënimit serioz do të tentoj ta ndryshojё rendin kushtetues ose t`i luftojë organet më të larta shtetërore, do të dënohet me burg më e pakta pesë vite, thekson profesor Karakamisheva.

Kryetari Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, tani disa muaj paralajmëron aktivizimin e ‚bombave‘, siç i quante ai dëshmitë e shumta që ka arritur t’i sigurojë për “punën kriminale dhe aferat e shumta të qeverisë aktuale“, por ishte kryeministri Nikolla Gruevski ai që më parë doli në opinion duke akuzuar Zaevin se përmes shërbimeve të jashtme sekrete tenton të rrëzojë qeverinë aktuale.
Opozita nёn drejtimin e tё akuzuarit Zaev bojkoton prej njё viti parlamentin. Ajo pretendon se zgjedhjet e fundit parlamentare janё falsifikuar nga qeveria. Koalicioni i Gruevksit ka paraqitur njё projektligj nё parlament, pёrmes tё cilit deputetёve tё opozitёs t’u hiqet e drejta e pёrfaqёsimit tё elektoratit pёr shkak tё bojkotit. (dw)

Gruevski: Zaevi bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete

Kryeministri Nikolla Gruevski pretendon se aferat e paralajmëruara si bomba nga opozita, lideri i LSDM-së Zoran Zaev i ka siguruar në mënyrë të jashtëligjshme, në bashkëpunim me shërbime të huaja sekrete. Gruevski nuk precizoi se për agjencinë e cilit shtet bëhet fjalë, por tha se Zaevi i ka konfirmuar disa herë burimin e informatave, gjatë 4 takimeve mes 2 liderëve.
“Në këto takime z. Zoran Zaev kërkoi nga unë formimin urgjent të Qeverisë teknike, duke më informuar se në bashkëpunim me një shërbim të huaj inteligjent, ka siguruar biseda të xhiruar telefonike, thuajse nga i gjithë kreu shtetëror, duke filluar nga presidenti, parlamenti, qeveria, 35t dhe persona të tjerë politik dhe publik, nga pushteti dhe opozita… Ai më tregoi disa biseda telefonike, për të cilat konstatova se një pjesë janë të sakta, një pjesë gjysmë të sakta dhe një pjesë të pasakta. Megjithatë fakti se një pjesë e tyre ishin të sakta, dëshmonte seriozitetin e situatës”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Përplasjen me Zaevin, kryeministri do ta vazhdojë në Gjykatë, ku do të deponojë dëshmitë e tij për përfshirjen e Zaevit në spiunazh dhe tentim për marrjen me dhunë të pushtetit.

“Do të përgjigjem të gjitha pyetjeve në procesin gjyqësor, i cili do të jetë publik dhe transparent për opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar. Ju bëj thirrje të gjithëve të ndiqni rastin me vëmendje, ti njihni spekulimet dhe montimet. Prej sot do të dëgjoni çfarëdo lloj spekulimesh. E vërteta do të del në shesh. Për gjithçka ekzistojnë dëshmi të forta”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Ndërkohë, në një deklaratë me shkrim për Alsat M, Zaev thotë se skenari i sotëm i pushtetit është tentim për të parandaluar publikimin e aferave që ka në dorë. Ai ka përgënjeshtruar akuzat për shantazh dhe kërcënime ndaj kryeministrit.

‘Bëhet fjalë për tentim të pushtetit të pengojë zbardhjen e dëshmive dhe argumenteve’, shkruan Zaev për Alsat M.

Edhe pas padisë kundër tij, lideri i LSDM-së insiston se nuk do të heq dorë nga publikimi i skandaleve. Benjamin Arifi

Padi penale kundër Zaevit, i dyshuar për “puç” shtetëror

Padi penale për liderin e opozitës Zoran Zaev. Prokuroria Publike akuzon Zaevin për dhunë në tentativë ndaj përfaqësuesve më të lartë shtetëror. Hetimi ndaj Zaevit është hapur kur MPB-ja ngriti padi penale kundër liderit të LSDM-së. Zaev dyshohet se e ka kërcënuar dhe shantazhuar kryeministrin Nikolla Gruevski. Sipas MPB-së, Zaev i ka kërkuar kryeministrit Gruevski formimin e qeverisë teknike dhe zgjedhje të parakohshme, duke kërcënuar se nëse nuk pranon këtë kërkesë, do të publikojë materiale komprometuese dhe biseda të funksionarëve qeveritarë.‘I denoncuari i katërt ka realizuar disa takime personale dhe komunikime telefonike me Kryetarin e Qeverisë të RM-së, më 28/09/2014, më 09.10.2014, dhe më 17.11.2014. Në takimet dhe komunikimet i denoncuari, Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, në mënyrë të qartë dhe decide i ka dërguar kërcënime serioze me karakter komprometues për funksionarë në funksione publike, funksione zyrtare dhe shtetërore në RM. Kërcënimin e ka konkretizuar me atë që nga ai si Kryetar i qeverisë dhe partisë politike VMRO-DPMNE, ka kërkuar që ti pranojë kërkesat e tij për krijimin e “qeverisë teknike”, dhe pastaj të shpallen zgjedhjet e parakohshme për deputetë në Parlamentin e R. Maqedonisë. Në kthim i denoncuari ka premtuar se nuk do ti bëj publike të dhënat”, tha Ivo Koteski- Zëdhënës i MPB-së.
Zoran Zaev është i denoncuari i katërt në aksionin që MPB-ja e quajti “Puç”. Tre personat tjerë të dyshuar janë ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim Zoran Verushevski, bashkëshortja e tij dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Zaevit nga Strumica. Sipas policisë, Verushevski dhe gruaja e tij që prej vitit 2012 kanë mbledhur informacione konfidenciale që përmes të dyshuarit nga Strumica kanë përfunduar tek Zaevi, që në fund të përdoren për shantazh ndaj kryeministrit. Verushevski, gruaja e tij dhe i dyshuari nga Strumica janë në paraburgim. Zoran Zaevit i është marrë pasaporta dhe duhet të paraqitet tek personi zyrtar në polici, por tani për tani nuk do të arrestohet. Për MPB-në aksioni është me karakter historik.
‘Ministria e Brendshme për herë të parë në historinë e Maqedonisë së pavarur realizoi rast në të cilin është shkatërruar tentativë për rrezikimin e rendit kushtetues dhe marrjen e pushtetit në mënyrë jodemokratike ose pezullim i vullnetit të qytetarëve’, deklaroi Ivo Koteski- Zëdhënës i MPB-së.
MPB javën e kaluar arrestoi ish kundërzbuluesin e parë Zoran Verushevski. Në opinion u tha se i kishin gjetur armë të paligjshme dhe materiale të paligjshme pornografike. Disa ditë më vonë, në opinion doli urdhëresa për bastisje ku shkruante se shkaku është dyshimi i spiunazhit. MPB tani pohon se në kompjuterët e Verushevskit dhe gruas së tij u gjetën me mijëra informata të ndryshme konfidenciale. Lideri i LSDM-së nga ana tjetër tashmë më shumë se gjysmë viti e paralajmëron të ashtuquajturën ‘Bombë’, ose materiale të kompromentuara mbi punën e zyrtarëve të qeverisë dhe të funksionarëve më të lartë.
Alsat

Nga sot burg, kush ndërton pa leje

Nga data 1 shkurt 2015 hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, ku për ndërtimet pa leje është hequr koncepti i dënimit me gjobë duke u zëvendësuar me dënimin me burg.Me ndryshimet e reja është shtuar koncepti i pasojave të rënda qoftë në tokë private, ashtu dhe në atë shtetërore, duke vendosur një dënim maksimal deri në 5 vjet. Është shtuar dënimi për personat që japin ndihmë për ndërtimet e paligjshme, duke vendosur si masë dënimi burgim deri në 3 vjet, ku përfshihen edhe sipërmarrësit, ndërtuesit apo zbatuesit e punimeve. Ndryshimet synojnë të rregullojnë tregun e ndërtimeve, duke e kthyer këtë
shkelje në vepër penale. Ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë të cilat i referohen ndërtimeve të paligjshme parashikojnë që ndërtimet pa leje dhe bashkëpunimi në ndërtim konsiderohen vepër penale dhe do të dënohen me burg nga 1-5 vjet. Në pika të veçanta ligji parashikon që nëse kjo vepër penale kryhet në tokën publike, shtetërore apo të tjetrit dënohet me burg nga 1-5 vite.
Ndërsa në rastet kur ndërtimi sjell pasoja të rënda apo kryhet për qëllime fitimi dënimi varion nga 3-5 vjet. Ligji parashikon penalizime edhe për kompanitë të cilat do të jenë pjesë e ndërtimeve pa leje, çka do të thotë se kushdo që kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrje apo zbatim punimesh do të dënohen me 3 vjet burg. Deri më tani parandalimi i ndërtimeve pa leje penalizohej vetëm me gjoba.