Mijëra refugjatë ndjekin “itinerarin ballkanik” për një jetë pa luftë apo varfëri. Dhe ata do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e mundshme për të arritur qëllimin e tyre.
Gardhi 175 km i gjatë me tel me gjemba në kufirin hungarezo-serbe është gati dy ditë para datës së planifikuar. Qeveria në Budapest është krenare – dhe dy të tretat e hungarezëve janë dakord me këtë masë. Por refugjatëve vazhdon të mos u bëjë përshtypje kjo pengesë dhe gjejnë pika e shtigje kalimi. Deri në fund të tetorit pritet të ngrihet një gardh i dytë, katër metra i lartë, për të mbrojtur vendin dhe Bashkimin Evropian prej refugjatëve. Shtetet në rajon po i ndjekin këto zhvillime me shumë vëmendje. Ato kanë frikë se tani mijëra refugjatë janë në kërkim të rrugëve të reja dhe kështu problemi në dukje i pazgjidhshëm mund të depërtojë në vendin e tyre.
Vitin e kaluar ishte Bullgaria që ndërtoi në kufirin e saj juglindore me Turqinë një gardh 30 km të gjatë për të ndaluar refugjatët e luftës civile siriane. Tani ky gardh do të zgjerohet në një gjatësi prej 160 km. Edhe në kufirin jugperëndimor me Maqedonibë Bullgaria po shton praninë ushtarake dhe për shkak të krizës së refugjatëve ka dërguar në zonën kufitare trupa dhe automjete të blinduara. Qeveria bullgare flet për një “masë parandaluese”. Dhe edhe pse nuk ka ndonjë dyndje refugjatësh, shumë bullgarë janë të inatosur. Kryeministri Bojko Borisov tha lidhur me dërgimin e trupave në kufirin me Maqedoninë: “Ushtarët janë atje për të përhapur respekt dhe për të kontribuar për sigurinë e popullsisë lokale”.
“Zgjerimi preventiv” i strehimoreve për refugjatë
Në Rumani u mblodh javën e kaluar në një takim urgjent Këshilli Kombëtar për Emergjenca të Veçanta. Ministri i Brendshëm Gabriel Oprea njoftoi shtimin e masave të sigurisë në kufirin 546 km të gjatë rumuno-serb. Edhe pse Rumania nuk gjendet nën “presionin e migratëve” ajo duhet që për shkak të “dinamikës në rritje të rrymave të refugjatëve të kufizojë me sa të jetë e mundur rreziqet e sigurisë” tha Oprea. Prandaj u vendos të merren masa si për “zgjerimin preventiv” të strehimoreve për refugjatë edhe për implementimin e “masave të mëtejshme të Planit Kombëtar të Sigurisë”. Rumania ka aktualisht gjashtë strehimore për azilkërkues me një kapacitet prej rreth 1.500 vendesh. Sipas shifrave zyrtare ato deri tani shfrytëzohen me rreth 20 për qind.
Autoritetet kroate nuk shohin momentalisht “asnjë rrezik në rritje për ndonjë valë refugjatësh”; ky është qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Brendshme. Analistët thonë megjithatë, se Kroacia mund të bëhet një “rrugë alternative”, në qoftë se refugjatët nuk do të mund të depërdojnë në zonën e Shengenit përmes kufirit serbo-hungarez.
Qeveria kroate nuk ka asnjë plan konkret për pritjen dhe kujdesin e refugjatëve, thotë kryeministri Zoran Milanoviç. BE-ja po ashtu nuk ka një plan të tillë. Megjithatë, Kroacia është e përgatitur në parim edhe për shkak të përvojës së saj (nga lufta në fillim të viteve 1990, kur qindra-mijëra kroatë ishin në arrati), që të tregohet solidare me njerëzit që kanë nevojë për solidaritet – “sipas mundësive të veta”.
A do ta ndjekin shembullin hungarez të tjerët?
Bullgaria, Rumania dhe Kroacia nuk janë anëtare të zonës së Shengenit. Prandaj sipas analistëve këto vende nuk janë tërheqëse për refugjatët. Sllovakia është anëtare e Shengenit dhe për këtë arsye mund të jetë një alternativë, beson Bratislava zyrtare. Në qoftë se refugjatët nuk mund të kalojnë nëpër rrugët ekzistuese, kufiri gati 100 kilometra me Ukrainën mund të jetë një mundësi tjetër për të hyrë në BE. Prandaj, në fundjavë do të mbahet në kryeqytetin sllovak, një takim i të ashtuquajturave vende të Vishegradit. Kryeministrat e Hungarisë, të Polonisë, të Sllovakisë dhe të Republikës Çeke duan të koordinohen në lidhje me “çështjen e refugjatëve” tha kryeministri sllovak Robert Fico. Do të jetë interesante, nëse shembulli hungarez do të gjejë imitues.
Në të gjitha këto vende diskutohet shumë për këtë temë. Një pakicë aktualisht ende e vogël po ushqen frikën nga një “import terroristësh bashkë me refugjatët” dhe një islamizim të shoqërisë. Politikanë nacionalistë dhe ekstremistë i nxisin këto diskutime. Ende pjesa më e madhe e popullsisë në këto vende është e gatshme të ofrojë ndihmë humanitare. Por kur diskutohet për shpërndarjen e refugjatëve në të gjitha vendet e BE-së, shumë njerëz në Evropën Juglindore janë skeptikë. “Ne jemi shumë më keq se sa evropiano-perëndimorët”, thonë ata, duke shtuar: ” refugjatët e shkretë nuk do të kenë jetë më të mirë këtu.” Këtë e dinë edhe njerëzit nga Afrika dhe Lindja e Mesme të cilët dëshirojnë të shpëtojnë prej varfërisë në vendet e tyre. Prandaj ata do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e mundshme për të arritur qëllimin e tyre. Dhe për shumë syresh synimi është Gjermania. Muret dhe gardhet nuk mund t’i ndalin ata. Këtë na e mëson historia. (dw)