Dita Botërore e Hepatitit

hepatit vakcinaSipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, megjithë përparimin e bërë në zhvillimin e trajtimeve për hepatitin, vendet vazhdojnë të injorojnë rrezikun e virusit. Sot, në Ditën Botëtore të Hepatitit, ka 400 milionë njerëz të infektuar me hepatitin B dhe C – dhjetë herë më shumë se sa numri i atyre të prekur nga virusi HIV.

Në një klinikë në Islamabad njerëzit mbajnë rradhën për t’u kontrolluar dhe testuar.

Në Pakistan banorët përballen me rrezikun e infeksionit nga të pesë viruset e hepatitit.

Hepatiti A dhe E janë endemik, për shkak të ujit dhe sistemit të ujrave të zeza, një situatë që përkeqësohet në sezonin e shirave.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gati 1.45 milionë njerëz gjetën vdekjen nga sëmundja në vitin 2013.

Synimi i organizatës është të trajtojë tetë milion njerëz për hepatitin B apo C deri në vitin 2020.

Zyrtarët e shëndetit publik besojnë se vendet me qasje ndaj ilaçeve më të lira xhenerike, kanë një shans të mirë për të luftuar sëmundjen.

Në Egjipt, një nga vendet me shkallën më të lartë të hepatitit C, qeveria ka trajtuar 200 mijë njerëz gjatë 12 muajve të fundit.

Ministria e Shëndetësisë ka ulur konston e ilaçeve nga 900 dollarë në gati 200 dollarë për person.

Kahled Megahed, zëdhënësi i Ministrisë Egjiptiane të Shëndetësisë thotë se më shumë se 500 mijë pacientë me hepatit kanë marr mjekim dhe janë trajtuar me sukses.

“Janë tre gjëra të rëndësishme që i kemi marr në konsideratë: ulja e listës së pritjes për pacientët me hepatit viral; përdorimi i barnave lokake në vend të atyre të importuara, që inkurajon tregun vendas dhe në të njëjtën kohë ul konston për pacientët; e treta është ulja e çmimit të ilaçeve”.

Në Pakistan, shërbimi shëndetësor po zgjeron gjithashtu me shpejtësi mundësinë e trajtimeve.

Gati katër milionë njerëz janë të ekspozuar me hepatitin B, dhe gati 8 milionë me hepatitin C.

Dr. Inyat Adil Instituti i Shkencave Mjekësore:

“Në Pakistan, hepatiti C është shumë i përhapur dhe mendohet se rreth 5 për qind e popullësisë vuan nga hepatiti C kronik dhe gati 2.5 për qind vuan nga hepatitis B. Këto janë në fakt, shifrat zyrtare por për mendimin tim shkalla është shumë më e lartë.”

Një pacient pret në rradhë. Fermeri Ghulam Abbas kujton tronditjen kur mësoi se ishte prekur nga hepatiti C.

Ai ishte në spital për të dhuruar gjak për të një afërm dhe falë një programi skanimi, ai mësoi se ishte i infektuar.

“Isha shumë i shqetësuar kur mësova për sëmundjen. Ndihesha i lodhur dhe nuk mund të punoja. Puna është e rëndësishme për mua pasi me të mbaj familjen”.

Mjekët kërkojnë që programi i skanimit të shtrihet në mbarë vendin.

Ata thonë se në Pakistan, hepatiti B dhe C ndodh për shkak të mos testimit të gjakut, trajtimit jo higjenik dentar, papastërtisë së ujit si dhe ripërdorimit të shiringave nga përdoruesit e drogës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ka nevojë për më shumë infermierë të trajnuar për kontrollin e infeksionit dhe menaxhimin e mbetjeve.

Ministria e Shëndetësisë në Pakistan thotë se 20 milionë njerëz kanë një formë të hepatitit që do të thotë një në çdo 10 persona është i prekur.

Çdo vit ka 250 mijë infeksione të reja dhe 80 mijë njerëz që vdesin nga sëmundja e mëlçisë. (voa)

Rreziqet e të ndenjurit ulur

vrapimiHulumtimet e reja nxjerrin se të ndenjurit ulur 8 orë në ditë mund të rrisë me 60% rrezikun e një vdekjeje të parakohshme. Por shkencëtarët thonë se thjesht një shëtitje prej një ore mund të ndryshojë dëmin e të ndënjurit ulur për periudha të gjata. Sipas tyre, njerëzit që merren me aktivitete fizike me “intensitet të moderuar,” rreth 60-75 minuta çdo ditë, arrijnë t’i korrigjojnë rreziqet e të ndenjurit ulur gjatë.

Një kurs boksi mbahet gjatë orëve të drekës nën hijet e Parkut Olimpik të Londrës.

Dikush që e kalon gjithë ditën ulur, mund të ishte mirë të merrte pjesë në kurse si ai.

Por nëse dikujt nuk i pëlqejnë ushtrimet e vështira, mund t’i zëvendësojë ato me një shëtitje një orëshe.

Shkencëtarët që kanë analizuar të dhënat nga më shumë se një milion njerëz mësuan se duhen rreth 60-75 minuta aktivitet fizik me “intensitet të moderuar” për të ndrequr dëmin e shkaktuar nga të ndenjurit ulur për të paktën 8 orë në ditë.

Ata mësuan se mosbërja e ushtrimeve fizike dhe të ndenjurit ulur gjithë ditën janë po aq të rrezikshme sa pirja e duhanit ose të qenurit mbipeshë.

Katër vjet pas Lojërave Olimpike të Londrës, ekspertët e shëndetit edhe njëherë po u bëjnë thirrje njerëzve për më shumë ushtrime fizike.

Peter Tudor punon në Parkun Olimpik “Queen Elizabeth”:

“Ngjarje të mëdha sportive i frymëzojnë njerëzit të merren më shumë me sport. Por kjo mund të zgjasë vetëm për një kohë të shkurtër. Është e rëndësishme që ne të shfrytëzojmë rastin dhe të inkurajojmë njerëzit që të vazhdojnë me një jetë aktive.”

Ulf Ekelund, i universitetit “Shkolla Norvegjeze për Shkencat Sportive” është një nga autorët e studimit:

“Aktiviteti fizik mund të përshkruhet si një pilulë magjike sepse mund të parandalojë gati të gjitha sëmundjet jo-ngjitëse. Nëse rri ulur për më shumë se 8 orë në ditë, do të ishte mirë të bënit ushtrime fizike për më shumë se gjysëm ore në ditë, ose 150 minuta në javë, që është koha e rekomanduar”.

Hulumtuesit thonë se të ndenjurit ulur për kohë të gjata rrit rrezikun e problemeve shëndetsore, duke përfshirë diabetin dhe sëmundjet e zemrës, sepse kjo rrit nivelet e insulinës dhe mund të ngadalësojë metabolizmin. (voa)

Kultura unike e “Silicon Valley”

Silicon Valley“Silicon Valley” është një qendër e teknologjisë ku kanë selitë kompani si Google, Facebook dhe Apple. Rajoni ndodhet në Kaliforninë veriore, ndërmjet San Franciscos dhe San (Hozesë) Joses. Ajo njihet mbi të gjitha për kulturën e fillimit të një biznesi.

Kur prindërit e saj emigruan nga Nepali, Monika Perkash nuk kishte imagjinuar se një ditë ajo do të drejtonte një kompani në Silicon Valley.

“Kur u zhvendosa fillimisht këtu, babai më telefonoi nga Teksasi ku edhe jetonte…dhe më tha se nuk e gjente dot në hartë Silicon Valley.”

Zonja Perkash thotë se Silicon Valley nuk është thjesht një rajon i Kalifornisë, por edhe një kulturë e iniciativës së sipërmarrjes që e përfshiu atë sapo mbërriti atje.

“Fillimisht, prindërit e mi ishin të hutuar. U pranova për studime në mjekësi dhe nuk e kuptonin se përse nuk i vazhdova.”

Basghkë me dy të tjerë, ajo dëshironte të krijonte një kompani teknologjike për të përmirësuar jetën e njerëzve. Ata krijuan “Lumo Bodytech”, një kompani që krijon sensorë truporë që përmirësojnë staturën fizike dhe i ndihmon vrapuesit të shmangin lëndimet.

“Ka shumë studime që tregojnë se statura e trupit lidhet me dhimbjet e shpinës”,thotë Charles Wang, bashkëthemelues i kompanisë.

Prindërit e zotit Wang janë nga Tajvani dhe ai u shndërrua nga doktor në sipërmarrës. Ai thotë se sensori Lumo Life dridhet për të paralajmëruar personin të mbajë trupin drejt për të shmangur rrezikun e dhimbjeve të shpinës.

Një tjetër sensor funksionon kur dikush është duke vrapuar. Në bashkëveprim me celularin, ofron instruksione të personalizuara trajnimi. Andrew Chang thotë se të fillosh një biznes ngjason me vrapimin.

“Lëvizim me shpejtësi të madhe duke marrë vendime të shpejta, pasi kemi shumë më pak burokraci.”

Bashkëthemeluesi Wang thotë se duhet të mësosh me shpejtësi dhe të përballesh me sfida të reja çdo ditë.

“E kam shijuar. Kam mësuar shumë gjëra të reja këtu.”

Zonja Perkash thotë se kjo vjen prej frymës së bashkëpunimit në Silicon Valley që po zgjeron një kulturë të tërë. Ajo thotë se suksesi i biznesit që ajo ka krijuar është bërë burim gëzimi për prindërit e saj.

“Dua t’i bëj krenarë dhe t’u bëj të ditur se shansi që më dhanë për të arritur çfarëdolloj gjëje, po përmbushet. Pra, jam duke i nderuar nëpërmjet punës sime.”

Për të gjithë ata që duan të bëjnë diçka të ngjashme, ajo thotë të mos i frikësohen dështimit, por ta përqafojnë si një mundësi për të mësuar. (voa)

Fabrika gjigante e firmës së prodhimit të makinave Tesla

tesla model sTesla ka hapur një fabrikë të madhe në shkretëtirën e Nevadës, ndërtimi i së cilës ka kushtuar 5 miliardë dollarë. Fabrika ka kapacitet për të dyfishuar prodhimin global të baterive me litium. Kjo është një lëvizje e guximshme e kompanisë, e cila po shpreson të ulë koston e prodhimit të baterive me mbi 30 përqind.

Është një investim nga më të rrezikshmit deri më tani për kompaninë e prodhimit të makinave elektrike Tesla. Fabrika gjigande në shkretëtirën e Nevadës ka kushtuar 5 miliardë dollarë dhe do të bëhet qendër e prodhimit të baterive me litium.

Fabrika e Teslës u përurua më 26 korrik në Sparks të Nevadës, pak më shumë se dy vjet pas fillimit të ndërtimit.

Fabrika mund të dyfishojë prodhimin e baterive me litium dhe jon në botë.

Vetëm rreth 14 përqind e fabrikës është gati për prodhim, por kur të përfundojë ndërtimi i plotë i saj, ajo do të jetë rreth 3 milionë 48 mijë metra katrorë, ose sa 262 fusha futbolli. Kjo do ta bëjë atë një nga ndërtesat më të mëdha në botë.

Fabrika është tepër e rëndësishme për të ardhmen e kompanisë me bazë në Kaliforni. Kompania 13-vjeçare e prodhimit të makinave elektrike, e cila nuk ka mbyllur asnjë vit me fitim, do të kalojë nga një prodhues i automjeteve luksoze në një prodhues të makinave të përballueshme.

Pjesë e kompanisë është edhe prodhimi i baterive për përdorim në shtëpi ose biznese, që arrijnë të grumbullojnë dhe ruajnë energjinë diellore për përdorim të mëvonshëm. Kompania thotë se prodhimi masiv i baterive me litium dhe jon për përdorim në shkallë të gjërë do të ndihmojë në uljen e kostos së baterive me 30 për qind deri në vitin 2018.

Drejtuesi i Teslës, Elon Musk, thotë se fabrika mund të punësojë 10.000 njerëz në tre deri katër vitet e ardhshme.

Shumica e tyre mund të punësohen menjëherë pasi Tesla ka nevojë për bateri për makinën e saj të katërt, Modelin 3.

“Gjërat janë në rrugën e duhur për të përmbushur kohën e prodhimit të Modelit 3 nga mesi i vitit të ardhshëm dhe ne jemi të kënaqur me atë që po ndodh tani”, thotë zoti Musk.

Me një çmim fillestar prej rreth 35 mijë dollarësh, Modeli 3 do të jetë makina me çmimin më të ulët e Teslës, pjesërisht për shkak të uljes së të kostos së baterisë.

Bateritë për automjetet aktuale të Teslës, Model S dhe Model X, prodhohen në Japoni. Për të realizuar qëllimet e saj, ndërtimi i fabrikës po vazhdon me një ritëm të furishëm.

“Qëllimi kryesor i Teslës është të përshpejtojë përdorimin e energjisë së rinovueshme, kështu që ne do të ndërmarrim një sërë veprimesh që ne mendojmë se kanë shumë gjasa të ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi,” thotë zoti Musk.

Deri në tremujorin e dytë të vitit 2017, 31 për qind e fabrikës do të jetë e përfunduar. Në çatinë e fabrikës do të vendosen panele diellore.

Tesla thotë se deri në vitin 2018, nga bateritë e fabrikës do të përftohet një sasi energjie prej 35 gigavatë-orësh, e barabartë me sasinë e energjisë së gjithë baterive të prodhuara në botë në vitin 2014.

Një gigavat-orë është e barabartë me një milionë kilovat orë. Dhe emri i fabrikës së Teslës është pikërisht “Gigafabrikë”.

Drejtuesi i Teslës, Elon Musk ka thënë se fabrika ka kapacitet për të prodhuar 150 gigavatë-orë në qoftë se është e nevojshme.

Për ta kuptuar këtë sasi, mjafton të sjellim si shembull se qyteti i Nju Jorkut përdor rreth 52 gigavatë-orë energji në vit.

Elon Musk gjithashtu doli në mbrojtje të sistemit autopilot të Teslës gjatë një konference shtypi. Ai theksoi se kjo veçori quhet autopilot, sepse pret që shoferi të jetë vigjilent dhe i gatshëm për të marrë përsipër drejtimin e makinës në çdo kohë, ashtu si pilotët avionit që përdorin të njejtën teknologji. (voa)

Zbulim i ri: oksigjeni në Tokë në lashtësi

oksigjeniHulumtuesit thonë se, rreth një miliardë vjet më parë, Toka kishte shumë më shumë oksigjen se sa mendohej deri tani. Ky zbulim mund të ndryshojë teorinë e evoluimit të jetës në Tokë.

Ky zbulim i studiuesve të Universitetit Brock në Kanada, u bë i mundur pas përdoriomit të një metode të re për të analizuar atmosferën e Tokës në lashtësi, duke analizuar flluska ajri mikroskopike të bllokuara në kristalet e kripës.

Synimi i ekipit të Universitetit Brock ishte të maste nivelet e oksigjenit në atmosferën e Tokës gati një miliardë vjet më parë.

“Është debatuar shumë se çfarë përmbajtje oksigjeni kishte Toka rreth 800 milionë ose më shumë vjet më parë,” thotë Profesori i Shkencave të Tokës Nigel Blamey.

“Ne kemi zbuluar një metodë direkte për të analizuar përmbajtjen e gazeve fosilorë të bllokuar dhe mësuam se niveli i oksigjenit ka qenë sa gjysma e nivelit të sotëm”.

Deri tani besohej se oksigjeni në atë kohë përbënte vetëm 2 për qind të atmosferës, por studiuesit thonë se pas analizave të reja, rezulton se ai përbënte rreth 10,9 për qind, rreth gjysma e nivelit të sotëm të oksigjenit në atmosferë.

Para studimit nga Universiteti Brock, flluskat e ajrit në kripën e gurit, ishin shumë të vogla për t’u analizuar.

Hulumtuesit thonë se gjetjet e tyre kanë “pasoja të mëdha” për teoritë në lidhje me mënyrën e evoluimit të jetës në Tokë.

“Deshifrimi i historisë së oksigjenimit të atmosferës dhe oqeaneve është jetik për të kuptuar proceset e erozionit, të shtresave sedimentare, ndryshimeve klimatike, zhdukjeve masive, lëvizjeve tektonike dhe evoluimin e jetës në Tokë”, thotë studimi i ekipit.

Profesori i Shkencave të Tokës Uwe Brand pajtohet me këtë.

Ai i tha kanalit televiziv kanadez CBC se nivelet e larta të oksigjenit në të kaluarën mund të ndryshojnë teorinë se kur filloi zhvillimi i jetës në planet.

“Tani paleobiologët do të kenë arsye për të studiuar dhe kërkuar gurë që përmbajnë gjurmë origjinale të këtyre hapave të parë evolucionarë”, i tha CBC-së zoti Brand. (voa)

Njerëzit më të gjatë në botë

njerezitBurrat holandezë dhe gratë letoneze janë njerëzit më të gjatë në botë, ndërsa burrat e Timorit Lindor dhe gratë nga Guatemala janë njerëzit më të shkurtër të botës, sipas një studimi të ri. Studimi gjithëpërfshirës nën drejtimin e shkencëtarëve të Kolegjit Mbretëror të Londrës analizoi të dhënat për gjatësinë e të rinjve gjatë shekullit të kaluar dhe arriti në përfundimin se në vitet 1914 deri në 2014, në disa vende njerëzit janë bërë më të gjatë, ndërsa në disa vende të tjera mestarja e gjatësisë së tyre ka rënë.

Sipas studimit britanik, burrat holandezë kanë një gjatësi mesatare prej më tepër se 1 metër e 82 centimetra, ndërsa gratë letoneze 1 metër e 70 centimetra. Kjo është një rritje për të dyja vendet që nga viti 1914. Cila mund të jetë arsyeja?

“Ndoshta ngaqë hamë më shumë patate? Ndoshta ngaqë hamë më shumë bukë se të tjerët? Ne merremi shumë me sport. Ndoshta kjo është arsyeja përse zgjatemi më shumë,”- thotë Philip nga Holanda.

Shkencëtarët janë të të njëjtit mendim, se sporti ndikon tek gjatësia e trupit.

“Gratë zgjaten më shumë nga aktivitete sportive, sidomos kur merren me disa ushtrime të caktuara në periudhën e pubertetit, kur trupi është në rritje. Sporte si basketbolli, volejbolli dhe hendbolli ndihmojnë zgjatjen, pasi ushtrojnë shtrirje të muskujve”.

Por sudjuesit thonë se rritja individuale varet kryesisht nga ushqyerja, nga faktorët mjedisorë, si dhe ata gjenetikë.

Gratë letoneze, tani më të gjatat në planetin tonë, ishin në në vend të 28, 100 vjet më parë.

“Unë jam mësuar me gjatësinë time dhe nuk i kushtoj vëmendje. Por djemve u pëlqejnë vajzat e gjata, pra është diçka e mirë.”

10 vendet me burrat dhe gratë më të gjata në vitin 2014 ishin kryesisht në Europë, ku njerëzit janë zgjatur më shumë në dekadat e fundit, në saje të përmirësimit të ushqyerjes. Në shumë vende afrikane dhe të Lindjes së Mesme gjatësia e njerëzve është zvogëluar që nga viti 1914.

Shtetet e Bashkuara arritën në nivel të lartë rreth 20 vjet më parë dhe tani kanë rënë nga vendi i tretë për burrat dhe i katërti për gratë, në vendin e 37 për burrat dhe të 42-in për gratë.

Gazetari i Zërit të Amerikës Steve Baragona, i cili është 1 metër e 95, bie në sy në një turmë njerëzish në Shtetet e Bashkuara.

“Kur jam duke ecur në mes të një turme, e kam gjithmonë të lehtë ta dalloj të dashurën time, ngaqë jam më i gjatë se të tjerët. Nuk është gjë e keqe”.

Baragona sigurisht që do të dukej tepër i gjatë në Timorin Lindor, ku gjatësia mesatare e burrave është 1 metër e 60. Njerëzit më të shkurtër në botë janë në Jemen, Laos, Madagaskar dhe në disa vende të tjera aziatike dhe afrikane. (voa)