Britania e Madhe drejt izolimit

Kozmopolitanizmi ka qenë gjithmonë ADN-ja e Britanisë së Madhe. Por pas Brexitit është shtuar ksenofobia dhe rastet e dhunës për motive raciste.

britaniaQë prej vendimit për Brexit-in shumë evropianë nuk ndjehen më mirë në Britaninë e Madhe. Ata ankohen për ksenofobi, fyerje dhe vërejnë shtimin e izolimit nga Evropa. Kurse përfaqësuesit e partisë UKIP vazhdojnë të jenë të kënaqur dhe dëshirojnë që shkëputja të jetë gjithëpërfshirëse.

Bernard Rayner, kryetar i degës së UKIP-it në qytetin Hastings, thotë “Ne kemi qenë për 1000 vjet ishull. Në origjinën tonë kemi tregtinë me botën. Ne kemi komonuelthin”.

“Çdo ditë  falënderojmë Zotin për kanalin e Lamanshit. Ai është gjëja më e vlefshme që kemi. Ai na mbron. Një barrierë natyrore. Kundër pushtimit. Ai na ka ndihmuar gjithmonë.” – shton Frances Day, financierja e degës së UKIP-it në qytetin Hastings.

Britania e Madhe ka ndryshuar

Mbrojtje, barrierë ndaj të huajve – çfarë fjalori. Britania e Madhe ka ndryshuar. Ajo duket më e vogël, edhe nëse tingëllon përsëri si e madhe. Vazhdmisht dalin ide të habitshme – Flota Mbretërore Britanike duhet të jetë sërish e gatshme që të dominojë detet si fuqi tregtare, deklarata të ashpra, kanali duket se po bëhet më i gjerë, klima ndaj të huajve më armiqësore.

Koha kur ishulli u pushtua për herë të fundit ka shekuj që është pas. Viti 1066. Një përleshje e ashpër. William Normani nënshtron anglosaksonët. Këto ditë në Hastings po ringjallet historia. Në interpretimin e disa patriotëve me shpirt historiani – me Brexitin Mbretëria e Bashkuar po shpëton në fund prej kthetrave të armikut.

Brexit-i përçan shoqërinë

Brexiti është i gjithëpranishëm, ai ndan një vend, përçan shoqërinë dhe familjet dhe tani dëgjon kaq shumë gjëra që tingëllojnë të çuditshme në një vend kozmopolit dhe tolerant. “Gruaja ime është franceze. Firmës së saj në Londër iu kërkua të deklaronte të gjithë punonjësit e huaj. Ata përbjnë 98 për qind. Po bëhet pak si çmenduri këtu. Qëkurse vendi vendosi të dalë nga BE-ja.” – thotë një banor i Hastingsit.

Ksenofbia sheshit

Fakti që qeveria e ka shpallur si temë lufte kontrollin dhe kufizimin e emigracionit, ka nxjerrë në sipërfaqe pakënaqësitë ksenofobe – dhe numri i veprave të dhunshme me motive raciste është rritur. ” Nuk është raciste, të jesh patriot dhe të duash të ruash kulturën tënde. Ne kemi pranuar gjithmonë emigrantë, por tani janë bërë shumë.” thotë një kalimtare.

Faktin se tani ka më shume akte dhune raciste, ajo e mohon me fjalët: “Budallallëqe, mite politike të të majtëve, që duan të na mbushin mendjen se ne kemi një problem me racizmin.” Ne kemi një problem të tillë,” – thotë një kalimtar tjetër që dëgjon bisedën tonë – racizimi është rritur me 76 për qind.

Londra jeton prej kulturave të shumta

Londra, një të shtunë, Afrika është mysafire në Trafalgar Square. Ka ditë kur duhet ta duash Londrën. Me gjallërinë, gëzimin, kreativitetin e saj. Asnjë qytet tjetër në Evropë nuk është kaq – cool .. Londra jeton prej kulturave të shumta, talenteve ndërkombëtare, parave të huaja.

Këtë kryetari i bashkisë e di shumë mirë këtë. Mënyra e palodhur me të cilën Sadiqh Khan bën selfie me njerëzit – më befason. Ai demonstron afërsi, empati dhe çiltërsi. Kundër retorikës së  rrezikshme të konservatorëve për emigracionin. “Pa migrantët Londra do të ishte një vend i trishtuar. Një vend i varfër. Londra është e hapur” – në një farë mënyre më prek fakti që një kryetar bashkie e përsërit pothuajse sikur po lutet mesazhin e tij në çdo tribunë.

Evropianët nuk ndjehen më të mirëpritur

“Në periudhën pas referendumit për Brexitin, kemi përjetuar një rritje të krimeve prej urrejtjes. Por mesazhi im për ju qytetarë të Londrës, që vini nga vendet e BE-së, është mjaft i thjeshtë – ju jeni të mirëpritur këtu.” – thotë Sadiqh Khan.

Pauli Glinka erdhi 16 vjet më parë nga Polonia dhe ngriti në Londër një bazë jetese. Biznesi i shkon mirë, por brenda vetes ai është thellësisht i zhgënjyer, ndejehet i pasigurt, si shumë bashkatdhetarë të tij prej sulmeve verbale e ngacmimeve. Kohët e fundit dikë madje e vranë. “Britania më ka lejuar gjithmonë që të ndihen këtu si në shtëpinë time. Por tani nuk mund ta them më këtë, për shkak të sulmeve armiqësore kundër evropianëve. Ne nuk ndjehemi më të mirëpritur.” – thotë Glinka. (dw)

Goditje e re kundër lirisë së shtypit në Turqi

Gazeta majtiste liberale Cumhuriyet është sërish në shënjestër të sistemit të Erdoganit. Evropa dhe Gjermania nuk duhet të heshtin.

cumuhuriyetMe 29 tetor në Turqi është shënuar 93-vjetori i Republikës së Turqisë. Vetëm dy ditë më vonë, gazeta Cumhuriyet, e cila është e vjetër sa edhe vetë Republika, u shndërrua në një cak sulmi të fushatës së pushtetit kundër opozitës dhe mediave. Qeveria po e përdor gjendjen e jashtëzakonshme për të luftuar edhe ato pak zëra kritikë që kanë mbetur në Turqi.

Të hënën është arrestuar kryeredaktori dhe disa nga autorët më prominentë të gazetës. Ndërkohë që me fletëarrest kërkohet edhe ish-kryeredaktori Can Dündar, i cili ka ikur dhe tani është në Gjermani. Ajo që çështjen e bën edhe më absurde është pohimi se gazetarët, të cilët më parë e kanë kritikuar Gülenin, i cili konsiderohet armiku kryesor i qeverisë, tani gjoja janë bashkuar me lëvizjen e Gülenit.

Situata në fakt është shumë e thjeshtë: secili që shpreh mendim kritik ndaj qeverisë dhe pushtetit, është terrorist ose mbështetës i PKK apo i Gülenit. Gjërat nuk kanë përfunduar as për së afërmi dhe qeveria turke nuk do të ndalet deri sa t’i mbyllë të gjithë ata që janë kundër saj. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me gazetarët, të cilët duan të hulumtojnë dhe të gjejnë të vërtetën.

Tendosjet

Pas përpjekjes së dështuar për rrëzimin e pushtetit, shumë akademikë dhe gazetarë kanë ikur në Gjermani. Jo vetëm inteligjenca por edhe diplomatët, të cilët dyshohen për afërsi me lëvizjen e Gülenit. Për shkak të kërcënimeve me dhunë është shumë pak e besueshme që Gjermania do t’i ektradojë ata në Turqi. Por Gjermania ende nuk e ka të qartë se si duhet të sillet në këtë situatë dhe të mos rrezikojë raportet me Turqinë.

Nuk do të ishte ndonjë befasi nëse Turqia kërkon ekstradimin e gazetarëve dhe personave të tjerë të akuzuar. Një gjë e tillë do të mund të shkaktonte një valë tjetër të mospajtimeve mes këtyre vendeve.

Befasuese dhe dëshpëruese është që politikanët gjermanë deri tani kanë reaguar me tone shumë të buta pas arrestimeve të fundit. Duket se Gjermania më shumë po kujdeset për marrëveshjen për refugjatët, sesa për nivelin e demokracisë në Turqi.

Arrestimet, ndryshimet e ligjeve, diskutimet për rikthimin e denimit me vdekje dhe shndërrimi i demokracisë në një sistem presidencial tregojnë se Turqia po shkon me hapa të shpejtë drejt një pike pa kthim. Kancelarja Angela Merkel dhe politikanët evropianë mbase do të detyrohen shumë më shpejt sesa që do të dëshironin që të deklarohen për gjendjen e demokracisë në Turqi. (dw)

Serbia nën ethet e spiunimeve

Serbinë po e trondisin kohët e fundit aferat e spiunimit. Por a bëhet fjalë vetëm për “luftën gjeopolitike për Serbinë, mes Perëndimit dhe Lindjes”?

vucicE gjitha nisi me zbulimin e një ish-pjestari të “ushtrisë së Republikës Serbe të Krajinës”, tani në pension, i cili ka spiunuar për Kroacinë. E më pas u zbulua që një pjesëtar i Drejtorisë së Kriminalistikës në policinë e Serbisë ka bashkëpunuar me CIA-n. Paralelisht me zbulimin e spiunëve në Beograd, u kap edhe një grup “terrorist” në Mal të Zi, që dyshohet se ka planifikuar rrëzimin e pushtetit në këtë vend. Disa media në Beograd e kanë bërë publik informacionin – e përgënjeshturar nga pala ruse – se disa shtetas rusë janë dëbuar nga Serbia, për shkak të aksioneve terroriste në Mal të Zi. Ndërsa vizita para ca ditësh e kryespiunit rus Nikolaj Petrushin në Beograd u qajt si një dëshmi se “vet kryeshefi ka ardhur për të marrë spiunët e vet”.

Lajmi i fundit nga Serbia është se afër shtëpisë së kryeministrit Aleksandar Vuçiq është gjetur një arsenal armësh. Në lajm thuhet se në një makinë të blinduar në afërsi të shtëpisë së Vuçiqit është gjetur një sasi e madhe armësh, municioni dhe një minahedhës. Koalicioni në pushtet pohon se kjo ishte një përpjekje për atentat kundër Vuçiqit, ndërsa vet kryeministri thotë se duhen pritur rezultatet e hetuesisë. Tani duhet të konstatohet se të kujt janë këto armë dhe a ka pasur lëshime të shërbimeve të sigurimit.

Mungesa e informacioneve dhe shumë spekulime

Pas shumë grusht shteteve mediatike dhe virtuale, si dhe akuzave ndaj Perëndimit dhe shërbimeve sekrete të tij, të cilave “u pengon Vuçiqi i fuqishëm”, opinioni serb është i çoroditur. Autoritetet serbe disa herë kanë qenë viktimë e skenareve të veta dhe lajmeve alarmante që kanë lëshuar vet – që ka rezultuar me përqeshje por edhe shqetësimin e qytetarëve. Gazetari Millosh Vasiq thotë për Deutche Welle-n se disa prej këtyre lajmeve kanë disa shtresa. “I gjithë tregimi rreth Malit të Zi dhe pohimet se është dashur të ndihmohet Milo Gjukanoviqi për të mbetur në pushtet, kanë shkaktuar spekulime. Me sa di unë, shërbimet serbe kanë bashkëpunim të mirë me ato perëndimore, dhe nuk kam vërejtur që pala serbe e ka shpallur person non grata ndonjë diplomat amerikan, që zakonisht bëhet në rastet e tilla. Tani kemi një situatë të paqartë që gjithmonë nxit edhe spekulimet për spiunë, tradhëtarë, të paguar etj.” Edhe Sofija Mandiq ankohet për mungesën e informacioneve të duhura. Ndaj opinioni duhet të interpretojë edhe pohimet e ministrit të Brendshëm.

Terrorizmi pa akuza zyrtare

„Nëse përpiqemi të interpretojmë pohimet për përzierjen e shërbimeve të huaja në aksione terroriste – në Mal të Zi apo në Serbi – atëherë mund të thuhet se kjo nuk është një praktikë e rregullt e spiunimit”, thotë Sofija Mandiq. “Institucionet deri tani nuk kanë nisur asnjë procedurë penale. Ndaj shtrohet pyetja pse dolën në opinion. Këtu kemi mungesë informacionesh. Nëse është e vërtetë që janë dëbuar disa shtetas rusë, atëherë pse nuk është nisur ndonjë procedurë penale?” Millosh Vasiq nënvizon se vizita e Petrushevit ka qenë e planifikuar edhe më parë. Por deri tani nuk ka ndonjë lajm të konfirmuar për vërtetësinë e lajmit të botuar në disa media, nëse ka pasur shtetas rusë të dëbuar nga vendi.

Serbia nuk është edhe aq e rëndësishme

Intensifikimi i aferave të spiunimit është pjesë e interesimit të Perëndimit dhe Lindjes për pozitën gjeostrategjike të Serbisë, thuhet në media. Por Millosh Vasiq është i mendimit se fuqitë e mëdha nuk janë të interesuara për lëkundje serioze dhe probleme të mëdha në këtë vend. “Këto pohime janë vetëm ëndërra të shkreta të nacionalistëve serbë: që Serbia është një vend me rëndësi të madhe gjeostrategjike. Personalisht nuk mendoj që Serbia është ndonjë epiqendër e rëndësishme. Rëndësia jonë e vetme gjeostrategjike është që përmes vendit tonë kalojnë linja të rëndësishme trafiku. Prandaj mendoj se do të ishte më mirë që të kujdesemi për një hekurudhë më të mirë, se sa të merremi me budallallëqe dhe dëbime”. Edhe Sofija Mandiq mendon se vetëm njerëzit në pushtet po përpiqen që Serbisë t’i japin një rëndësi që nuk e ka.

Aferat e spiunimeve dhe aferat e tjera në Serbi zakonisht nuk gjejnë ndonjë epilog. Vasiq thotë se as në këtë rast nuk pritet ndonjë sqarim përfundimtar i gjendjes. “Deri tani nuk kemi asgjë konkrete. Kemi vetëm pohime dhe pretendime, ngritje tensionesh dhe nuk dihet asgjë konkretisht për ngjarjet siç janë pohimet për ndonjë grusht shteti në Mal të zi apo veprimin e spiunëve në Serbi”. (dw)