A do ta blejë Kina Portugalinë?

TermocentraliKur ishte trojka ajo që përcaktonte fatet e Portugalisë, Kina bleu masivisht sipërmarrje portugeze. Tani ajo do të blejë krejtësisht prodhuesin më të madh të energjisë në vend. A kërcënon varësia ekonomike dhe politike?

Dikur, prodhuesi portugez i energjisë EDP ishte një sipërmarrje krenare shtetërore me 25.000 punonjës. Së shpejti ai mund të kthehet në një koncern të leverdisshëm, i cili t’u përkasë kinezëve. Sipërmarrja shtetërore kineze Three Gorges, që zotëron që tani një të katërtën e sipërmarrjes, bëri një ofertë blerjeje në bursën e Lisbonës, dëshiron të blejë edhe pjesën që ka mbetur të aksioneve të EDP-së. Si pjesë të një “masterplani”, me të cilin Republika Popullore mund të vërë nën kontroll elemente kyçe të ekonomisë portugeze, thonë paralajmëruesit. Kinezët janë po kaq të mirëpritur sa investorë të tjerë të huaj, ua kthen qeveria.

Investime strategjike

Shëtitja për pazar e Kinës nëpër Evropë ka shkaktuar kritika edhe në vende të tjera: në Gjermani për shkak të gllabërimit të sipërmarrjeve me rëndësi kyçe në sektorin e robotëve, të automjeteve dhe në fushën e mjekësisë, në Greqi për shkak të blerjes së portit të rëndësishëm të Pireut. Po qeveria që gjithmonë ka pak para e shtetit të krizës Portugali gëzohet për shiringat financiare nga Pekini – veçanërisht që kur ato e ndihmuan vendin në fundin perëndimor të Evropës të kalonte kohën e vështirë të trojkës. Në këtë kohë Kina u bë aksionere si askush tjetër në sipërmarrjet e Portugalisë dhe bleu – kur nuk e bëri askush – borxhe shtetërore portugeze.

Sot shoqëria e sigurimeve Fidelidade është pronë e koncernit kinez Fosun, njësoj si Luz Saude, sipërmarrje që është operatore e klinikave private. Fosuni kontrollon edhe një të katërtën e Millenium-BCP-Bank. Haitong bleu për rreth 400 milionë bankën e investimeve BESI. Grupi kinez HNA është partneri i vogël i shoqërisë së fluturimeve TAP. Operatori portugez i energjisë elektrike REN që prej trojkës i takon në një të katërtën State Grid International kineze.

A kërcënon varësia ekonomike?

Ndërhyrjet kineze janë shumë masive, mendojnë disa ekspertë të ekonomisë. “Ekonomikisht nuk ka kuptim kur prodhuesi më i madh i energjisë së vendit të kontrollohet nga vetëm një aksioner”, thotë profesori i ekonomisë Joao Duque. Edhe më e habitshme është që qeveria portugeze nuk po ndërmerr asgjë kundër përpjekjes për përthithje.

Para së gjithash, kur një vit më parë, kur shoqëria e fluturimit TAP do t’i shitej një konsorciumi amerikan, qeveria portugeze tërhoqi frenën e emergjencës dhe i mbajti për vete 50 përqind të aksioneve. Kështu që heshtja në rastin e EDP-së mund të ketë vetëm arsye politike. Qeveria portugeze e sabotoi shitjen e një televizioni privat investorëve francezë, në një kohë që nuk e kundërshtoi blerjen e 30 përqind të koncernit të madh portugez mediatik Global Media nga një investor nga Macau, që u bë kështu aksioner kryesor.

Për shkak të varësisë nga investimet, Portugalia mund të ketë kaluar në një gjendje ku i bëjnë shantazh politik, druhet specialisti i ekonomisë, Joao Duque.

Por megjithatë nuk është e qartë nëse përthithja e EDP nga kinezët do të ketë sukses. Edhe amerikanët duhet të japin së fundi pëlqimin e tyre, për shkak të aktiviteteve në SHBA të koncernit. (dw)

Maduro fajëson Amerikën dhe Kolumbinë për tentativën e dështuar për vrasje

Maduro VenecuellaPresidenti i Venezuelës Nicolas Maduro thotë se i shpëtoi një përpjekje për atentat përmes dronëve me eksplosivë ndërsa fajësoi Shtetet e Bashkuara dhe Kolumbinë për sulmin.

Në një fjalim televiziv, mbrëmjen e së shtunës, Maduro tha se të gjitha gjurmët të çojnë drejt një komploti nga e djathta që e kishte origjinën në Kolumbinë fqinje. Ai tha se Zoti, njerëzit dhe forcat e armatosura i shpëtuan jetën.

“Ai dron po vinte për mua, por ishte një mburoja e dashurisë. Jam i sigurtë që do të kem një jetë të gjatë”, u shpreh Maduro.

Ai shtoi se nuk kishte dyshime që emri Juan Manuel Santon (President i Kolumbisë) fshihej pas sulmit. Agjencia franceze e lajmeve “AFP” citon një burim nga qeveria e Kolumbisë të ketë thënë se akuzat ndaj presidentit janë të pabaza.

Maduro tha se hetimet paraprake lënë të kuptosh se burime të ndryshme financiare që kanë lidhje me sulmin e kanë burimin në Florida të Shteteve të Bashkuara. “Shpresoj që Presidenti Donald Trump është i gatshëm të luftojë këto grupe terroriste”, u shpreh ai.

Udhëheqësi i Venezuelës tha se ishin kapur disa të dyshuar pa dhënë detaje të mëtejshme. Ndërsa ai fliste për ekonominë e vendit gjatë një ceremonie, pamjet televizive tregojnë Maduro dhe të tjerët që dukeshin të tronditur ndërsa dëgjohen disa shpëthime.

Pamjet tregojnë kur ushtarët dalin nga rreshti dhe vrapojnë për të gjetur strehë. Venezuela ka vite që vazhdon të jetë e zhytur në trazira. Dikur një prej vendeve më të pasura të Amerikës Latine, vite të tëra keq-qeverisje dhe politika të dështura sociale, e kanë shkatërruan qëndrueshmërinë e atij vendi, duke shkaktuar përplasje sociale dhe inflacion të pashembullt.

(voa)

Shqipëri: Baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor

NatoNë territorin e Shqipërisë do të ngrihet baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Vendimi është marrë nga Këshilli i Atlantikut Verior, organi kryesor për vendimmarrjen politike të NATO-s.

Fjala është për shndërrimin e bazës ajrore të Kuҫovës në bazë ajrore të Aleancës Atlantike. Lajmin e ka bëri me dije Kryeministri Rama të shtunën (08.2018) përmes medias sociale. “NATO do të investojë më shumë se 50 milionë Euro vetëm për pjesën e parë të projektit për bazën ajrore të  Kuҫovës”, shkruan Rama.

Realizimi i këtij projekti, që pritet të fillojë sivjet, do ta kthejë Kuçovën, thekson Rama: “në një bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror, mbështetje logjistike, mbështetje për policimin ajror, trajnime dhe stërvitje të Aleancës Atlantike.”

Vendimi vjen pas ofertës së Shqipërisë

Ofertë e pranuar! Kështu duket se është vendimi i Aleancës Atlantike që në Shqipëri të ketë bazën e parë ajrore në rajon. Pa kaluar katër muaj nga vizita zyrtare e Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaҫka, në SHBA, oferta që ajo i bëri Sekretarit Amerika të Mbrojtjes, James Mattis, në emër të qeverisë së Tiranës: “për eksplorimin e mundësive për një footprint të NATO-s apo të SHBA-së në Shqipëri”, duket se u pranua. Vetë Ministrja e Mbrojtjes, Xhaҫka, e cilësoi të shtunën vendimin si “një vlerësim të madh të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”.

Vlerësimi mbështetet në plotësimin e detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, që nga pjesëmarrja e forcave të saj të armatosura në strukturat e NATO-s në të gjitha angazhimet që lidhen me sigurinë, me trupa në misione në Afganistan, Letoni, Kosovë, Detin Egje, në misionet e BE-së në Mali dhe Bosnjë- Hercegovinë deri në angazhimin në luftën globale kundër terrorizmit. Përtej detyrimeve të saj si vend anëtar i NATO-s Shqipëria është sot një vend që prodhon siguri në rajon dhe më gjerë.

Përfitime shumëplanëshe

Shqipëria në territorin e saj ka 3 baza ajrore operacionale: Baza Ajrore e Tiranës, ku ndodhet edhe Qendra Kombëtare e Kontrollit dhe Raportimit për NATO-n.  Ajo i raporton Qendrës së Sistemit të Integruar të Mbrojtjes Ajrore të NATOs, e njohur si Combined Air Operation Centre (CAOC); Baza Ajrore e Laprakës, në periferi të Tiranës që përbëhet nga helikopterë që përdoren për transport qeveritar dhe emergjenca; Baza Ajrore e Kuçovës. Avionet luftarakë sovjetikë dhe kinezë që trashëguan Baza Ajrore e Tiranës dhe Kuҫovës ishin kaq të vjetra dhe jashtë përdorimit, sa vetëm para pak vitesh u bë e mundur të shiten ose  për scrap ose muzeumeve. Shndërrimi i bazës ajrore të Kuҫovës në bazë ajrore të NATO-s është një mundësi që  Shqipëria të këtë një bazë ajrore moderne. Kjo pasi kjo bazë do të ketë dy funksione: do të jetë bazë për forcat ajrore të Shqipërisë dhe bazë ajrore për NATO-n. Investimi strategjik prej 50 milion Eurosh,  vetëm për fazën e parë të projektit, flet vetë sesi teknologjinë dhe avionet që do përdoren. Mjafton vetëm fakti i shndërrimit të saj në një bazë ajrore të NATO-s për të marrë me mend sesi do të modernizohen kapacitetet e forcave ajrore vendase. Kryemnistri Rama e sheh përfimin edhe më tej kur shkruan se: “një investim i këtyre përmasave krijon mundësi për zhvillim ekonomik dhe social të gjithë rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze ajrore me teknologjinë e fundit”.

Përfitime ka edhe rajoni, për të cilin shndërrimi i bazës ajrore të Kuҫovës në një bazë ajrore të NATO-s tregon një vëmendje të shtuar ndaj rajonit, përballlimit të rreziqeve të mundshme nga përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin e saj, destabilizuar dhe nxitur konflikte. Përfitime ka BE në synimin e tij për një rajon pranë tij, si Ballkani Perëndimor, që të jete në siguri, paqe dhe stabilitet. (dw)

Në ekspozitën e Londrës, një portret i Tefta Tashko Koços

tefta tashkoArtistja e famshme shqiptare e viteve 30 të shekullit të kaluar, Tefta Tashko Koço, vazhdon të frymëzojë artistët e rinj shqiptarë.

Piktorja Suela Pulaha Brown ka krijuar një portret original në bojëra vaji, i cili është përzgjedhur të marrë pjesë në ekspozitën vjetore të Londrës.

Piktorja shqiptare Suela Pulaha Brown sapo kë përfunduar pikturën në vaj “Perlat e Tefta Tashko Koços”, një vepër e përzgjedhur nga kritika britanike për të marrë pjesë në ekspozitën vjetore të Londrës. Kjo është hera e parë që sopranos së shquar shqiptare Tefta Tashko Koço i kushtohet një vepër kaq e plotë në teknikën e vajit dhe orë të tëra pune mbi telajo për të nxjerrë në pah elegancën e saj shqiptare në një sfond luksi.

“Tefta Tashko Koço është një nga ato figura të shquara që nuk i përket vetëm Korçës, nuk i përket vetëm Shqipërisë, por i përket Europës dhe ajo duhet ta njohë. Ajo është një urë lidhëse mes Shqiëprisë dhe kontinentit europian të cilit ne i përkatim jo vetëm nga ana gjeografike, por edhe nga ana kulturore dhe artistike” – tha zonja Brown.

Piktorja Suela Pulaha Brown thotë se portreti “Perlat e Tefta Tashkos” shënon fillimin e një cikli pikturash të saj kushtuar figurave të shquara të historisë shqiptare në trajta origjinale.

Autorja jeton e krijon në Angli, por ajo ka lindur në Korçë dhe ka studiuar për pikturë në shkollën artistike të vendlindjes, që mban pikërisht emrin e këngëtares së njohur lirike të operave botërore “Tefta Tashko”. Piktorja Suela Pulaha Brown çeli ekspozitën e saj të parë qysh në vitin 1995, ndërsa studimet universitare i kreu në në Britaninë e Madhe.

“Dëshiroj që brezi i ri të njohë këto figura të shquara, sepse këto janë njerëz, të cilët kanë investuar jetën dhe talentin për zhvillimin e vendit dhe janë një model i shkëlqyer për brezin e ri, si dhe ambasadorë të kulturës, të muzikës dhe të talentit shqiptar” – tha piktorja.

Qëndrimi fisnik në portretin elegant i sopranos së shquar, rrethuar nga piano pariziene dhe mjedis luksoz europian, mbart edhe një energji origjinale shqiptare nga vitet rinore, kur ajo pati sukseset e saj më të mëdha në në skenat botërore e ato shqiptare. Për këto cilësi, piktura ka fituar të drejtën të jetë pjesë e ekspozitës vjetore në kryeqytetin britanik.

“Për dashurinë e madhe që kam ndaj pikturës, një pjesë të kohës ia kushtoj krijimtarisë time artistike. Kam marrë pjesë me punime të ndryshme në disa ekspozita, që janë zhvilluar në Uells dhe në Angli. Punimet e mia kanë tërhequr vëmendje të veçantë dhe për këtë jam e lumtur, sepse dua që të jem një ambasadore e denjë e artit shqiptar këtu në Britani ku banoj” – tha zonja Brown.

Tefta Tashko Koço është një nga sopranot më të shquara shqiptare në vitet 20-30 të shekullit të kaluar. Ajo studio muzikën në Francë dhe është e njohur si për intepretimin e operave të famshme botërore ashtu edhe për regjistrimin e këngëve popullore shqiptare. (voa)

Një aplikacion që jep diagnozën për pacientët

diagnozaRobotët mund të bëjnë shumë gjëra që bëjnë njerëzit, por… a munden ata t’u zënë vendin mjekëve? Një kompani në Londër për inteligjencën artificiale thotë se robotët mund të diagnostikojnë pacientët, njësoj siç bën një mjek. Megjithatë, disa mjekë thonë se nuk mund të zëvendësohet niveli i shërbimit që jepet nga njerëzit.

Duke përdorur Alexa-n, asistentin zanor të kompanisë Amazon, një program kompjuterik i krijuar nga firma Babylon Health mund të interpretojë simptomat dhe ta informojë personin për problemin shëndetësor, pasi i drejton një sërë pyetjesh.

“Ajo çfarë po mundohemi të bëjmë me Babylon-in është që të mundësojmë shërbim shëndetësor për të gjithë njerëzit kudo që ndodhen”, thotë Ali Parsa, themelues i programit “Babylon”.

Gjatë një aktiviteti në Londër, themeluesi i programit, Dr. Ali Parsa, thotë se aplikacioni nuk synon të zëvendësojë mjekët e përgjithshëm, por mund të lehtësojë punën e tyre.

“Kemi mungesa në shërbimin parësor në SHBA dhe ka vështirësi edhe në punësimin e mjekëve të rinj të përgjithshëm. Ata punojnë në klinika të ndryshme dhe shikojnë se gjysma e punës është burokraci letrash”, thotë Doktoreshë Megan Mahoney, shefe e shërbimit parësor në Universitetin Stanford.

Por, megjithë avantazhet e tij, Kamila Hawthorne thotë se programi nuk do të zëvendësojë kurrë nivelin e kujdesit shëndetësor që ofrohet nga njerëzit.

“Programi ka të bëjë me njohuritë, por nuk ka të bëjë me aftësitë klinike, me kujdesin ndaj pacientit, me njohjen nga afër të pacientit, të familjes së tij, komunitetit dhe zonës ku jeton, apo llojit të profesionit që ushtron. Këto aspekte kanë shumë rëndësi për pacientët”, thotë Kamila Hawthorne, zëvendës dekane e Kolegjit Mbretëror të Mjekësisë së Përgjithshme.

Por, nga zyrat në Londër të kompanisë “Babylon Health”, Dr. Moshaber Butt thotë se teknologjia rrit saktësinë.

“Pasi kemi krahasuar rezultatet e punës me mjekët e përgjithshëm gjatë situatave më të zakonshme, vumë re se saktësia e inteligjencës artificiale shkon deri në 96%. Për më shumë, ndërsa aplikacioni do të vazhdojë të mësojë, niveli i saktësisë do të vazhdojë të rritet”, thotë Dr. Moshaber Butt, drejtor mjekësor në kompaninë “Babylon Health”.

Që nga viti 2016, firma “Babylon” bashkëpunon me qeverinë e Ruandas për të ofruar kujdes mjekësor nëpërmjet celularëve për gati 2 milionë pacientë të regjistruar nga zona të largëta rurale. Dr. Hawthorne thotë se në rrethana të tilla, inteligjenca artificiale ofron mundësi të mëdha. (voa)

Interesimi i bizneseve në eksplorimin e hapësirës

Kompania Space XKompania Space X kohët e fundit lëshoi nga Kalifornia në hapësirë një tjetër raketë me satelitë, duke nxitur edhe më tej interesin e shumë bizneseve dhe kompanive kërkimore, që tashmë e shohin hapësirën si një mundësi. Në Konferencën Globale të Institutit Milken të këtij viti, pjesëmarrësit shpjeguan arsyet se pse udhëtimi në orbitën rreth Tokës është një mision kaq emocionues.Hapësira po kthehet në një vend me shumë aktivitet.

“Është si një rilindje. Më në fund, sektori komercial po fillon të rikthehet në hapësirë, me projekte tepër interesante”, – thotë Will Marshall, i kompanisë “Planet”

…Projekte që synojnë të sjellin përfitime jo vetëm për njerëzit e ardhshëm në hapësirë, por edhe për ata që jetojnë tani në Tokë.

“Kemi dislokuar rreth 200 satelitë, që çdo ditë fotografojnë Tokën. Imazhet satelitore para angazhimit tonë merreshin një herë në vit, ose një herë në disa vjet”, – thotë Will Marshall nga kompania Planet.

Iazhet tregojnë ecurinë e ndërtimit të fabrikës së kompanisë Tesla, Gigafactory, gjatë një viti. Ndërsa të tjerat tregojnë një port në Egjipt.

Kjo teknologji gjen zbatim në botën reale, që ndikon drejtpërdrejt, ose tërthorazi, mbi jetën në Tokë.

“Këto të dhëna nga orbita rreth Tokës mund të përdoren për të përmirësuar rendimentet e kulturave bujqësore. Ato mund t’i ndihmojnë fermerët të vendosin se kur duhet të hidhen plehëra artificiale dhe kur duhet të ujiten kulturat e tyre bujqësore. Imazhet mund të përdoren edhe për krijimn e hartave komerciale nga kompani të ndryshme, ose nga qeveritë, për çështje si siguria e kufirit, ose reagimi ndaj katastrofave natyrore”, thotë Will Marshall nga kompania Planet.

Satelitë të tjerë përdoren për qëllime të sigurisë kombëtare.

“Sapo nisëm disa muaj më parë një satelit me aftësi komunikimi me rreze lazer. Ai dërgon në Tokë të dhëna me një shpejtësi 200 megabit për sekondë; këta lloj satelitësh kanë aftësinë të komunikojnë me njëri-tjetrin. Satelitë të tillë mund të përdoren edhe për monitorimin e lagjeve, për të mirën e sigurisë kombëtare dhe për sigurinë e banorëve”, thotë Steve Isakowitz nga korporata Aerospace.

Një tjetër objekt që udhëton nëpër Orbitën e Tokës është Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, një objekt me interes të madh për disa kompani dhe institucione kërkimore. Laboratori i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës në Shtetet e Bashkuara dhe astronautët kryejnë një gamë të gjerë eksperimentesh, që nuk do të ishin të mundura në Tokë.

“Kur hiqni vektorin e gravitetit nga ekuacioni, që përdoret këtu në Tokë, shohim disa ndikime dhe fenomene të lidhura me të, siç mungesa e depozitimitt, apo mungesa e konveksionit”, thotë Jennifer Lopez nga Qendra për Përparimin e Shkencës në Hapësirë.

Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës rrotullohet rreth Tokës 16 herë në ditë, duke u ekspozuar ndaj temperaturave ekstreme dhe rrezatimit, duke krijuar një mjedis unik për eksperimente…

Disa eksperimente në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës si ky, synojnë të ndihmojnë pacientët me osteoporozë. Nga ky ekspreriment mund të përfitojnë njerëzit në Tokë, por këto gjetje mund të ndihmojnë edhe në eksplorimet e ardhshme të njerëzve nëthellësitë e hapësirës…

“Ne mund të mësojmë për ostoporozën, apo humbjen e masës së kockave apo humbjen e masës së muskujve në një mjedis hapësinor dhe efektet që mund të ketë një mjedis me mikrogravitet në sistemet tona biologjike”, thotë Jennifer Lopez nga Qendra për Përparimin e Shkencës në Hapësirë.

“Ka shumë mundësi tani në hapësirë, Marsi është një prej tyre”, – thotë Chad Anderson nga kompania Space Angels.

Ndërsa NASA punon për dërgimin e njerëzve në Hënë dhe në Mars, hapësira pranë Tokës dhe më gjerë do të bëhet gjithnjë e më aktive, ndërkohë që bizneset do të përfitojnë nga eksplorimi i kësaj zone të pashkelur më parë nga njeriu. (voa)

Bletët frymëzim për hulumtuesit e dronëve

BletaMegjithë përparimet e mahnitshme në robotikë, makineritë e kanë të vështirë të arrijnë atë që është rutinë për insektet. Kështu që hulumtuesit e robotikës i janë përkushtuar eksperiencës miliarda vjeçare që ofron natyra. Ata po mësojnë nga bletët se si të ndërtojnë mjete fluturuese që mund të mësojnë dhe të drejtohen brenda mjedisit të tyre.

Truri i tyre mund të jetë i vockël por bletët mund të bëjnë shumë më tepër se dronët e sotëm, thotë Alex Dewar në Universitetin Sussex.

“Bleta punëtore është në gjendje të dalë dhe të mësojë mjedisin, të gjejë lule, të mbledhë nektarin dhe të kthehet në fole. Pastaj këto të dhëna i komunikon tek bletët e tjera.”

Zoti Dewar thotë se një dron me një kompjuter të fuqishëm që vetmësohet ka nevojë për bateri të fuqishme.

“Nëse shton peshën, kontrolli bëhet më i vështirë, kërkon më shumë fuqi dhe kështu me radhë. Ideja është nëse mund të mësojmë diçka nga bletët e mjaltit në veçanti, insektet në përgjithësi, në aspektin e energjisë efikase për kryer veprime autonome.”

Projekti “Brains on Bord” studion trurin e insekteve dhe sjelljet e tyre, për përdorim si model tek dronët inteligjentë.

Për shembull, programuesit mund të mësojnë se si bletët orientohen në mjedisin e tyre, thotë profesori Andy Philippides në Universitetin Sussex.

“Ato sillen rreth folesë gjë që i ndihmon të orientohen në atë mjedis. Faza tjetër për ne është se si t’i përdorim këto të dhëna në dronët tanë për të strukturuar informacionin që vjen, që ta bëjmë sa më të lehtë procesin e vetmësimit dhe navigimit.”

Projekti ka mbledhur sëbashku biologë dhe ekspertë të teknologjisë kompjuterile dhe robotike.

“Po studiojmë bletën në shkallë të ndrysme. Përmes realitetit virtual po regjistrojmë ato që ndodhin brenda neuroneve në një shkallë shumë të vogël. Në shkallë të lartë kemi eksperimetet me radarët, regjistrimin e neuroneve ..dhe e gjithë puna është që të gjitha këto t’i bashkojmë në një model”,thotë Andy Philipides.

Ekipi shpreson që brenda një viti do të ndërtojë një dron që fluturon në mënyrë autonome.

SHBA, fillon një vit festimesh për 50 vjetorin e zbritjes së njeriut në Hënë

Misioni ApolloFormer Johnson Space Center Director Gerry Griffin, left, a flight director for all of the crewed Apollo missions, sits next to Apollo astronauts Harrison Schmitt, Rusty Schweickart, Walt Cunningham and Tom Stafford, from second from left, during a panel

Një mbrëmje gala në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida hapi këtë javë një vit festimesh e aktivitetesh në përgatitje për 50 vjetorin e zbritjes së njeriut në Hënë. Personalitete, shkencëtarë e entuziastë të udhëtimeve në hapësirë ishin mbledhur për të festuar misionet Apollo që shënuan një revolucion në eksplorimin e hapësirës, duke u kurorëzuar me misioin Apollo 11 që arriti të dërgojë njerëz në Hënë. Astronautët Walt Cunningham, Rusty Schweickart dhe Tom Stafford të cilët kanë fluturuar me misione të ndryshme Apollo, reflektojnë mbi domethënien e këtyre misioneve për njerëzimin:

Vitin e ardhshëm mbushen 50 vjet që nga zbritja e njeriut në Hënë.

Qindra vetë u mblodhën këtë javë për të festuar këtë arritje që fizikani Brian Cox e vlerëson përtej domethënies shkencore:

“Mendoj se nuk ka gjë më të rëndësishme se të nderojmë Apollon. Për mua, është gjëja më e vështirë që kemi bërë ne si civilizim, prandaj e konsideroj si arritjen më të rëndësishme. Historia na tregon se nëse nuk përpiqemi të kapërcejmë kufijtë, nëse nuk përpiqemi të bëjmë gjëra të pamundura për kohën, qytetërimi ynë do të dështojë,” thotë fizikani Brian Cox.

Në mbrëmje ishin të pranishëm edhe Walt Cunningham, Rusty Schweickart dhe Tom Stafford, tre ndër astronautët e shumtë që fluturuan me gjeneratën e Misioneve Apollo.

“Duhet të kuptojmë se ky ishte një moment historik në evolucionin e njerëzimit dhe të jetës në këtë planet. Njeriu dhe makinat që ka krijuar po na japin mundësi të dalim jashtë gjirit të Tokës drejt kozmosit. Eshtë diçka e mrekullueshme kur mendon për jetën siç e konceptojmë ne në këtë planet të vogël të quajtur Tokë dhe që tani gradualisht po dalim jashtë tij,” shprehet Rusty Schweickart, i cili fluturoi me misionin Apollo 9.

Walt Cunningham kujton fillimet e programit Apollo. Ai fluturoi me Apollo 7 në 1968, një vit para zbritjes në Hënë:

“Po i afrohemi 50-vjetorit të misioneve Apollo, që nga misioni i parë i daljes në hapësirë me Apollo 7, me të cilin fluturova unë, deri tek Apollo 11 që zbriti në Hënë. Më duket e çuditshme, por edhe frymëzuese që njerëzit janë kaq të entuziazmuar për arritjet në hapësirë,” thotë Walt Cunningham, astronaut i Apollos.

Astronauti Cunningham kujton se një rendje drejt hapësirës që filloi si një konkurrencë mes dy superfuqish shënoi arritje të mëdha për mbarë njerëzimin.

“E filluam si garë me Rusinë, që të eksploronim hapësirën, por ajo që kishte më rëndësi është zbritja e njeriut në Hënë”.

87-vjeçari Tom Stafford ka regjistruar 507 orë e 43 minuta në hapësirë. Ai ishte komandant i Projektit Apollo-Soyuz, një mision i përbashkët hapësinor që shënoi një moment historik të takimit të austronautëve amerikanë dhe kozmonautëve rusë në hapësirë, duke simbolizuar ndalimin e garës për hapësirën. Ai shpjegon se një celular i ditëve tona shkencë më të avancuar se sa anija hapsinore me të cilën ai udhëtoi në hapësirë. Ai ia dedikon arritjet e Apollos përkushtimit të punonjësve të NASA-s.

“Njerëzit duhet ta kuptojmë sa shumë kemi punuar. Mbi 400 mijë vetë punonin për projektin Apollo. Java me 5 ditë punë, nga tetë orë në ditë do të na dukej si javë pushimesh në atë kohë. Brenda 20 muajsh dërguam 10 misione Gemini. Brenda nëntë muajsh dërguam pesë misione Apollo dhe katër me anijen Saturn. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm”.

Një ndër sponsorizuesit e mbrëmjes gala ishte Fondacioni ShareSpace i astronautit Buzz Aldrin, një ndër dy astronautët që zbritën në Hënë më 20 korrik 1969. Aktiviteti në Florida shërbeu edhe për të grumbulluar fonde për programe mësimore për shkencën dhe teknologjinë.

(voa)

Shpejtësi rekord në garën për Hyperloop

Spase xNjë tren futurist që udhëton në një tunel special dhe përshkruan distancën nga qyteti Los Angeles për në San Françisko brenda 30 minutash… Kjo ishte ëndrra pesë vite më parë e zotit Elon Musk, themeluesi i kompanisë SpaceX. Me kalimin e viteve, ëndërra e tij po i afrohet realitetit. Para disa ditësh në Los Angeles u zhvillua gara e tretë vjetore për mjetin që do tëpërdorë tunelin që quhet Hyperloop. Në këtë garë u shënua një rekord tjetër shpejtësie.

467 kilometra në orë, ky është rekordi i ri i shpejtësisë nga ekipi gjerman WARR Hyperloop, i përbërë nga studentë të inxhinierisë. Kjo ishte gara e tretë vjetore që zhvillohet në qytetin Los Angeles. Më shumë se 600 ekipe nga e gjithë bota morën pjesë në gara. 20 prej tyre arriten finalen ndërsa vetëm tre ishin aq të shpejta, sa të provonin mjetet e tyre në një tunel special mbi 1 kilometër të gjatë. Kriteri kryesor ishte shpejtësia në tunelin me presion të kontrolluar.Florian Janke është përfaqësues i ekipit gjerman WARR Hyperloop.

“Provuam modele të ndryshme, një motor të madh, dy motorë të mëdhenj në të njëjtën shasi, që ishin ide të mira. Përfundimisht zgjodhëm motorë të vegjël që kanë raport të mirë mes fuqisë dhe peshës. Simulimi na tregoi se ky do të ishte varianti më i mirë.”

Inxhinierët thonë se u përballën me vështirësi të papritura, siç ishin pjesët elektronike që nuk ishin të përshtatshme për tunelin me presion të kontrolluar. Antoine Coppens është me ekipin EPFLOOP.

“Përdorëm bateri të tipit D dhe i përshtatëm së bashku në një kuti mbajtëse në një strukturë të bërë me printim 3D që e rrethon kutinë dhe bëmë të gjitha provat e efetshmërisë. Kjo të jep qëndrueshmëri sepse kur bateritë ekspozohen në mjedise me presion, mund të zgjerohen dhe rrezikojnë të shpërthejnë, apo të marrin zjarr. Ndaj kur i mban brenda një foleje, sigurohesh që kjo të mos ndodhë.”

Por ky nuk është i vetmi problem që duan të zgjidhin inxhinierët. Një ekip nga Holanda thotë se një sistem i plotë trasnporti me hyperloop do të eleminonte fluturimet e shkurtra, si dëmet që i shkaktohen mjedisit.Jelle Van Der Zon është me ekipin Delft Hyperloop.

“Këto mangësi ndikojnë tek fluturimet në distanca të shkurtëra deri në 1 mijë e 500 kilometra. Ne mendojmë se duhet rritur cilësia e transportit, pra do të përdoret sistemi me hyperloop. Mund të lidhim distancat prej 500 kilometrash si Amsterdamin, Brukselin, Parisin apo Berlinin.”

Shefi i kompanisë SpaceX dhe sponsorizues i hyperloop, Elon Musk, thotë se gara është për të thyer kufinjtë.

“Gara është për të nxitur njerëzit që të mendojnë për modele të reja transporti, që do të transformojnë rrënjësisht qytetet dhe lëvizjen. Besoj se do të ketë përmirësime rrënjësore.”

Gara e këtij viti tregoi se inxhinierët janë gjithnjë e më pranë kësaj zgjidhjeje. (voa)