“Nuk është punë që të nderon, t’ia hedhësh atij që të beson”

Miguel de CervantesThënie nga Miguel de Cervantes
“Gënjeshtra zakonisht shkatërron miqësinë, kurse e vërteta dashurinë.”

“S’ka plaçkë më të lirë se lajkat.”

“Ai që do të shtiret budalla duhet që të mos jetë i tillë.”

“Ku mbretëron mjerimi nuk mund të ketë liri.”

“Nuk është punë që të nderon, t’ia hedhësh atij që të beson.”

“Smirë, rrënjë e të mirave të pafundme, brejtës i të gjitha virtyteve.”

“Nëse xhelozia është një shenjë dashurie, atëherë është si gripi për të sëmurin, që është një shenjë jete, por një shenjë e një jete të sëmurë.”

“Kush vlen më shumë, duhet të bëjë më shumë.”

“Ruaju demit përballë, gomarit nga pas dhe priftit nga të gjitha anët.”

“Është në karakterin natyror të femrave: të injorojnë ata që i duan e të duan ata që u injorojnë.”

KultPlus

Fragment nga libri “Kujtimet e mia I (1888-1909)” i Rexhep Mitrovicës

Rexhep-MitrovicaQyteti i Mitrovicës nuk ishte i madh. Kishte pesë deri në gjashtë mijë banorë. Ata përbeheshin nga dy grupe. Në një anë mitrovicasit vendas; kurse në anën tjetër të ardhurit nga viset e ndryshme të Shqipërisë. Vendasit nuk ishin aq spekulues; jo aq të pasur dhe nuk i donin punët e rënda. Ishin ëndërrimtarë, njerëz të rehatisë, shumë religjioz, kënaqeshin me pak, shitnin pemë, qumësht, kajmak dhe jetonin të qetë. Ajo popullatë e butë dhe e përzemërt parapëlqente të binte në gjumë shumë heret dhe të zgjohet shumë heret në mëngjes.

Agu i gjente femrat në këmbë një nga kënaqësit më kureshtare të atyre zonjave. Të pranonin në atë orë të hershme, vizitat e shoqeve. Femra që pret dikë ngrihet pra agimit, e mbush mangallin e vet me prush, i shtron dy ose tri postiqe deleje, qilima të vjeter nën hijen e lisit të parapëlqyer dhe përgaditet për të pranuar shoqet. Ato arrijnë njëra pas tjetrës dhe ulen në vendin e zgjedhur. Zonja e shtëpisë përgatit kafenë përpara tyre duke llafosur. Bashkë më kafen ato pinë cigare të holla të mbështjella me dorë. Pas shumë bisedave ato këndojnë dhe e shoqërojnë këngën me butësi

“Freski e mëngjesit ti je mbret i të gjitha freskive,
Me fjalë të tjera ti je e bukura e më të bukurave”.

Rrezet e para të diellit i bëjnë të shpërndahen. Secila shpejton t’i rreket punës së vetë ditore. Duhet mjellë lopët, dhitë, dhenët duhet përgatitur bukën. Duhet mendur për kafën e burrit, sepse ai ngritet tash prej shtrati.
Jeta është gjallëruar me kohë në qytet dhe në rrethina. Gjithkund dëgjohet jehona e lesave (“perajkave”) në breg të lumit që gjarpëron nëpër kopshte. Aty në brigjet e lumit edhe vajzat lajnë rroba. Bariu paraqitet dhe troket në derë. Aj vjen për ti marrë bagëtinë dhe për ti shpënë në kullosë. Burri me vegla mbi supe, niset ngadalë për në fushë. Atje do të punoj deri në mesditë, pastaj do të kthehet për të pushuar, dhe nuk do të ktheftë më në të njëjtën ditë. Puna i pëlqen dhe nuk e keqpërdor. E tillë ishte në mëngjes pamja aq e qetë dhe aq e këndshme e qytetit tone. Njeriu dëshironte të bënte jetë të qetë dhe të lumtur, dëshironte të ëndërronte. Ai luan domino, mban pëllumba, pata, gjela, dele dhe i pëlqen të organizojë luftime.

Një kohë e gjatë argëtimi kalohej kaluar. Çdo të premte në fushën e gjerë të sharrës tuboheshin dashamirët e lojërave të kalorësisë. Kuajt ishin të stolisur shkëlqyeshëm, kurse garë kishte të bënte me një vrap befasie ku duhej goditur kundërshtarin me shkop. Ata luanin shpeshherë edhe me pushkë, mirëpo kjo lojë e zhurmshme bëhej vetëm në rastet e dasmave dhe të lindjeve.
Pranë vendasve aq të butë e të qetë, ishte një tjetër element- të ardhurit. Këta të fundit i jepnin gjallëri qytetit që ishte shumë i gjallë. Ajo popullatë kishte ardhur nga Jakova (Gjakova) dhe nga Bosnja. E mbante tërë tregtinë e qytetit.

(Materiali i këtij libri është mbledhur nga Fazli Hajrizi)

KultPlus

Gratë shqiptare që kanë bërë histori

gratë qe thyen tabuNdër vite njerëzit janë frymëzuar nga figura të shumta të grave shqiptare të cilat kanë bërë histori. Guximi, fuqia, mençuria dhe vendosshmëria e tyre shpesh janë bërë inspirim për të tjerët.

Në sot po ju sjellim emrat e disa grave shqiptare që kanë bërë histori dhe vazhdojnë të kujtohen për të bëmat e tyre.

KUSHE MICJA ka hapur shkollën e parë femërore në Shkodër, në 1862.

SEVASTI QIRIAZI ka hapur shkollën në 1881 në Korçë.

PERSEFONI TRENI ishte drejtuesja e parë e një shkolle për vajza, në Pogradec në 1917.

URANI RAMBO hapi shkollën e parë femërore në Gjirokastër në 1920, dhe në 1923 bëri kërkesën në konferencat e grave që meshkuj e femra të shkolloheshin së bashku.

HAJRIJE KRAJA mësuesja e parë në një shkollë shtetërore, në Shkodër në 1920. Kanë thyer tabu dhe të gjitha vajzat që u regjistruan në shkollat e para të hapura nga zonjat e lartpërmendura.

POLIKSENI LUARASI nxënësja e parë e regjistruar në një shkollë djemsh, në Korçë në 7 mars 1887.

PARASHQEVI QIRIAZI ka organizuar shoqatën e parë të gruas, në Korçë në vitin 1909, e së bashku me Sevastinë, kanë botuar të parën revistë për gratë, “Ylli i Mëngjesit” në Boston në 15 janar 1917. Këto motra të famshme hapën dhe të parën shkollë të mesme për femra në Kamëz, Institutin Kiriaz, në vitin 1922.

IKBAL ÇIKA femra e parë gazetare shqiptare dhe e para pronare femër (botuese) e revistës ekonomike-letrare “Java” në 1937.

ELENI QIRICI, femra e parë shqiptare qe aktroi në Holivud,

Natyrisht që kanë thyer tabu të gjitha gratë e vajzat që guxuan të shkruanin e të botonin në shtypin e kohës, si Motrat Qiriazi, Kaliopi Plasari, Afërdita Erbapi, Emine Toptani, Shaqe Çoba, Urani Rumbo, Ikbal Çika, Marigo e Fereniqi Pozio, Musine Kokalari, Selfixhe Broja, Xhemalije Gjylbegu, Luçije Serreqi, Ollga Pëllumbi etj.

(Nga Fjalori Enciklopedik i Gruas Shqiptare” dr. Zenepe Dibra) / Albumi Akordet

Sami Frashëri: Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten

Sami-FrasheriThënie nga Sami Frashëri

• Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen.

• Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

• Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit.

• Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi; shoku më i mirë libri.

• Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

• Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij.

• Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

• S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

• Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

• Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

• Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend.

• Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër të keqes që të është bërë.

• Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

• Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

• Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

• Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

• Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se stolitë e të gjitha grave të botës.

• Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

• Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën e në të majtën librin.

• Çdo gabim i gruas së ndershme është i falur nga burri i saj.

• Shumica e njerëzve, sidomos gratë, nuk i donë ata që i donë por ata që i përbuzin.

• Vjehrra nuk e kujton asnjëherë kohën e nusërisë.

• Për dashurin s’ka gjë më të ëmbël se lotët e syve që fshihen me dorën e së dashurës.

• Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë.

• Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

• S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia.

• Kush i shtrohet gjithkujt është kokëdele.

• Më i poshtri njeri është ai i cili kërkon mirësi nga një i poshtër.

• Qesja nuk zbrazet duke dhënë lëmoshë.

• Delen që ndahet nga tufa e ha ujku.

 

1 qershori i solli në jetë vëllezërit Abdyl dhe Sami Frashëri

vëllezërit-Frashëri-Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi, Samiu përbëjnë trinomin e veçantë të historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Kontributi që këta tre frashëriotë i kanë dhënë kombit e Atdheut pa dyshim se është kontributi më i çmuar dhe më i rëndësishëm i kohës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Abdyl Frashëri lindi në vitin 1839 në fshatin Frashër  të Shqipërisë, në një familje të gjendjes së mesme ekonomike.  Ishte djali i Halit dhe Emine Mirahorit-Frashëri. Vdiq më 23 tetor të vitit 1892 në Stamboll, të Turqisë.  Avdyli ka qenë atdhetar i përkushtuar e çështjes kombëtare shqiptare një nga ideologët përparimtarë të Rilindjes Kombëtare dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qeveria dhe shteti shqiptar e ka shpallur Hero të Popullit.

Lindi në Frashër të Përmetit në familjen e një  vëllai i madh i Naim Frashërit dhe Sami Frashërit, fis Dakollarësh nga Dera e madhe Frashëri. Abdyl Frashëri e kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane. Por shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e Perandorisë Ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane dështuan gjithashtu mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të Pavarur në kufijtë e saj etnikë.

Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri (atëherë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman), u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stamboilit). Si kryetar i tij ai dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane dhe sidomos pas nënshkrimit të Traktatif të Shën Stefanit. Sipas tezës së Abdyl Frashëri në kushtet e krijuara nga prirjet ekspansioniste të Rusisë cariste, nga interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur më këmbë Perandorinë Osmane dhe nga synimet e monarkive ballkanike fqinjë për ta copëtuar Shqipërinë, zgjidhja më e përshtatshme (një zgjidhje kjo e përkohshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suverenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.

Si një nga autorët kryesorë të platformës politike të Komitetit Qendror të Stambollit, të cilën Abdyl Frashëri e parashtroi publikisht edhe me anën e artikujve që botoi në disa organe të shtypit evropian gjatë pranverës së vitit 1878, ai mori pjesë aktivisht në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas themelimit të Lidhjes, e cila e adoptoi këtë platformë, Abdyl Frashëri. u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Nuk e shkëputi asnjëherë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare ose nga komitetet ndërkrahinore të saj. Kudo udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i koinisionit të punëve të jashtme të saj. Ai përfaqësoi Toskërinë në Kuvendin e Parë të Dibrës (1 nëntor 1878), ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i vilajetit të bashkuar autonom të Shqipërisë. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Në pranverën e vitit 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. Abdyl Frashëri, ishte promotori i projektit që miratoi Kuvendi i Dytë i Frashërit për të formuar qeverinë e përkohshme. Ai udhëhoqi gjithashtu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës që u shpreh për krijimin e shtetit autonom shqiptar me anën e lëvizjes së armatosur.

Abdyl Frashëri, e mbrojti programin e Gjirokastrës në Kuvendin e Dytë të Dibrës ku udhëhoqi si gjithnjë krahun radikal të lëvizjes. Edhe pse programi i autonomisë nuk u pranua nga përfaqësuesit e rrymës së moderuar, ai kaloi në Kosovë dhe aty së bashku me bashkëluftëtarët e vet kosovarë, vuri në jetë vendimet e Gjirokastrës. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren në fillim të vint 1881 dhe dha një kontribut të rëndësishëm né përgatitjet politike dhe ushtarake që u morën për mbrojtjen e autonomisë kundër ekspeditës ushtarake osmane.

Pas shtypjes së Lidhjes, u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm. Megjithatë, pasi qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj, për arsye shëndetësore u lirua, por me kusht që të hiqte dorë nga veprimtaria politike patriotike. Edhe pse i sëmurë dhe i izoluar, ai e vazhdoi veprimtarinë patriotike derisa vdiq në Stamboll më 23 tetor të vitit 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978. (Vikipidia)

Kastriot Bezati: Vëllezërit Frashëri

Frashëri, vendlindja e Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, ka qenë dhe është kryeqendra e Dangëllisë. Emrin e tij, fshati, Frashëri, e ka marrë nga pema pyjore “Frashër”, ndërsa krahina, Dangëllia, e ka marër emrin nga fjala turke “Dag-ili”, që do të thotë “Malësi”, – ka shkruar Sami Frashëri. Emrin krahinës  ia dhanë osmanët në fillim të shekullit XVII. Më parë, në shekullin XIV, krahina quhej “Malakas” dhe qendra e saj ishte fshati “Malakas”, i cili ndodhej jo shumë larg Frashërit, në shpatin perëndimor të malit Radomir, – thotë Kristo Frashëri. Emërtimi turqisht “Dangëlli” është një përkthim i emrit  “Malakas”, që në rrënjë ka fjalën shqipe “Mal” në kuptimin “Malësi”.

Dangëllia, si hapësirë gjeografike, në ecurinë historike ka ndryshuar, herë ka pasur më shumë dhe herë ka pasur më pak fshatra, si përshembull: më 1850 përfshinte 48 fshatra, më 1896–28, në vitet ’40 të shekullit XX kishte 22, ndërsa sot Komuna e Frashërit ka 12 fshatra: Frashëri, Miçani, Zavalani, Gostivishti, Ogreni, Kreshova, Vërçishti, Gostomicka, Suropulli, Koblara, Kostreci dhe Selenica.

Frashëri ngrihet rrëzë malit të Kokojkës, 1030 metra mbi nivelin e detit, me hapësirë relievi 15.5 km2. Frashëri, përmendet për herë të parë si vendbanim në Regjistrin ixhmal të Vilajetit të Përmetit dhe të Korçës, hartuar në vitet 1431-1432, me emrin Fraxhili, ndërsa ashtu si e shqiptojmë sot, Frashëri,  del për herë të parë në vitin 1506, në Defterin mufasal të Vlorës. Popullsia: më 1431 – 12 shtëpi, më 1506 – 41, më 1583 – 58 shtëpi. Në mesin e shekullit XX kishte 22 lagje dhe një treg prej 20 dyqanesh. Në këto vite kishte jo më pak se 300 shtëpi, sipas historianit Kristo Frashëri, dhe jo më shumë se 350 shtëpi sipas shtetarit Medi Frashëri. Ishte “një qytet i vogël malor”, – shkruan Sami Frashëri në veprën e tij Kamus-ul-Alam. Lagjet: Sulejmanbellinjtë, Dukollarët ose Dulellarët, Skënderajt, Lahçenjtë ose Haxhillarët, Velibellarët, Kasollarët, Dhamellarët, Karafilbejtë, Cërrasit, Bakasit, Vilakët, Lopësit, Begmeçasit apo Begasit, Qyrasit, Arapasit, Aliçkasit apo Çokllarët, Liçollarët, Rasetasit, Kisha apo Ninkat, Panollarët, Çobenët dhe Beçllarët. Më 1912 ishte rreth 1180 banorë. U dogj tërësisht më 6 maj 1914 nga okupacioni i Greqisë. Më 1923 kishte 302 banorë, më 1990 – 91 familje me 432 banorë dhe më 2009 kishte 53 familje me 186 banorë. Më 2008 si komunë kishte 1555 banorë. Sot, më 22.07. 2012, fshati ka realisht 7 shtëpi me  32  banorë, shumë më pak seç kishte në shekullin XV.

Dulellarët  apo Dukollaret

Dukollarët apo Dulellaret janë vendas apo të ardhur në Frashër? Të dy këto mendime  janë të ngritura dhe të parashtruara në punimet e botuara historike si dhe në publicistikë e masmedia. Idea se janë të ardhur është sjellë nga Mit’hat Frashëri në jetëshkrimin e Naim Frashërit, Sofie, 1901, botuar me emrin Mali Kokojka, ndërsa ideja se janë autoktonë është mbrojtur më 1982 nga Dhimitër Shuteriqi në librin “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982, dhe, sidomos, nga Kristo Frashëri në librin “Abdyl Frashëri”, Tiranë, 1984.

“Bejlerët e Frashërit rrjedhin nga një i quajtur Ajaz Bej dhe tani përbëhen nga 40 – 50 shtëpi”, – shkruan Sami Frashëri në veprën “Kamus ul Alam”, Vëll. V, Istanbul, 1896.  Ajaz Beu,- vazhdon më tej Sami Frashëri, – është nga  Tomorica, të cilin  Porta e Lartë e internoi familjarisht nga Tomorica në Stanimakë, sot Asenovgradi i Bullgarisë. Kur u bë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane  Mehmet Pashë Qypriliu nga Roshniku i Beratit, i cili qeverisi në hapësirën e viteve 1656 – 1661, familja e Ajaz Beut u lejua të kthehej ne Shqipëri duke iu dhënë si timar Frashëri në Dangëlli dhe disa fshatra në Myzeqe dhe, fëmijët e Ajazit, zgjodhën si vëndbanim Frashërin e Përmetit. Këto thotë Sami Frashëri dhe nuk thotë që familja e Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, e ka prejardhjen nga Ajaz Beu i Tomoricës. Edhe në autobiografinë e vet, botuar në “Serveti Funun”, Istanbul, 19.06.1896, edhe kur trajtoi biografinë e vëllait të madh, të Abdyl Frashërit, Kamus ul Alam, Istanbul, Vell.V, 1896, Sami Frashëri nuk thotë se familja e tij rridhte nga Ajaz Beu i Tomoricës, – thotë Kristo Frashëri.

Mit’hat Frashëri, në jetëshkrimin mbi Naim Frashërin, Sofie, 1901,  shkruan: “Më 1570 Hamza Beu, i pari i Tomoricës, desh të shtojë urdhërin e tij dhe të marrë në mproje Skraparin, Oparin, Vërçën …U zu i gjallë dhe me gjithë fëmijë u dërgua në Stanimakë, ku ndenji 70 vjet. Më 1656 në kohën e Mehmet Pashë Qypriliut, kushëri i tyre, u fal Ajaz Beu, i nipi i Hamzait dhe ju dha në mprojë Frashëri, Mërtinja, Xhanjani, Topojani dhe në Vlorë Kudhësi, Armeja dhe ca fshatra në Myzeqe, po Ajazi pëlqeu Frashërin për të ndënjur se është vënd i fortë. Kur erdhi Ajazi në Frashër atje gjeti fëmijë parësie: Aliçkajt, Cërasit, Bregasit dhe Bakasit”. Më tej Mit’hat Frashëri shkruan se nga fisi i Ajaz Beut e kane prejardhjen edhe Dulellarët e Frashërit.

“Ky pohim, i cili është marrë në fakt nga mjaft studimtarë, nuk është i saktë”, – shkruan Kristo Frashëri në librin “Abdyl Frashëri”. “Nuk del që Dakollarët , siç quhen Vëllezërit Frashëri të jenë pasardhës të Ajaz Beut … Një bej i shek XIX, ndofta i frashëriotit Tahir Nasibiu, që jetoi përpara Naimit, me Ajazin lidh vetëm dy familje të Frashërit, Sulejmanbellinjtë e Vilakët”, – thotë Dhimitër Shuteriqi në librin “Naim Frashëri”. Tahir Skënderasit i referohet ndër të tjera edhe Kristo Frashëri, i cili shkruan: “Në një poemë shqipe kushtuar Frashërit prej 82 katrorësh (328 vargje) që la në dorshkrim Tahir Skënderi apo Tahir Dedej, një frashërlli i kulturuar nga lagjja Skënderas, i cili vdiq më 1834, … poema që ne sot kemi në dorë katër katrorë, në njërin nga të cilët trajtohen si familje të ardhura nga Stanimaka vetëm Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët”. Vite më vonë, në librin “Frashëri – Shkëlqimi dhe rrënimi i tij”, Tiranë, 2010, Kristo Frashëri shkruan: ”Emrin e Ajaz Beut nga Frasheri … e ndeshim në Kodeksin e Manastirit të Shën Prodhomit në Voskopojë. Aty thuhet tekstualisht se: “1728: në kohën e igumenit Niqifor, Bondua, biri i Ajaz Beut nga Frashëri, vrau Theodor Paskalin nga Voskopoja në çifligun e tij në Barç” dhe, ndër të tjera, po në këtë kodik, thuhet ”1731: sulltan Mahmuti .. vrau Ajaz Beun nga Frashëri dhe Bondon”. Të dhënat e këtij kodiku flasin se nuk është viti 1650 viti  i largimit të Ajaz Beut nga Stanimaka e vendosja e tij në Frashër, nuk është koha e Mehmet Pashë Qypriliut por koha e Veziratit të Qyprilinjëve, e cila vazhdoi deri më 1735: pas Mehmet Qypriliut, i cili e mori mbiemrin “Qyprili” nga qyteza “Qypry” në zëmër të Anadollit, kemi: Fazil Ahmet Pasha (1661-1676), Kara Mustafa Pasha (1676-1683), Fazil Mustafa Qypriliu (1689-1691), Hysen Qypriliu (1697-1702), Numan Qypriliu (1710-1711) dhe Abdullah Qypriliu (1723-1735).

Kristo Frashëri dhe Dhimitër Shuteriqi, nisur kryesisht nga shkrimet e Sami Frashërit në “Kamus ul Alam” dhe “Serveti Funun”, nga vargjet e poemës së Tahir Nasibiut kushtuar Frashërit dhe nga të dhënat e Kodikut të Manastirit të Shën Prodhomit në Voskopojë, konkludojnë se Vëllezërit Frashëri nuk janë me prejardhje nga Ajaz Beu i Tomoricës por  bij të mëdhenj të familjes autoktone të Dukollarëve apo Dulellarëve të Frashërit të Përmetit.

Prindërit e Vëllezërve Frashëri

Shënimet gjenealogjike të famijes së Dulellarëve, të cilat  të mikrofilmuara ndodhen në Institutin e Historisë në Tiranë, shkojnë deri te Beqiri, katragjyshi i Vëllezërve Frashëri, i cili ka jetuar në shekullin XVIII. Studiuesi turk A.S.Levend, në librin “Semsettin Sami”, Ankara, 1969, thotë se ai ka qenë spahi, por nuk thotë se ku ndodhej timari i Beqirit. Djali i parë i Beqirit ishte  Fejzullahu, i cili në fshat thirrej shkurtimisht Duko, ndaj dhe fëmijët e tij u quajtën Dukollarë. Djali i tij i dyte ishte  Muhtari, i cili  thirrej në fshat me emrin Tare dhe fëmijët e tij u quajtën Tarenj. Studiuesi, Alfred Frashëri, në librin  “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007, thotë se Beqiri kishte edhe tre djem të tjerë, që ishin: Kajmaku, Jakupi dhe Mahmuti. Fejzullahu, sipas traditës gojore, kishte një djalë, që u quajt Abdullah Hysni, shkurtimisht Dule, i cili pati dy djem, Halitin dhe Durmishin, –  shkruan  Kristo Frashëri. Familja që krijoi Halit Frashëri u njoh në Frashër me emrin e Dules – familja e Dulellarëve, kurse pasardhesit e Durmish Frashërit ruajtën emrin e mëparshëm, vazhduan të thëriteshin familja e Dukollarëve, ashtu si thirreshin më parë edhe fëmijët e pasardhësit e Fejzullahut.

Në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Abdulla Hysni, Dulja, u vendos me familje në Janinë, ku më 1797 lindi Haliti dhe më 1801 Durmishi. Dy vëllezërit pas disa vitesh u kthyen në Frashër. Haliti në vitet ’20 të shekullit XIX hyri në shërbim të Mehmed Reshid Pashës me detyrën e serçeshmes, intedentit, ndihmës i serqedes, komandant i reparteve bashibozuke, – shkruan Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Istanbul, Vëll. III, 1891. Me këtë detyrë ai mori pjesë, nën urdhërat e Mehmd Reshidit, më 1824, në luftimet që u zhvilluan në territorin grek ku edhe u plagos, – vazhdon  Sami Frashëri dhe më tej, Sami Frashëri, thotë se i ati, Halidi, tregoi simpati për reformat centralizuese osmane dhe përkrahu Mehmed Reshid Pashën për t’i zbatuar këto reforma në Shqipëri. Halidi nuk u bë oficer i karrierës por mbeti i lidhur pas ofiqit të serçeshmes, që e detyronte të shkonte në luftë me harxhe sa herë e thërriste Porta e Lartë. Më 1854, ai shkoi me harxhe në Thesali, ku mori me vete edhe djalin e madh, Abdylin, dhe, tre vjet më vonë, më 1857, Halidi u nis së bashku me Abdylin në Janinë, ku dhe u nda nga jeta më 19 janar 1859.

Halitit, gruaja e parë nuk i dha asnjë fëmijë dhe, me vdekjen e saj, u martua me Eminenë nga familja përmetare e Mirahorëve që banonte në  Korçë. Emineja lindi në Korçë më 3 maj 1814. I ati i saj, Islam Mirahori, ishte biri i Hysen Mirahorit,  i cili i takonte brezit te dhjete   pasardhës te  Iljaz Bej Mirahorit, dhëndrit të Sulltan Mehmetit I, themeluesit  të qytetit të Korçës. E ëma e Eminese,  Zymbylja, ishte e bija e Mehmet Pashë Plasës, edhe ky pesonalitet i trevës së Korçës, në shek. XIX. Iljazi u lind në hapësirën e viteve 1408 – 1420 në fshatin Panarit, i cili  në atë kohë bënte pjesë në Kazanë e Përmetit. U muar peng nga Murati II, sulltan në vitet 1421 – 1451. U martua si cilësuam me të bijën e sulltan Mehmetit II, 1430-1481, i cili hipi në fron më 1451 pas vdekjes së të atit Muratit II. Iljaz Mirahori luftoi për marrjen nga turqit të Konstandinopojës më 29 maj 1453. Në kohën e mbretërimit të Bajazitit II, 1481 – 1512, u emërua sanxhakbej i Janinës. U kthye në Korçe më 1484 dhe, në periudhën midis viteve 1484 – 1495, iu dhanë si pronë private nga Sulltan Bajaziti II disa fshatra, si: Panariti, Trebicka, Treska, Vodica, Stratobërdha të Kazasë së Përmetit dhe Leshnja, Vithkuqi, Boboshtica të Kazasë së Korçës, shkruan historiani Ferid Duka, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëll.II, 2008. Më pas në vënd të Treskës dhe Panaritit iu dha nga sulltani fshati Peskopje dhe, me marrjen në pronësi të këtij fshati, si dhe te fshatit më të vogël Gjoricë, të cilët ndaheshin nga ujërat e lumit të Moravës, në relievin e këtyre fshatrave, sidomos të fshatit Peskopje, në vitet 1494 – 1496, hodhi themelet dhe filloi ndërtimin e qytetit te Korçës. Iljaz bej Mirahori ndërtoi xhaminë, tyrben, hane, hamame, imaretin, pazarin dhe hapi institucionin arsimor me veprimtari fetare e shkencore – Medresenë e Korçës. Qyteti i Korçës është themeluar dhe ndërtuar nga Iljaz Bej Mirahori në periudhën e Sulltan Bajazitit II, – shkruan Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Istanbul, Vëll. V, 1896. Iljaz bej Mirahori vdiq më 1512, ndërsa stërmbersa e tij, Emine Mirahori, gruaja e Halid Frashërit, u nda nga jeta në Frasher më  28  prill 1861.

Emine dhe Halit Frashëri patën tetë fëmijë: gjashtë djem e dy vajza dhe të gjithë lindën në Frashër.  Djali i parë lindi më 29 gusht 1839 dhe i vunë emrin e gjyshit,  Abdullah  Hysni, por në fshat  u thir shkurtimisht Abdyl, kurse në familje akoma më shkurtimisht Dule. U nda nga jeta më 23 tetor 1892 në Stamboll. Dy vjet më vonë, më 1841,  lindi fëmija e dytë, një vajzë, të cilën e quajtën Nefise. Më 13 dhjetor 1843 lindi Sherifi, i cili u nda shpej nga jeta, më 8 maj 1874 në Janinë. Më 25  maj 1846, Emineja lindi dy binjakë, njëri nga të cilët vdiq në shpergënj, ndërsa tjetri, që ishte gjithashtu i dobët, i vunë një emër ogurmirë, e quajtën Naim, që në arabisht do të thotë i fuqishëm, i cili u nda nga jeta më 20 tetor 1900 në Stamboll. Fëmija i pestë lindi më 1848, ishte vajzë dhe i vunë emrin Shahnisha, e cila jetoi vetëm 23 vjet, u nda nga jeta më 1871. Samiu ishte fëmija i gjashtë,  lindi më 1 qershor 1850 dhe u nda nga jeta në Stamboll më 18 qershor 1904. Tre vjet më vonë, më 27 janar 1853 lindi Tahsini, i cili jetoi sa Shanishaja, 23 vjet, u nda nga jeta  në Janinë më 23 prill 1876. Fëmija i fundit, djali i gjashtë, ishte Mehmeti, u lind më 26 tetor 1856 dhe u nda nga jeta në Tiranë  më 21 dhjetor 1918.

Shtëpia e Halit Frashërit ndodhej në shpatin e Kokojkës, në mes të fshatit, në lagjen Dulellarë. U rënua më 1892. U ringrit mbi themelet sipas  projektit të hartuar nga Xhovalin Kroqi dhe u kthye në muze memorial kushtuar vëllezërve Frashëri më 16 qershor 1974. Ishin te pranishëm në këtë ditë të përurimit, ndër shumë të tjerë, edhe mbesa e Naimit, Naime Rusi, si dhe nipi i Samiut, Emin Ereri.  Shtëpia është  me dy kate, ndërtuar me gurë të zinj dhe çati me rasa guri. Ka dhjetë dhoma. Përbëhet nga dy korridore me përmasa të mëdha, në çdo kat janë nga tre dhoma të rreshtuara në vijë të drejtë në të majtë kur hyn në ndërtesë, nga një dhomë si poshtë e lart përballë hyrjes e në tërë gjerësinë e korridorit dhe e pesta e katit të parë dhe e dhjeta e katit të dytë, ndodhen në të djathtë kur hyn në shtëpi  e ngjitur me fasadën e ndërtesës. Nga kati i parë në të dytin ngjitesh nëpërmjet shkallëve të drunjta me parmak. Përballë shtëpisë, mbi podiume, lartësohen pranë njëri tjetrit ashtu si kanë qenë në jetë, me vështrim nga fshati e lindja e diellit dhe me shpinë nga mali i Kokojkës, bustet e tre vëllezërve Frashëri,  Abdylit, Naimit dhe Samiut, punime të skulptorit të madh, Përmetarit Odise Paskali.

KultPlus

“Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare”

Faik KonicaNga: Faik Konica

1. Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin (Albania 4, 1906).

2. Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (Albania 1, 1897).

3. Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897).

4. E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2, 1897).

5. Ka qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur (Albania 2, 1897).

6. Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë. (Albania 2, 1897).

7. Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit (Albania 2, 1897).

8. Gazetarët janë njerëz spiritualë dhe të dashur (Albania 5, 1897).

9. Xhelat je se të pëlqen të jesh (Albania 8, 1897).

10. Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme (Albania 9, 1898).

11. Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. A bon entendeur, salut! (Kush të dojë, le ta kuptojë) (Albania 9, 1898).

12. Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon (Albania 11, 1898).

13. Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij (Albania 11, 1898).

14. Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia (Albania 11, 1898).

15. Popujt që ushqehen me perime e produkte qumështi kanë përgjithësisht zakone shumë të buta. (Albania 11, 1898).

16. Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

17. Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

18. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

19. Sharjet e kundërshtarit të nderojnë (Albania 16,15-31 korrik 1889).

20. Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

21. Ai që i bën vërejtje dikujt si i edukuar keq, tregon nga ana e tij një edukim të paktën po aq të keq. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

22. Mund të jesh njeri vulgar e të thuash do gjëra të arsyeshme (Albania 16,15-31 korrik 1898).

23. Më mirë të jesh një i egër i ndershëm, se sa një i qytetëruar i poshtër (Albania 16,15-31 korrik 1898).

24. Të gjitha vendet kanë tradhtarët e tyre të ndyrë (Albania 24, 15-28 shkurt 1898).

25. Lëvdata shpesh e ka brenda prapamendimin. (Albania 26, suplement 4, 5-30 prill 1899).

26. Pakorrigjueshmëria e një alkooliku është simptoma më e njohur e një çrregullimi mendor (Albania, 15-30 qershor 1899).

27. Ka shpesh personazhe vlera e të cilëve, zmadhuar nga larg, shfaqet më e vogël tek shihet nga afër. (Albania, 10 shtator 1900).

28. Nuk mund të gjykohet për tokën para se të mbjellësh ( domethënë: toka e mirë njihet kur hedh farën (Albania, 31 maj 1901). /KultPlus.com

Vlora më 1912 dhe 1920

Mithat FrashëriNga Mithat Frashëri

(Me rastin e 100 vjetorit te Luftës së Vlorës, maj 1920-maj 2020)

Vlorë, një emër paskëtaj i lidhur me historinë e Shqipërisë; me lidhje të zgjidhshme.

Dy data 1912 dhe 1920, dy ngjarje, dy flakë. E dyta plotësoi të parën, e mbaroi, e forcoi, i dha shkëlqim, e bëri të vërtetë, reale, e shpëtoi prej mjegullës dhe dyshimit. E para i hapi udhë të dytës, po e dyta i dha trup së parës, e bëri të pashme, të gjallë, me shpirt, me frymë, ose më mirë akoma, mblodhi në këtë pjellë shpirtin dhe frymën e përhapur, që fluturonte në erë dhe s’kishte zënë vend përdhe, e forcoi në këtë zall me rërë pastaj e hodhi mbi gjithë Shqipërinë, si një vesë që bie dhe ngjall bimët e vyshkura prej të thatit.

Shumë herë fati i një njeriu, i një kombi, varet prej një të papandehur dhe më kot kërkojmë shkaqet e ngjarjes, pyesim si dhe pse u bë kështu. Ato janë ngjarjet, që rrjedhin befas, papritur, që i kanë rrënjët në faktorë të padukur. Po edhe disa ngjarje të tjera janë drejtësisht fryti i një dëshire dhe i një vullneti, që i bën, që i mejton dhe që i do. Thamë se fati është i verbër. Në kushtet e dyta fati e ka hequr shaminë, që i mbyll sytë dhe sheh, shikon, kupton.

Një mijë e nëntëqind e dymbëdhjeta mund të bëhej edhe gjetkë, në vend që të bëhej në Vlorë, në çdo qytet tjetër, në të parin fshat, edhe në të fundit.

Po një mijë e nëntëqind e njëzeta nuk mund të bëhesh veçse në Vlorë, në këtë baltë, prej këtyre njerëzve.

Dymbëdhjeta hodhi një flakë, se materializoi dëshirën dhe idealin e një kombi, mbaroi një ide, i dha formë mendjes.

Njëzeta i dha gjallim lëndës, e bëri me shpirt formën, e mbërtheu në zemra dhe në mendje.

Mbarimi i Dymbëdhjetës qe pak befas, e papritur, mbase dhe një grimë para kohe. Dhe në gaz e në turbullim të një ngjarjeje të lumtur, që nuk pritet, ndërgjegjja kombiare nuk gjeti kohë të kristalizonte aspiratat e saj, të merrte gjerësinë e fatit, të ndjente dhe të shijonte lumturinë e re. Ishte një ide, një ideal, një dëshirë e qëndruar pak në erë, e pazbritur fare në dhê.

Intervali dymbëdhjetë-njëzet është mbushur me të bëra të këqija dhe të zeza, po mbase jo të palogjikshme. Logjika është e pamëshirë dhe më tepër akoma kur komenton punën që ka rrjedhur, ngjarje të cilave u njohim shtytkat. Kështu që në tetë vjet mjerime, në qoftë se kjo jetë nga nisja dhe  në fund njeh “mjerime”, gjemë një shpjegim. Po të shpjeguarit, edhe me logjikë qoftë, s’e ndalon njeriun nga fatkeqësia dhe nuk ia praps dot as keqardhjen e turpin. Çdo të shpjeguar nuk fal, nuk e lan fajin. Komentimi nuk ecën bashkë me harrimin, mbase bën zgjimin, se në i gjettë shkaqet e një ngjarjeje (dhe ngjarjen fatkeqe njerëzit e quajnë faj dhe turp), sheh dhe mënyrat, mjetet e të prapsurit të së keqes, e të pjellit të ngjarjeve fatbardha.

Të parët dhe të gjykuarit me gjak të ftohtë është një lumturi, por bashkë me të edhe një pafatësi. Është një gëzim shpirti, si edhe një pikëllim zemre. Sido që të jetë, është një qetësi fryme dhe kush ka qetësinë, di të presë, të durojë, të ushqejë shpresën, se fundi i gjykimit është puna. Në debat të ndalimeve, të vështirësive, të veprimeve të zeza, e sheh njeriu se një punë dhe një veprim i lumtur mund dhe prish të palumturin. Puna, aktiviteti, të ushqen shpresën. Si mekaniku që njeh makinën dhe e ndreq, sado e prishur që të duket, ashtu edhe ai që analizon, ai që sheh dhe përkëdhel çarqet e panumërta të kësaj makine, që i themi jetë, e di se me punë, me durim, me palodhje e me papikëllim, sistemi i makinës mund të vihet në lëvizje në drejtimin, që duam.

Duhet një shkaktar, një që të dojë ta ndreqë makinën.

Ky shkaktar u bë Vlora. Shkaktar jo i fatit, befas, pa ditur, pa pandehur, pa dëshirë, po shkaktar i mençur, i ndërgjegjshëm për atë që duan, që dinë ç’bëjnë, që ka përgatitur kushtet, që ka mprehur vullnetin, në durim e në heshtje, të vendosur për fitim a për vdekje, që ka parë çdo rrezik, ka peshuar pse-në dhe si-në e shortet, duke mos kapsitur syrin, me gjak të ftohtë ka hyrë në zjarr dhe ka dalë me fitim në dorë.

Shpesh një punë e vogël, një shkak i vogël pjell një fryt të madh. Këtu kemi një punë të madhe, një shkak të madh, që i jep lindje një pune të madhe.

Edhe kështu njëzeta kurorëzon dymbëdhjetën. Njëzeta e fortë, më trime se e pushtetshme, e merr dymbëdhjetën, e nxjerr nga gjembat dhe greminat, e ngre në këmbë dhe i thotë: EC.

Dymbëdhjeta solli famë në këtë Vlorë. Njëzeta nderoi Vlorën. Vlora nderoi njëzetën.

Njëzeta i tha Shqipërisë: je e lirë, dhe këtë liri ja ke hua vetvetes. Nuk ke miq dhe dashamirë, po ke veten tënde. Dhe kur ke veten tënde, mos ki më frikë. Këtij urdhri, qe e pamundur mos t’i bindet njeriu; Shqipëria u mëkëmb, u forcua, u mbajt dhe eci. Fuqinë, shëndetin, shpirtin dhe gjëllimin e mori nga vullneti i saj.

Nderim, respekt dhe venerim për këtë vend!

Një dëshirë e kaq dhjetë vitesh po shtynte kombin drejt një të ardhmeje të re, drejt një jete të bërë dhe të shpënë për të mbarën, për dobinë, për interesin dhe për shkëlqimin e vendit. Një dritë ishte hedhur mbi udhën që po ecnim dhe ajo dritë rrëfente një udhë të re. Kandili qe ndezur dhe busulla e dëshirës kishte gjetur një pol, herë e ndritur, herë e zbehtë, shpesh herë në rrezik që të shuhej. Busulla e humbiste polin dhe udhëtari e lidhte udhën si anija pa timon, si barka pa vela. Yllit, që rrëfente qëllimin, re të zeza  e mbulonin shkëndijën dhe tallazet e valës bëheshin kanosëse.

Atij kandili i desh hedhur vaj, që të dilte flaka përmbi tymin dhe të ndriste rrugën. Edhe në qoftë se djersa bën pjellor çdo send, këtu djersa u mbyt me gjak dhe u ngjall me vullnet.

Venerim, respekt dhe nderim për ata njerëz!

***

Në këtë qytet të bërë vërtet “shqiptar”, çdo shqiptar ndjen një kryelartësi dhe një mburrje, kërkon të zbulojë shkaqe të reja për lëvdatë, burime për mburrje dhe në çdo çap, që bën zemra, bën një lutje, që ta gjejë këtë qytet më të lavdërueshëm dhe më të lulëzuar se nga çdo tjetër. Në ç’punë hyn ajo therori, ajo burrëri, po qe që një punë e palodhshme s’erdhi t’i jepte çdo ditë një shkëlqim të ri.

Edhe me këtë dëshirë në zemër nxitoj të bëj një vizitë të shpejtë. Tetë vjet jete turbullimi i kanë sjellë pak nderim fizionomisë së qytetit: këtu atje sheh ca shtëpi të reja, disa dyqane të modernizuara, një shesh tregu të rregulluar, një ndërtesë qeverie të mbajtur mirë, një kujdes prej bashkisë në pastrim të rrugëve dhe në ngritje të godinave të rrëzuara.

Mësoj se një kopsht qyteti, një park i vogël po përgatitet në këtë klimë të butë, këtu që rron ulliri, lulëzon limoni dhe portokalli, këtu që eukaliptusi, kaktusi dhe palmat me gjithë shoqet e tyre të vendeve të nxehta, gjejnë një diell mbrojtës dhe gjelbërim prurës, padyshim një park i kujdesur mund të bëhet një model bimësh dhe një kënaqësi për syrin e për shpirtin. Po pse të paralajmërojmë, le të presim mbarimin. S’është me të thënë, është me të bërë.

Ja spitali: mjeku më rrëfen udhën, më bën nderimet si një zot shtëpie, më rrëfen të sëmurët, sallat e operacioneve, depozitat, farmacinë … dhe tekdo një pastërti e kujdes mbretëron, tekdo sheh njeriu shenjën e një dashurie për mjeshtërinë, një dëshirë për shërbim.

Mësoj se flitet për formimin e një muzeu dhe mbrëmë që luajtur një pjesë teatri prej një trupe amatorësh.

Një muze! Të donin, sa lëndë të begatshme mund të mblidhnim! Të kishim dashurinë e së shkuarës dhe të na dhembte pak më tepër për të lënat e stërgjyshërve! Por pa u ngjitur në paranikët tanë të vjetër, pa vajtur në “antikat” e Pojanit dhe të kaq viseve të tjera, balta e të cilave mbulon qytete të moçëm, vetëm plaçkat, kujtimet dhe mbeturinat e këtyre dhjetë viteve të fundit sikur të mbledhim, vetëm për të mos harruarit e viteve 1912 dhe 1920 sikur të kujdesej muzeu i Vlorës, do të bëhej një koleksion prej më të vlefshmëve për ne.

Duke shëtitur mejtohem. Dhjetë vjet. Kujtimi është akoma tepër i ri për t’u harruar. Sa ndryshim, që atëherë e tëhu: n’atë kohë gjindja kishte një ç’interesim për çdo send që prekte punët e shoqërisë. Tani çdo gjë e Shqipërisë e intereson dhe e zgjon. Zgjedhjet e deputetëve, zgjedhjet e bashkisë janë bërë me një zell, që dëften se detyrat qytetare janë kuptuar mirë.

Ndërgjegjja kombëtare kur zgjohet, i jep një fisnikëri njeriut, si çdo dashuri dhe çdo frymë, që fisnikëron punët e të mortmit.

Por fisnikëria ka dhe detyra të rënda. Është gjë e rrallë dhe fort e madhe që të jesh fisnik, por dhe sa gjë e rëndë që të dish të mbash shkallën e asaj fisnikërie.

Sa barrë e rëndë bie tani mbi supet e kësaj Vlore, nga e cila të gjithë presin mbarimin e punëve të mëdha, zbukurim dhe lulëzim! Zgjimi i ndjenjës kombiare sjell entuziazëm dhe ky hov i zemrës e bën njeriun të përparojë, të naltësohet, të mos qëndrojë pa arritur kulmin e udhës, që ka zënë.

Dymbëdhjeta nuk zgjoi entuziazëm, nuk tronditi dejet, nuk flaku poshtë këtë atmosferë vdekjeje, që mbështillte çdo njeri të dënuar për prishje. Edhe mbeti në shpirtra e në zemra si gjumë i somnambulit.

Njëzeta nuk mund që të mos zgjonte entuziazëm. Jo, një punë e tillë nuk mund që të mos njihte detyrat që i ngarkoheshin. Do të qe më i madhi mëkat në botë përgënjeshtrimi i atyre shpresave të mëdha, që zgjoi Dymbëdhjeta. Vlora që bëri një hap kaq të madh dhe të shkëlqyer, nuk mund më të kridhet n’ errësirë.

Edhe sa punë akoma për të mbaruar! Sa çape të tjerë për të hedhur!

*

Ky fragment është nxjerrë nga “Një udhëtim nga Trieste ne Vlorë” 12 tetor 1922, një udhëpërshkrim i Mid’hat Frasherit (Lumo Skendo), njëherësh edhe një meditim historik, filozofik dhe artistikpër dy ngjarje madhore te  historisë së Shqipërisë, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ( 28 Nëntor 1912) dhe Luftën e Vlorës ( 21 maj 1920), që solli çlirimin dhe pavarësinë e vërtetë e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj. /KultPlus.com

Theodore Roosevelt: Mbaji sytë drejt yjeve dhe këmbët në tokë

luleShprehje mbi ëndërrat, shpresën dhe faljen.

“Shumë nga ne nuk janë duke jetuar ëndrrat e tyre, sepse kanë zgjedhur të jetojnë frikërat e tyre”.” – Les Brown

“Unë nuk jam produkt i rrethanave të mia. Unë jam produkt i vendimeve të mia”. – Stephen Covey

“Mënyra më e zakonshme që njerëzit të japin gjithë fuqinë që kanë, është duke menduar se nuk kanë aspak fuqi”. – Alice Walker

“Njohuritë nuk janë të mjaftueshme, ne duhet t’i aplikojmë ato. Dëshirat nuk mjaftojnë, ne duhet t’i realizojmë ato”. – Leonardo da Vinci

“Kur isha 5 vjeç, mamaja më thoshte përherë se lumturia ishte çelësi i jetës. Kur shkova në shkollë, më pyetën një herë se çfarë doja të bëhesha kur të rritesh, dhe unë shkruajta “Lumturi”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën dhe unë u përgjigja se ata nuk e kuptonin jetën”. – John Lennon

“Kur gjithçka duket sikur po shkon kundër teje, kujtohu se aeroplani shkon gjithë kohës kundër erës, jo në të njëjtin drejtim me të”. – Henry Ford

“Mos e lejo të djeshmen të zërë shumë vend në të tashmen”. – Will Rogers

“Ndaje mendjen se pavarësisht çdo gjëje që do të kalojë në rrugën tënde, pavarësisht se sa e vështirë të jetë, sa e padrejtë të jetë, ti do të bësh më shumë se sa thjesht të mbijetosh. Ti do të lulëzosh pavarësisht situatave të tilla”. – Joel Osteen

“Unë besoj tek të qëndruarit të fortë, kur gjithçka duket sikur po shkon gabim. Unë besoj se vajzat e buzëqeshura janë më të bukurat. Unë besoj se e nesërmja është një ditë tjetër dhe unë besoj tek mrekullitë”. – Audrey Hepburn

“Unë i dua njerëzit që buzëqeshin në probleme, që marrin fuqi në strese, që rriten me reflektim. Të kundërtat i bëjnë vetëm ata që kanë mendje të vogla, ndërsa ai që ka një zemër të vendosur, do t’i ndjekë parimet e tij deri në vdekje”. – Thomas Payne

“Mbaji sytë drejt yjeve dhe këmbët në tokë”. – Theodore Roosevelt

“Personi i vetëm me të cilin duhet të krahasohesh dhe të jesh më i/e mirë, është personi që ti ishe dje. Bëhu sot një version më i mirë i tij”. – Anonim

“Jeta është shumë misterioze për ta marrë në mënyrë serioze”. – Mary Engelbreit

“Askush nuk mund të të bëjë të ndihesh inferior/e pa lejen tënde”. – Eleanor Roosevelt

“Nuk ka rëndësi se sa dëm u bën të tjerëve, por sa shumë të dëmtojnë ty dhe ti sërish të vazhdosh të ecësh përpara”. – Rocky Balboa

“Nëse do të shkosh shpejt diku, shko i vetëm. Nëse do të shkosh larg, shko në shoqëri”. – Proverbë afrikane

“Bëj atë që të duket e drejtë në zemrën tënde. Të tjerët do të të gjykojnë gjithsesi”. – Eleanor Roosevelt

“Ne jemi ajo çfarë bëjmë vazhdimisht. Përsosmëria pra, nuk është një art, por një zakon”. – Aristoteli

“Nëse punon fort dhe sillesh mirë, gjëra të mrekullueshme do të të ndodhin”. – Conan O’Brien

“Çdo gjë e mirë është e vështirë. Nëse do të ishte e thjeshtë, çdokush do ta dëshironte”. – Jimmy Dugan

“Falja nuk e ndryshon të shkuarën, por mund të zgjerojë të ardhmen”.

“Të falësh do të thotë ta lësh të lirë një të burgosur dhe të kuptosh se i burgosuri ishe ti”.

“Le ta falim njëri-tjetrin, sepse vetëm atëherë mund të jetojmë në paqe”.

“Ai që është i mirë në falje, duhet padiskutim të jetë i mirë edhe në harresë”.

“Të mbash inate nuk të bën më të fortë, por më të hidhur. Të falësh nuk të bën më të dobët, të bën më të lirë”.

“Kur dikush bën diçka gabim, fale duke mos i harruar gjithë gjërat e mira që ai ka bërë”.

“Falja nuk është përherë e lehtë. Ndonjëherë ajo ndihet më e dhimbshme se plaga që kemi marrë, nga mendimi se po falim dikë që e ka shkaktuar atë plagë. Dhe përsëri, duhet të dimë se nuk ka paqe pa falje”.

“Fali të tjerët jo sepse ata e meritojnë faljen, por sepse ti e meriton paqen”.

“Të falësh dikë mund të të ulë krenarinë, por mos ta falësh atë mund të kushtojë ty lirinë”.

“I dobëti nuk mundet asnjëherë që të falë. Falja është një atribut i të fortit”.

Klapper: Një sistem zgjedhor i përzier në Shqipëri, zgjidhje më e mirë

KlapperStine Klapper, drejtuese e zyrës së fondacionit gjerman ”FES” në Tiranë, në intervistë për DW, paraqet opinione për reformën zgjedhore në Shqipëri dhe argumenta pro&kundër ndryshimit të sistemit aktual zgjedhor.

DW: Znj. Klapper, në Tiranë vazhdojnë përpjekjet mes maxhorancës socialiste dhe opozitës për të arritur konsensus për zgjidhje ligjore në plotësimin e rekomandimeve të OSBE / ODIHR për reformën zgjedhore A mund të paraqisni ju lutem, argumentat thelbësore pse kjo reformë është kaq e rëndësishme për perspektivën evropiane të Shqipërisë?

Stine Klapper:  Në ligjin aktual dhe procedurat ka të meta, deficite të caktuara, përfshirë politizimin e administratës zgjedhore, mungesën e transparencës së financimit të fushatës dhe të efektivitetit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore. Integrimi Evropian dhe reformat e nevojshme në procesin drejt pranimit në BE prekin shumë fusha të ndryshme të politikave. Por në përgjithësi, të qenit pjesë e BE-së do të thotë konsolidim i demokracisë dhe sundimit të ligjit. Një proces zgjedhor, që funksionon mirë është pjesë e këtij konsolidimi, prandaj reforma është e një rëndësie të tillë. Kjo është edhe arsyeja pse një reformë e suksesshme pas rekomandimeve të OSBE / ODHIR është vendosur si parakusht për hapjen e bisedimeve të pranimit.

DW:  A funksionon në mënyrë normale demokracia përfaqësuese në Shqipëri?

Stine Klapper: Çfarë kuptoni me “funksionim normal”? Shqipëria është një demokraci përfaqësuese, por ka ende nevojë për një transformim të mëtejshëm që do të thotë konsolidim i proceseve dhe institucioneve demokratike. Ekzistojnë mjaft potenciale për përmirësim dhe nuk janë vetëm çështje teknike që duhen adresuar si në reformën zgjedhore. Funksionimi i një demokracie varet nga secili, që përfshihet. Krijimi i një kulture të fortë politike demokratike është një detyrë e pafund që kërkon përfshirjen e të gjithë qytetarëve. Pra, pavarësisht se çfarë lloj sistemi zgjedhor ekziston, “funksionim normal” i një demokracie përfaqësuese ka të bëjë me shumë më tepër sesa rregullat formale. Pra, përveç reformave të diskutuara, mënyra se si punojnë partitë politike dhe parlamentet, se si shoqëria civile është e përfshirë dhe si bëhet edukimi politik dhe qytetar janë ꞔështje që janë të gjitha po kaq të rëndësishme.

DW: Çfarë mendoni për sistemin aktual zgjedhor në Shqipëri? A ka hapësira bosh që krijojnë premisa për devijime nga parimet dhe objektivat e demokracisë përfaqësuese?

Stine Klapper: Sisteme të ndryshme elektorale prodhojnë rezultate të ndryshme lidhur me  përfaqësimin, pasi ka versione dhe konfiguracione të ndryshme në një diapazon të gjerë nga përfaqësimi i papërzier proporcional tek sistemet maxhoritare. Dhe të gjithë kanë avantazhe dhe disavantazhe: nga njëra anë për mënyrën sesi qytetarët lidhen me përfaqësuesit e tyre dhe nga ana tjetër me efektivitetin ose efikasitetin. Në Shqipëri, pa asnjë dyshim, është thelbësore që rekomandimet e  ODHIR-it të plotësohen.  Dhe kjo, në të vërtetë, do të mund të bëhej menjëherë. Por kur bëhet fjalë për çështjen e sistemit zgjedhor, duhet marrë në konsideratë edhe një reformë më e thellë. Një reformë e tillë më e thellë është e vështirë të vendoset në afate të ngushta pasi është çështje që kërkon diskutim dhe ekspertizë të gjerë, kështu që kjo është diçka që mund të bëhet në një hap tjetër. Nuk egziston një sistem zgjedhor, që të jetë i duhuri, më i miri. Avantazhet dhe disavantazhet e opsioneve të caktuara duhet të kuptohen dhe diskutohen nga vendimmarrësit politikë, por edhe nga shoqëria civile pasi kjo është një ꞔështje që ka të bëjë me tërë shoqërinë dhe me çdo person të vetëm që ka të drejtën e votës. Ka mjaft mosmarrëveshje dhe kritika për sistemin zgjedhor aktual, sidomos për faktin që konsiderohet se i shërben centralizimit të pushtetit. Kjo është arsyeja e mjaftueshme për t’u përfshirë në një diskutim të gjerë se cila mund të ishte një alternative e mirë përtej rekomandimeve shumë të rëndësishme të ODIHR-it. Natyrisht, kam idetë dhe preferencat e mia personale në lidhje me sistemet zgjedhore, por nuk mendoj se ka një zgjidhje optimale. Mendoj se e rëndësishme është që shoqëria shqiptare, ekspertët dhe vendimmarrësit të diskutojnë me maturi dhe vëmendje opsionet e ndryshme.

DW:  Znj. Klapper, a jeni në favor të ndryshimit të sistemit zgjedhor nga proporcional rajonal me listat e mbyllura në ato të hapura? Në fund të fundit, reforma zgjedhore nuk është thjesht përmbushje e një prej kushteve prioritare të Bundestagut gjerman për Shqipërinë për hapjen e negociatave por edhe për të plotësuar pritshmëritë e zgjedhësve, që duan procese demokratike zgjedhore.

Stine Klapper: Po, keni të drejtë. Një reformë e tillë nuk duhet të bëhet vetëm sepse Bundestagu ose Këshilli Europian e ka kërkuar. Duhet të bëhet sepse është në interes të qytetarëve të Shqipërisë. Siç thashë, sisteme të ndryshme kanë avantazhe dhe disavantazhe të ndryshme. Përkrahësit e listave të hapura  shpresojnë që ato do të çojnë drejt demokratizimit të partive politike pasi bëjnë të mundur një konkurrencë më të fortë brenda partive dhe më shumë pavarësi politike të kandidatëve. E kuptoj këtë argument dhe sigurisht që do të ishte një zhvillim i mirëpritur. Në të njëjtën kohë, kandidatët që janë financiarisht më të fuqishëm do të favorizoheshin në rastin e fushatave zgjedhore individuale dhe zhvillimi i një platforme programatike më të fortë nga partia politike – e cila gjithashtu do të ishte e nevojshme për konsolidimin demokratik – mund të pengohet nëse kandidatët individualë fitojnë në sajë të premtimeve individuale. Siç e shihni, ka gjithmonë pro dhe kundër. Kështu që, nëse është e mundur, një sistem i përzier do mund të ofronte një zgjidhje më të mirë. Gjithsesi, së pari mendoj që ꞔështja e sistemit zgjedhor ka nevojë për diskutim të mëtejshëm midis aktorëve shqiptarë dhe së dyti, ashtu si thashë,  cilësia e një sistemi demokratik varet më shumë nga rregullat e një ligji zgjedhor. Prandaj, do të tregohesha e kujdesshme të shpresoja shumë vetëm në një reformë të sistemit zgjedhor.

DW: Votimi me lista të hapura konsiderohet gjithashtu si një mundësi për qarkullimin e elitave politike në Shqipëri, të pandryshuara tanimë prej 3 dekadash. A ka nevojë Shqipëria për hyrje të reja në Parlament?

Stine Klapper: Në Shqipëri, në Parlamentin Evropian, në Gjermani… mendoj  se është shumë e shëndetshme për përfaqësimin demokratik të lejojë një qarkullim të elitave. Në mënyrë ideale, ne kemi një përzierje të përfaqësuesve me përvojë dhe të rinj. Listat e hapura mund të jenë sigurisht një mënyrë për ta bërë këtë të mundur. Por unë mendoj se është edhe më e rëndësishme që partitë politike të lejojnë që të rinjtë dhe emra të reja të bashkohen dhe të marrin përgjegjësi dhe pozicione – ndoshta edhe përmes kuotave. Kjo është e dobishme për hapjen ndaj ndryshimeve specifike të politikës, por edhe në përgjithësi edhe për përfaqësimin demokratik dhe identifikimin e përfaqësuesve politikë në elektorat.

DW: Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, dy forcat politike kryesore në Shqipëri, shfaqen në një mendje për ta shtyrë, në një kohë të pacaktuar, ꞔështjen e diskutimit për ndryshimin e sistemit zgjedhor. A duhet marrë tani në konsideratë  kjo ꞔështje nisur nga një presion në rritje i shoqërisë civile dhe opozitës parlamentare, por edhe një inkurajim nga faktori ndërkombëtar?

Stine Klapper: Nuk e di nëse ka një ngurrim të përgjithshëm për të rënë dakord – është një çështje e ndërlikuar duke marrë parasysh polarizimin e përgjithshëm politik. Sidoqoftë, mendoj se të gjithë duhet të jenë të interesuar të punojnë drejt një reforme zgjedhore të suksesshme. Qytetarët e dëshirojnë këtë dhe ky është një kusht për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE. Shpresoj të shoh që dialogu është i mundur, sepse ky është një rast i qartë në të cilin interesi për të ardhmen e vendit duhet të jetë emëruesi i përbashkët për të gjithë aktorët politikë.

 

Stine Klapper është drejtuese e zyrës së fondacionit “Friedrich Ebert Stiftung” (FES) në Shqipëri. 

dw

Covid 19: 120 raste të reja, 2 të vdekur dhe 16 persona të shëruar

NdalesaMinistria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 953 testime dhe janë regjistruar 120 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 67 – Kumanovë 19 – Shtip 16 – Tetovë 9 – Prilep 4 – Veles 2 – Gostivar 1 – Negotino 1 dhe Strumicë 1

Gjatë 24 orëve u regjistruan 2 viktima, në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile ndërroi jetë një paciente 65-vjeçare e pranuar në klinik me 28 maj dhe në Spitalin “8 Shtator” ndërroi jetë një pacient 69-vjeçar i hospitalizuar në spital më 1 qershor.

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 16 pacientë të rikuperuar në -Shkup 8 – Shtip 3 – Prilep 2 – Tetovë 1 – Veles 1 – Manastir 1.

Deri më tani, në vend janë kryer gjithësej 33 114 teste për covid-19. Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 2611, numri i pacientëve të rikuperuar është 1621, numri i të ndjerëve është 147, dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 843.

Ndërsa sot, në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 9 raste të reja dhe kemi 1 të shëruar, numri i pacientëve aktiv me covid-19 është 90.

Përndryshe sot hynë në fuqi ndalesa për lëvizjen e qytetarëve në Shkup (të gjitha komunat e Shkupit), Kumanovë, Lipkovë, Shtip, Tetovë si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunovcë edhe atë prej ditës së Enjte (04.06.2020) prej orës 21:00 deri të hënën (08.06.2020) në ora 05:00.

Ndërsa në të gjitha qytetet e tjera ndalohet lëvizja prej ditës së Enjte (04.06.2020) prej orës 21:00 deri të Premten (05.06.2020) në ora 05:00, ndërsa të Premten, të Shtunën, të Dielën në këto qytete ndalimi fillon prej orës 16:00 dhe zgjat deri ditën e nesërme, në ora 05:00 të mëngjesit.