Petkov: Sofja nuk ndryshon qëndrimin ndaj Shkupit

PetkovBullgaria nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar i nominuari për kryeministër të Bullgarisë, Kiril Petkov më 11 dhjetor.

“Pozicioni bullgar mbetet ashtu siç është, por ne duam ta përmirësojmë. Nuk duam të vazhdojmë vetëm me deklarata nga të dy anët e kufirit, por duam të ulemi bashkë, ekipe nga sfera të ndryshme, të punojnë për fqinjësi të mirë. Por, në të njëjtën kohë ne do të mbrojmë interesat kombëtare bullgare”, tha Petkov pasi të dielën në Sofje ia dorëzoi peridentit, Rumen Radev listën me emrat e ministrave të kabinetit të ri qeveritar.

Partia e Petkovit “Vazhdojmë me ndryshimet”, e cila fitoi zgjedhjet e treta parlamentare më 14 nëntor, ka arritur të formojë koalicion me socialistët, populistët dhe partinë e qendrës së djathtë, “Bullgaria “Demokratike”.

Bullgaria, si shteti anëtar i BE-së, që nga nëntori i vitit 2020 ka bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE), duke e kushtëzuar votën e saj me arritjen e marrëveshjes për çështjet kontestuese.

Sofja kërkon marrëveshje për identitetin, gjuhën dhe dallimet historike mes dy vendeve. Sofja insiston që Shkupi të pranojë se gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas, para vitit 1945, kanë pasur prejardhje bullgare.

Zyrtarët maqedonas presin që në samitin e radhës të BE-së, që pritet të mbahet këtë muaj, Sofja të heqë veton dhe të mundësojë mbajtjen e konferencës ndërqeveritare, BE-Maqedoni e Veriut.

Zëvendëskryeministri Artan Grubi të premten njoftoi për një nismë nga Franca për arritjen e një marrëveshje me Bullgarinë, por pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e saj. Por, Sofja ka mohuar të ketë nismë të tillë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ndërkohë për mediat lokale ka komentuar edhe njoftimet mbi mundësinë që negociatat me BE-në t’i fillojë vetëm Shqipëria ndërsa Maqedonia e Veriut të presë deri në arritjen e marrëveshjes me Bullgarinë.

“Në vitin 2019 të dy vendet ishin në pozicione të kundërta, kur ne duhej të lëviznim ndërsa Shqipëria nuk kishte mbështetjen e disa shteteve anëtare dhe më pas pyetja ishte nëse do të ndahej Maqedonia e Veriut nga Shqipëria. Konsideroj se është në interesin e të dyja vendeve që të qëndrojnë së bashku, sepse krijojnë një energji të forte duke i dhënë dinamikë rajonit, një komponent rajonal tërë këtij procesi që ky nuk është vetëm një proces demokratik, por edhe një proces politik”, ka deklaruar Osmani.

rel