Prokuroria ka kërkuar burgim përjetë për Arben Frrokun, i cili akuzohet për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj rreth dy vite më parë. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda pretenca ndaj Frrokut u shpall në mungesë të të akuzuarit, gjatë një seance me dyer të mbyllura. Genc Gjokutaj, avokati mbrojtës i Frrokut, reagoi pas shpalljes së pretencës. “E prisnim këtë konkluzion të gjyqtarëve”, tha Gjokutaj, sipas të cilit “prokuroria kishte mungesë provash” dhe “nuk u provua që Frroku është vrasësi i kryekomisarit të policisë”.
Avokati Gjokutaj shtoi se “ka prova që dëshmitari është i paguar”.
Ndërkohë, mësohet se personi i cilësuar si “dëshmitar kyç i procesit” është transferuar prej disa javësh në një vend të Bashkimit Europian, për arsye sigurie. Top Channel