Amerikani Alexander Graham Bell është ndoshta më i njohur si shpikës i telefonit.or ai luajti një rol të madh edhe në regjistrimin e zërit, duke sjellë risi edhe në këtë fushë. Muzeu Kombëtar Smithsonian i Historisë Amerikane në Uashington ka hapur një ekspozitë me regjistrimet e para zanore të realizuar nga Belli qysh në vitet 1880. Korrespondentja e Zërit të Amerikës June Soh vizitoi muzeun dhe na sjell disa regjistrime që mendohej se kishin humbur.
Ky është regjistrimi i vetëm i njohur i zërit të Alexander Graham Bellit. Disku prej dylli dhe kartoni është i vitit 1885. Aty janë regjistruar fjalët e shpikësit duke numëruar dhe duke bërë provë.
Carlene Stephens është kuratore e ekspozitës me titull “Dëgjoni zërin tim”.
“Ne kishim një dokument me nënshkrimin e Bellit, por kur dëgjuam zërij e tij u emocionuam shumë.”
Ekspozita përmban disa prej koleksioneve që ruhen në Laboratorin Volta të Bellit në Uashington. Regjistrimet eksperimentale e bëra me teknika të ndryshme dhe materiale të tilla si disqe dylli apo qelqi bashkë me dokumentet përshkruese, paraqesin regjistrimet zanore më të hershme të bëra ndonjëherë.
“Ai erdhi në Smithsonian me kutitë e vulosura prej teneqeje, të cilat u depozituan në depon e posaçme të muzeumit për t’u ruajtur në rast se do të kishte ndonjë problem me patentën. Ajo ishte një periudhë me konkurencë të madhe në fushën e shpikjeve në teknologjitë e komunikimit.”
“Grafofoni më i hershëm, siç u quajt nga Belli, e ndryshoi krejtësisht fonografin e Tomas Edisonit. ”
Tingujt që kishin mbetur të heshtur për më shumë se një shekull, u zbuluan dy vjet më parë nga dy fizikanë, Carl Haber dhe Earl Cornell, në Labortorin Kombëtar Lawrence Berkeley dhe nga një specialist i Bibliotekës së Kongresit.
Specialisti Peter Alyea në këtë Bibliotekë, shpjegon se kjo teknikë e quajtur Irene e luan zërin nga një disk apo një cilindër regjistrimi pa e prekur sipërfaqen delikate.
“Sistemi regjistrues fotografon sipërfaqen e materialit ku është bërë regjistrimi. Këto imazhe hidhen në kompjuter ku përpunohen dhe kthehen në tinguj.”
Carlene Stephens thotë se qendra Smithsonian shpreson të digjitalizojë më shumë se 500 regjistrimet e hershme zanore që ka në koleksionin e saj. Ajo thotë se këta tinguj nga e kaluara mund të shërbejnë si frymëzim për brezin e ri të shpikësve dhe novatorëve. (voa)