Partia Socialiste në Shqipëri ka përjashtuar deputetin Tom Doshi nga rradhët e saj. Mbledhja e grupit parlamentar ku u morr vendimi erdhi pas akuzave që zoti Doshi bëri ditë më parë në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe shumicës në Kuvendin e Shqipërisë.“Kur të flas unë më tepër do t’i dridhen themelet shumicës dhe qeverisë. Edi Rama është mosmirënjohës dhe bukshkalë, për mua dhe të gjithë ata që e votuan në Shkodër, dhe këtë do ta shohë dhe në zgjedhjet lokale. Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij”, kishte thënë zoti Doshi.
Por, vendimi për përjashtimin e tij nga PS-ja bëri që Doshi të akuzojë të hënën përpara Mediave kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, të ketë “organizuar vrasjen e tij, dhe të një deputeti tjetër të Kuvendit të Shqipërisë, Mëhill Fufi”.
“Edi Rama sot ka një tutor që quhet Ilir Meta, i cili ka paguar lekë dhe ka urdhëruar të më vrasë mua dhe Mhill Fufin. Ka pesë muaj që ia kam bërë të qartë dhe vetë Ilirit, dhe Edi Ramës, dhe kryeprokurorit të Përgjithshëm”.
Menjëherë ka reaguar faktori ndërkombëtar i akredituar në Shqipëri.
Ambasada e Shteteve të bashkuara në deklaratën e saj me shkrim thotë se “Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar zotin Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet.”
Në një postim në rrjetin social Facebook, Tom Doshi shkruan se ai ka një video prej 37 minutash ku zbardhen detaje për organizimin e vrasjes ndaj tij dhe deputetit Fufi. Ai shton se është i gatshëm që këtë material t’ia dorëzojë ambasadës amerikane në Tiranë.
Edhe përfaqësia e Bashkimit Evropian në Tiranë në deklaratën e saj shkruan se “BE-ja mbështet hapat që nevojitet të ndërmerren për një zbatim të plotë të marrëveshjes mes partive qeverisëse dhe opozitare në Parlamentin e Shqipërisë, përfshirë çështjen e individëve me rekorde kriminale të cilët mbajnë pozicione publike. “
Ndërkohë lideri i opozitës, Lulzim Basha, nga Partia Demokratike, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, pasi “mbi të rëndon akuza më e rëndë e ngritur në këto 25 vite”.
Ai ka kërkuar gjithashtu të hetohet se deri ku janë të implikuar kryeministri Edi Rama dhe ministri i rendit Saimir Tahiri.
Tom Doshi është një prej sipërmarrësve më të mëdhenj e të fuqishëm në Shqipëri. Ai renditet ndër deputetët më të pasur të parlamentit shqiptar. Mbështetja e tij e madhe për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, solli fitoren e PS-së në qarkun e Shkodrës në vitin 2013, i cili tradicionialisht është i djathtë.
Zoti Meta nuk është prononcuar në lidhje me akuzat, por deputeti i LSI-së, (Lëvizjes Socialiste për Integrim), partisë që ai drejton, njëkohësisht kryetar i komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho, ka deklaruar për gazetarët se Tom Doshi ka njoftuar Ilir Metën muaj më parë se, “ai kërcënohej për t’u vrarë nga njerëz pranë ish kryeministrit Sali Berisha”. (rel)